Avni Avdiu: Kohë kur Kallashi e mund edhe nobelistin, Ferid Muratin

Jemi dëshmitarë okularë të trendeve negative në zhvillim e sipër, daljes në pah të antivlerave dhe mospërfilljes së vlerave të mirëfillta. Shoqëria shqiptare është futur në vorbullin e globalizimit dhe postmodernizmit, kurse kolektivizmi i dikurshëm, i ka hapur rrugë individualizmit ekstrem. Në emër të ritmit të progresit, lindin e shtohen fenomene të shumta që synojnë të kundërtën e prosperimit të përgjithshëm. Për të kuptuar më mirë këto dukuri shoqërore, intervistuam Avni Avdiun, doktor në filozofi dhe sociologji, prej të cilit kërkuam përgjigje në shumë dilema të sotme bashkëkohore.

Portalb: Çfarë e bën një vepër të ketë vlerë artistike?
Avdiu: Në fushën e sajesave artistike, ose siç u thonë ndryshe krijimtarive letrare, muzikore, figurative dhe në përgjithësi atyre kulturore, shpesh ka ndodhur e ndodh të mos çojë peshë sasia, gjë që është shumë e arsyeshme. Pra cilësia dhe vlera e njëmendtë është vlerësuar dhe vlerësohet gjithnjë nga bota akademike, ajo që ka shije dhe sens të kultivuar për të çmuar arritjet në sferat e caktuara kulturore. Jo më kot sot e kësaj dite shumë vepra kolosale të njerëzve të mëdhenj, vazhdojnë të mbeten ndër më të pëlqyerat, edhe pse janë bërë shumë kohë më parë. Bie fjala veprat e Betovenit, Pikasos, etj., kanë lënë gjurmë të pashlyeshme dhe lëre që nuk do të harrohen asnjëherë, por do të kujtohen e studiohen gjithnjë e më shumë në të ardhmen. Mirëpo kjo vlen për ata që e dinë dhe e kuptojnë çka është vlera e mirëfilltë, e që kanë formim të shëndoshë kulturor dhe shije të lartë vlerësimi.

Portalb:Po çfarë mund të thuhet për antivlerat?
Avdiu: Krahas asaj që theksuam kemi edhe shijen dhe kulturën e masës, e cila zakonisht nuk kupton dhe nuk dinë të vlerësojë vlerat reale, por priret kah antivlerat. Kjo masë amorfe dhe pa formim të mirëfilltë kulturor, është e predisponuar ndaj shundit dhe kiçit. Shkaku kryesor ndër shkaqet e shumta për këtë është arsimimi i dobët ose jo adekuat. Pra antivlerat janë produkt i zhvillimit të deformuar kulturor, derivojnë prej një shoqërie që në përgjithësi ka vetëdije të ulët dhe brumosen nga një mentalitet që është i prirur nga gjërat e kota e të pavlera. Pikërisht në rrethana të këtilla lind, zhvillohet dhe merr hov shundi dhe kiçi si antivlera që dëmtojnë kulturën e një populli. Ato gjejnë ambientin e përshtatshëm dhe marrin përmasa aq të gjera, sa bëhen shumë normale, gjersa shija për vlerat reale artistike përhumbet gradualisht.
Pra anormalja kthehet në diçka normale, kurse normalja bëhet anormale. Është tamam kohë e pasmodernitetit, kur e paarsyeshmja bëhet e arsyeshme, ndërsa e arsyeshmja bëhet e paarsyeshme; kohë kur absurdit përpiqen t’i japin domethënie, kurse me të logjikshmen bëhet qesëndi. Humb shija për vlerësimin e asaj që ia vlen dhe kultivohet shija për ngritjen e trendeve akulturore. Shpesh ndodh që këngëtarët, të cilët kanë bërë emër me muzikën burimore, ankohen se për të mbetur gjallë u duhet të merren me tallava, përndryshe nuk i dëgjon askush. E logjika e tregut imponon t’u përshtatesh kërkesave të konsumatorëve. Rrjedhimisht këngëtarët shkojnë konform shijes që dominon. Arsyetimi bëhet i kapshëm për të gjithë: disi duhet mbijetuar. Ndërkaq nuk ka gjë më të lehtë sesa të prodhosh shund dhe kiç e tallava; mjafton të vjedhësh muzikën e huaj dhe t’i përshtatësh tekstin në shqip, e në rastet më të këqija teksti në shqip të mos ketë kurrfarë kuptimi. Edhe më e keqja ndodh kur tekstet muzikore përmbajnë mesazhe jashtëzakonisht degjeneruese, që ftojnë rininë në ateizëm, mosdëgjim të prindërve, ndjekje të epsheve, rrugëve të mbrapshta dhe në sjellje të çoroditura e devijante. Gjithashtu vlen të ceket se tekstet janë përplot fjalë banale e të turpshme. S’ka kriter më dhe kalohet çdo vijë e kuqe. Askush nuk i kontrollon ato, asnjëri nuk i redakton dhe përgjegjësi s’mban asnjeri, thjesht kaos dhe mishmash i paparë ndonjëherë në sferën e kulturës. Të dhemb veshi po t’i dëgjosh; s’dihet a vajtojnë, a recitojnë, a ulurojnë a mjaullojnë; thjesht zëra të çjerrë, pa takt e pa standard vokali, që nuk ofrojnë ëndje dëgjimi po siklet e neveri, saqë po t’u lëshohej edhe shtazëve në ahur do t’i trandte. Kjo është arsyeja se përse lindin këngëtarët si këpurdha pas shiut. Pra është kohë kur çohen peshë njerëzit e papeshë. Është pra shundi e kiçi ai që mundëson një bum të tillë të këngëtarëve.

Në të kundërtën sajimi i një vepre me peshë të madhe artistike, kërkon kosto të lartë investimi, një ekip të tërë: do të duhej teksti të bëhet me domethënie e mesazh, muzika të komponohet në origjinalitet dhe instrumentalistët dhe këngëtari të jenë tamam njerëz të dëshmuar. Kjo kërkon kohë, mund dhe njerëz të formuar artistikisht. Po nuk është kështu vetëm në muzikë. Kjo gjendje është e pranishme në gjithë artin në përgjithësi.

Portalb: Çfarë duhet bërë për t’u ndryshuar kjo gjendje?
Avdiu: Për t’u ndryshuar kjo situatë e përgjithshme lipset një vetëdije më e lartë qytetare, një formim më i ngritur artistik e kulturor i masës dhe një investim më i madh në fushën e kulturës nga ana e shtetit. Shteti përmes investimit në kulturë, duhet t’i nxisë ata që punojnë profesionalisht që të japin maksimumin nga vetja e tyre për të prodhuar vlera me peshë të madhe artistike. Ndoshta masa nuk do të dijë t’i çmojë për momentit ato vlera të krijuara, por megjithatë do të vie edhe koha e tyre, kurse artistët e vërtetë nuk do të demoralizoheshin përballë kësaj gjendjeje e as nuk do të detyroheshin të merren me shund e kiç për të mbijetuar në këtë situatë kaotike antivlerash.

Portalb: Si mund të perceptohen individët që promovojnë antivlera dhe cili është roli i tyre?
Avdiu: Sot individët që merren me antivlera mund të sigurojnë një mirëqenie të konsiderueshme materiale. Ky është paradoksi i kohës sonë. Në vend se ata të penalizohen nga publiku, ata shpërblehen, motivohen dhe nxiten. Megjithatë siç theksova ky është problem i thellë dhe për t’u bërë një rokadë ose kthesë kopernikane, duhet ndryshuar mentaliteti i audiencës, publikut, opinionit – masës, e kjo nuk bëhet pa një arsimim të lartë. Çfarë mund të thuhet për absurdin kur në një koncert ku këndohet tallavaja shkojnë qindra e mijëra njerëz, ndërsa në një promovim libri shkojnë aq pak sa të pranishmit mund t’i numërosh me gishta?! Duket sikur turma e dëshiron me gjithë pasion atë që e ulë edhe më tepër dhe sikur me vetëdëshirë shket drejt humnerës. Një gjë është shumë e sigurtë dhe për këtë nuk ka kurrfarë dileme: se kultivuesit e ativlerave, do të mbeten përgjithnjë të parëndësishëm, të pavlefshëm dhe të papeshë. Ata mund të ngrisin pallate me paratë që fitojnë, mund të çojnë jetë luksi dhe mund të bëhen edhe biznesmenë, ama artistë që lënë gjurmë në lëminë e kulturës kurrën e kurrës.

Portalb: Cili është roli i mediave në këtë kontekst?
Avdiu: Fajin e pafalshëm në këtë mes po e mbajnë mbi supe disa medie, të cilat po promovojnë antivlera. Imagjinoni pozicionin e medies së sotme: që në kohën e digjitalizimit të informacionit dhe bumit të webit çirret për shtimin e like-ve përmes rrjeteve sociale! Ato të bombardojnë duke ofruar poza nga selfijet e belfijet e striptizereve të natës që s’kanë kurrfarë vlere, lëre më artistike, po as edhe morale e njerëzore, ndërsa hezitojnë të japin një shkrim me vlerë, nuk njoftojnë as për vdekjen e ndonjë shkrimtari a poeti dhe nuk japin pothuajse asgjë që ia vlen. Edhe ato sikurse këngëtarët e shundit e kiçit, duan të depërtojnë në sferën e tregut përmes banaliteteve e jo përmes gjërave të vlefshme, ose shkurt e shqip për to sot për sot më vlerë kanë lakuriqësitë e të pasmet e striptizereve sesa kokat (dhe veprat e) shkrimtarëve, shkencëtarëve, poetëve etj, sepse rëndësi kanë like-at. Fatkeqësisht ky është realiteti ynë, sindrom dominues nga vuan e tërë kjo shoqëri e jona.

Portalb: Po ku mbetet vendi i gjërave me vlerë në këtë mes?
Avdiu: Me një shembull të thjeshtë dua t’ua ilustrojë këtë: Shikoni bie fjala sa like në profilin e tij në facebook ka shkencëtari-nobelist shqiptar Ferid Murati, emri i të cilit na dha nder dhe na bëri të njohur edhe më shumë në botë -3106-, kurse striptizerja e lokaleve të natës Donjeta Kosumi e njohur si Kallashi ka -73.306-. Mjafton ajo që në profilin e saj, e të tjerat si ajo, të postojnë ndonjë fotografi gjysmëlakuriq të bërë në banjo dhe kjo menjëherë sa çel e mshel sytë të bëhet lajm që qarkullon tërë ditën nëpër të gjitha portalet. Nga ana tjetër zbulimet shkencore, publikimet me vlerë të lartë artistike dhe punimet profesionale injorohen me arrogancë nga mediet tona. Kjo është pasqyra e shoqërisë sonë dhe çdo koment është i tepërt. Në një shoqëri të tillë ku për kultivimin e antivlerave janë përfshirë një armatë e tërë njerëzish, ku investohet së tepërmi në gjëra të mbrapshta, ku vlerat e mirëfillta përhumbin në një mjegullnajë të pafundme dhe ku politika luan lojën e fëlliqur korruptive, zor se mund të parashihet një e ardhme e qartë e këtij populli.

Portalb: Megjithëkëtë, a shihni ndonjë rrugëdalje nga kjo gjendje?
Avdiu: Një dritë shprese në këtë tunel të errët mund të jenë vetëm intelektualët e vërtetë dhe angazhimi i tyre më i madh, ngritja më e lartë e zërit të tyre dhe përpjekja që duhet të bëjnë ata për të vetëdijësuar e ndërgjegjësuar popullin për pasojet e mundshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button