Tetova po shndërrohet vend i kumarit!

Viteve të fundit numri i kazinove në Tetovë shkon duke u shtuar. Kudo që të kthesh kokën në qendër do të shohësh reklamat e mëdha të tyre, vetëm rrethi i ngushtë i qendrës numëron katër kazino. Gjenden kudo, në afërsi të shkollave fillore, fushave sportive, universiteteve, xhamive, në Tetovë numërojmë dhjetëra kazino.

Në parim, lojërat e fatit në Maqedoni janë të lejuara dhe si të tilla rregullohen me ligj të veçantë, sipas Nenit 17 të të cilit licencë për organizim të lojërave të tilla jep Qeveria. Kështu, në bazë të një hulumtimi të SCOOP, “Maqedonia tregoi se nga kazinoja e njohur austriake Novomatik AG e deri te Princez Grupi nga Turqia, ato janë gjithnjë e më shumë prezentë nëpër të gjitha qytetet e Maqedonisë. Prej vitit 2009 deri në vitin 2015 në Maqedoni nga ana e Ministrisë së Financave janë licencuar gjashtë kazino me 16 filiale dhe madje 59 sallone me aparate për poker”.

kazino 2Hapja e kazinove në vendin tonë është një dukuri mjaft shqetësuese për mbarë shoqërinë, thonë psikologët për Portalb.

“E parë si një akt patologjik që nxit bixhozin apo lojërat e fatit si që njihen më gjerësisht, mund të themi që shtimi i numrit të këtyre objekteve kërcënon më së shumti të rinjtë e vendit tonë. Ata në pamundësi të gjetjes së perspektivave ekonomike në punësime motivohen për të kërkuar para dhe në momentin që kjo dukuri bëhet varshmëri këta persona veç se kanë kaluar në një fazë të devijimit social e cila nxit edhe probleme tjera sociale sidomos me familjen dhe rrethin social.” shprehet profesoresha e sociologjisë Ardita Abduli.

Sipas saj, Tetova është qytet i bukur, me shumë kulturë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të shndërrohet në një Las Vegas.

“Kazinot sjellin dëme psikologjike si dhe materiale. Vendi ynë duhet të ofrojë kushte që rinia apo dhe kushdoqoftë të orientohet drejt sportit, shkencës apo artit” thotë Abduli.

Portalb kërkoi prononcim nga Komuna e Tetovës për këtë çështje, por pas një pritjeje thuajse një mujore Komuna nuk e sheh të arsyeshme të jep qëndrimin e saj.

Nga ana tjetër, të anketuar nga Portalb, qytetarët shprehen të shqetësuar për numrin kaq të madh të kazinove në Tetovë.

kazino 1“Çfarë të them, edhe këta na mungonin, në gjithë këtë varfëri dhe pa-perspektivë!” thotë Xhemadije Hasani.

“Duhet të gjithë të mblidhemi si prind dhe t’i largojmë nga qendra, na kanë zënë frymën mu këtu në qendër, kam fëmijë në shkollë!” thotë Avdi Luma.

Shikuar nga aspekti fetar, përhapja e kazinove dhe bastoreve si dhe lojërave tjera të fatit, është përhapje e një dukurie që në fjalorin fetar quhen haram-gjë e ndaluar, ngase të gjitha këto janë forma bixhozi, ndërkaq bixhozi me të gjithë format e veta është i ndaluar në fe, shprehet për Portalb, hoxhë Dr.Bashkim Aliu.

“Përhapja e një dukurie të tillë flet për probleme serioze në kuptimin e drejtë të fesë, besimin e sinqertë dhe zbatimin e denjë të obligimeve fetare. Nuk themi se nuk ka informatë se bixhozi, përfshi këtu edhe kazinot dhe format e tjera të bixhozi, është i ndaluar fetarisht, por mungon bindja e fortë në distancimin nga harami dhe pasojat që sjell për njeriun dhe shoqërinë përhapja e një harami-veprimi të ndaluar.” shprehet Aliu.

Nga një prononcim i Ministrisë së Financave për OGH SCOOP thuhet se kazinot dhe aparatet për poker janë tatimpagues si të gjitha subjektet e tjera në treg.

LEXO:  Kumanovarët: Të ndërmerren masa për të kufizuar kumarin!

LEXO: Shkupi vërshohet nga kazinot, reagojnë banorët!

LEXO: Dokumentacioni për të gjitha kompanitë janë të bashkangjitura në linqet e emrave të tyre

Afërdita Abdiu

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Thirje Komunes se Tetoves te ua 10 fishoje tatimin ketyre bizneseve te flliqura duke filluar nga Bastoret e kazinot e te perfundoje me bizneset qe shesin alkool!
    Ne jemi musliman dhe keto jane te ndalura, kur kycemi ne keto na iken besimi nga zemrat tona dhe thuajse ngelim pabesimtare!
    Zoti na udhezoft e na dhashte kuptim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button