Maqedoni, brenda 24 orëve mbi 2000 vërtetime për shtetas të huaj

Në 24 orët e fundit në Maqedoni janë lëshuar vërtetime për gjithsej 2 mijë e 55 shtetas të huaj, prej të cilëve, 1.138 janë të gjinisë mashkullore, 301 të gjinisë femërore, 483 fëmijë të shoqëruar nga familjarët dhe 133 fëmijë të cilët udhëtojnë pa prindër, njofton RTVM.

Numri më i madh i tyre janë shtetas të  Sirisë  1.115, të Afganistanit 618, Irakut 175 dhe shtete të tjera. Ndërsa në periudhën prej 19 qershorit e deri më 11 tetorë në maqedoni kanë hyrë gjithsej 132 mijë e 782 shtetasve të huaj, 94 mijë e 413, prej të cilëve nga Siria  20 mijë e 235 nga Afganistani, 8.669 nga Iraku, 3.274 nga Pakistani, 1.296 palestinez, por edhe 1.190 iranian si dhe emigrant nga Somalia , Bangladeshit , Kongos, Nigeria, Kameruni, Eritrea, Etiopia, Sudani dhe vende të tjera.

Por deri më tani azil në Maqedoni kanë kërkuar vetëm 68 persona, pasi shumica e emigrantëve kanë për synim arritjen në vendet e zhvilluara të BE-së, e kryesisht Gjermaninë.

Emigrantët në Gjermani, brenda vitit priten mbi 1 milion

Ndërkohë Zëvendëskancelari gjerman, Sigmar Gabriel ka deklaruar se mbi një milion refugjatë do të vijnë në Gjermani këtë vit. Gabriel ka thënë se është e rëndësishme që të krijohen kushtet e duhura për të përballuar sfidën.

Autoritetet gjermane po përballen me afërisht 10 mijë azilkërkues të rinj çdo ditë. Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se gjysma e gjermanëve besojnë se kancelarja Angela Merkel po trajton keq krizën me refugjatë. Poashtu Komisioneri europian për Emigracionin, Dhimitris Avramopoulos, i shoqëruar nga Jean Asselborn, ministri i Jashtëm i Luksemburgut, që ka presidencën e BE-së, në një vizitë në Athinë dhe në ishullin Lesvos, i kanë parashtruar Greqisë kërkesën e Brukselit për përshpejtimin e procedurave të hapjes dhe funksionimit të të ashtuquajturave “hotspots”, pikave të regjistrimit të të gjithë refugjatëve që hyjnë në vend dhe të shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil.

Hotspot-i i parë do të funksionojë brenda një jave në ishullin Lesvos, që pranon çdo ditë më shumë se 2000 refugjatë dhe katër të tjerat në ishujt Kos, Hios, Leros dhe Samos.

Ndërsa ministri grek i Emigracionit ka deklaruar se duhet të rritet bashkëpunimi me Turqinë, por edhe me vendet e tjera si Jordania dhe Libani, në mënyrë që refugjatët të mos rrezikojnë jetët e tyre duke u bërë pre e trafikantëve, por të fluturojnë direkt në vendet e BE-së.

Kjo duhet bërë, ka thënë ai, jo duke i bërë presion Turqisë, që në fakt po e mbron Europën duke strehuar 2 milionë refugjatë, por duke e stimuluar Ankaranë.

Numri i refugjatëve që arrijnë në Greqi ditët e fundit ka shkuar në 7000 në ditë, nga 4500 në fund të shtatorit, për shkak të frikës së përkeqësimit të motit.

Lajme të ngjashme

Back to top button