ANALIZË: Për pensionet 36 milionë euro shtesë – prej ku para?

Për pagesën e rregullt të pensioneve, vitin e ardhshëm qeveria, Fondit për sigurim pensional, do t’i transferojë mbi 423 milionë euro nga buxheti shtetëror. Kjo shumë paraqet madje 43% nga buxheti i përgjithshëm i FSPIM-it. Varësia e fondit shtetëror pensional nga buxheti bëhet gjithnjë e më e madhe, ndërsa nga ana tjetër, qeveria paralajmëroi rritje të re të pensioneve, që nënkupton edhe 36 milionë euro të tjera, para buxhetore për pagesën e pensionistëve, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Varësia e FSPIM-it nga buxheti rritet...

Sipas të dhënave, në fund të muajit gusht në vend ka pasur 296.016 shfrytëzues të pensionit. Të dhënat e fundit nga Enti shtetëror statistikor tregojnë se në sektorin privat ka 541.351 të punësuar. Raporti i këtyre dy numrave tregon se në 1,8 të punësuar në sektorin privat ka nga një pensionist. Treguesit e këtillë, sipas ekonomistëve janë alarmi i parë kur analizohet qëndrueshmëria e ardhshme e Fondit për sigurim pensional.

“Nëse merret parasysh fakti se pjesëmarrja e të hyrave nga kontributet në mbulimin e shpenzimeve të FSPIM-it është rreth 61,5%, atëherë është shumë e qartë se mungesa e mjeteve të fondit mbulohet me transfere plotësuese nga buxheti. Kjo do të thotë se implikacionet fiskale nga rritja e fundit lineare e pensioneve mbi buxhetin janë 36 milionë euro. Në qoftë se ruhet niveli aktual i ngarkesës fiskale (presionit fiskal), implikacionet negative nga rritja e shpenzimeve të FSPIM-it, do të reflektohen mbi rritjen  e deficitit buxhetor, e me këtë edhe mbi rritjen e nivelit të borxhit publik” – thotë për Portalb, profesori universitar, Sami Bislimi.

Para rreth njëzet vitesh raporti ndërmjet të të punësuarve dhe pensionistëve ka qenë tre me një. Shkaku për këtë trend negativ, sipas ekonomistëve, qëndron në rezultatet e dobëta ekonomike, që reflektohen me realizimin e ngadalshëm të punësimeve të reja, ndërsa nga ana tjetër këtu është edhe rritja e ngarkesës mbi FSPIM-in, që mbulohet me mjete buxhetore. Edhe me buxhetin e ri për vitin 2016, këto transfere shënojnë rritje, duke pasur parasysh se është paralajmëruar rritje e re e pensioneve.

“Gjatë vitit 2016, 48.662 milionë denarë janë dedikuar për pagesën e pensioneve dhe në to është paraparë rritja e pensioneve mesatarisht për 5% duke filluar nga pensioni i shtatorit që do të paguhet në tetor të vitit 2016” – thuhet në propozim-buxhetin për vitin 2016.

Kjo do të thotë se në vitin e ardhshëm, qeveria, FSPIM-it do t’i transferojë 423,4 milionë euro që të mund të sigurojë pagesë të rregullt të pensioneve. Në krahasim me këtë vit, kur transferi buxhetor është 387,6 milionë euro, në vitin 2016 shuma rritet për 36 milionë euro. Vitin e ardhshëm, buxheti i planifikuar i FSPIM-it është 982 milionë euro, dhe madje 43% e tij mbështetet në transferet buxhetore.

”Buxheti i FSPIM-it nuk është në gjendje që nga burimet e veta të rregullta të sigurojë mjete për pagesën e pensioneve. Burimi i vetëm që i mbetet është buxheti i shtetit. Mirëpo, edhe ai është në deficit të madh. Prej viti në vit rriten dotacionet nga buxheti. Për dhjetë vite jo të plota ato janë dyfishuar dhe prej 20% arritën në 41%. Situata e tanishme është më e keq se e “djeshmja”, ndësa nesër do të jetë më keq se sot. Kjo vetëm tregon se gjendja financiare varet nga buxheti i shtetit dhe kjo nuk çon drejt stabilizimit të FSPIM-it. Nevojitet analizë gjithëpërfshirëse e gjendjes me planifikime reale se në ç’drejtim duhe të shkojë fondi në të ardhmen dhe duhet përmbajtur atij plani. Duke pasur parasysh se FSPIM-i bazohet në parimin e solidaritetit, sjellja e organeve kompetente ndaj funksionimit të FSPIM-it tregon papërgjegjësi të tyre të skajshme ndaj gjeneratave të ardhshme”, deklaroi paradokohësh për “Portalb”-in, Sllobodan Najdovski.

Qeveria këtë muaj në mënyrë lineare i rriti pensionet për 10 euro. Ministri për financa, Zoran Stavreski, deklaroi se me këtë veprim është realizuar njëri nga premtimet më të mëdha ndaj qytetarëve.

“Siç premtuam, në mënyrë lineare çdo pensionist në Republikën e Maqedonisë fitoi rritje të pensionit prej 621 denarësh dhe në këtë mënyrë ndihmojmë që të përmirësohet standardi jetësor i pensionistëve në vend. Rritje të pensioneve kishte edhe vitin e kaluar dhe vitin para tij, e poashtu do të ketë edhe vitin e ardhshëm. Në buxhetin për vitin 2016 është parapaqë rritje e re e pensioneve për 650 denarë, të cilën do ta fitojnë në muajin tetor. Përveç kësaj, edhe me masat e tjera i mbështesim pensionistët në drejtim të përmirësimit të kushteve për jetesë për mbi 300 mijë persona”, deklaroi ministri Stavreski.

Në ndërkohë qeveria krijoi mundësi ligjore nëpërmjet të së cilës rreth 20.000 qytetarëve iu dha mundësia që ta blejnë stazhin. Poashtu, qeveria miratoi ndryshime në Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor, sipas të cilave, disa qindra bujq individualë do të mund të fitojnë pension në bazë të moshës.

Të gjitha këto politika, në mungesë të rritjeve të konsiderueshme ekonomike, të cilat do të sillnin punësime të reja, gjegjësisht punëtorë të rinj të siguruar, edhe më tepër e thellojnë jolikuiditetin e FPSIM-it, thonë ekonomistët

“Është shumë normale të pritet se çdo rritje e nivelit të pensioneve ndikon jo vetëm mbi gjendjen e FSPIM-it, por edhe mbi gjendjen e buxhetit, për shkak se pjesëmarrja e të ashtuquajturave transfere nga buxheti në dobi të FSPIM-it është relativisht e lartë, gjegjësisht rreth 31,5% për një periudhë prej gjysmë viti. Edhe pse shuma e pensionit të paguar mesatar në vend, në muajin qershor, është e njëjtë me atë që është paguar në muajin e njëjtë të vitit të kaluar, gjegjësisht 12.462 denarë, rritja e shpenzimeve të FSPIM-t është si pasojë e rritjes së numrit të pensionistëve në periudhën e njëjtë krahasuese, për 1,7%. Përndryshe, rritja lineare e pensioneve për pak më shumë se 10 euro në muaj do të thotë shpenzim të shtuar mujor për fondin prej përafërsisht 3 milionë eurosh në muaj, gjegjësisht rreth 36 milionë euro në vit”, thotë për Portalb profesori Bislimi.

Përkeqësimi i gjendjes financiare në fondin pensional u regjistrua fillimisht pas zbatimit të reformës pensionale dhe formimit të sistemeve private pensionale, e pastaj edhe me rritjen e vazhdueshme të lartësisë së pensioneve në gjendje kur arka e fondit ballafaqohet me probleme të likuiditetit. Një pjesë e tyre u konstatuan edhe nga ana e Revizorit shtetëror. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button