Drejtuesit e KM ,,Liria” uruan rektorin e USHT-s Vullnet Ametin

Drejtuesit e Klubit të Mundjes “Liria”, nga Shkupi, të cilët njëherit janë edhe në pozita të larta drejtuese në Federatën e Mundjes së Maqedonisë, sot qëndruan në USHT, ku u takuan edhe me rektorin, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Qëllimi i këtij takimi ishte urimi për Prof. Dr. Vullnet Ametin, me rastin e zgjedhjes së tij Rektor i USHT-së. 

Në delegacionin e K.M. “Liria”, i cili udhëhiqej nga z. Betim Vranezi, kryetar i këtij klubi dhe njëherit nënkryetar i Federatës së Mundjes të Maqedonisë, merrnin pjesë edhe z. Amet Ademi, nënkryetar i KM “Liria”, Lulzim Vranezi, trajner i KM “Liria” dhe njëkohësisht seleksionues i reprezentacionit të Maqedonisë në kategorinë e seniorëve, Sedat Baftiu, selektor për kadetë dhe Sufjan Ismaili, trajner i KM “Liria” dhe pjesë e stafit të trajnerëve në Federatën e Mundjes të Maqedonisë. 

Udhëheqësi i delegacionit të KM “Liria”, z. Betim Vranezi, theksoi se qëllimi i vizitës së sotme është kryesisht që të urojnë Rektorin, Prof. Dr. Vullnet Ameti si ish sportist, aq më tepër mundës, për zgjedhjen e tij Rektor të USHT-së, duke ofruar me këtë rast edhe bashkëpunimin e parezervë të KM “Liria”, por edhe të Federatës së Mundjes së Maqedonisë me USHT-në, pasi siç tha ai, jo vetëm KM “Liria”, por edhe shumë klube të tjera sportive, por jo vetëm të tillët i kanë borxh këtij Universiteti. 

“Të tre pjesëtarët e delegacionit që janë edhe pjesë e stafit të trajnerëve, Lulzim Vranezi, ish kampion i shumëfishtë shtetëror, Sedat Baftiu dhe Sufjan Ismaili, përpos si sportistë mjaft të dalluar, kanë qenë edhe studentë të USHT-së, respektivisht Fakultetit të Kulturës Fizike. Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, pasi i falënderoi mysafirët për urimet, theksoi se USHT gjithmonë ka qenë e hapur për sportistët dhe veçanërisht për kampionët. Ai, me këtë rast përmendi edhe faktin se në korridoret e Fakultetit të Kulturës Fizike, qëndrojnë fotografitë e të gjithë kampionëve, ish-studentë të USHT-së, në mesin e të cilëve qëndron edhe fotografia e kampionit të shumëfisht të Maqedonisë dhe “Gongut të artë”, Lulzim Vranezi.

Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, po ashtu u shpreh pozitivisht për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit me klubet sportive, por edhe me federatat e ndryshme, siç është edhe Federata e Mundjes e Maqedonisë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button