Bushati: Shqipëria ka përgatitur një plan emergjence për krizën e refugjatëve

Në kuadër të përpjekjeve për t’iu përgjigjur krizës së refugjatëve, Shqipëria ka përgatitur një plan emergjence duke vlerësuar kapacitetet ekzistuese si dhe nevojat në rast se preket nga ky fenomen. Kjo është bërë e ditur nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në Ministerialin e posaçëm të BE-së kushtuar krizës së refugjatëve, i cili u zhvillua në Luksemburg, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka bërë të ditur se Bushati, dhe Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Elona Gjebrea, morën pjesë në Ministerialin e posaçëm të BE-së kushtuar krizës së refugjatëve. Në këtë takim morën pjesë ministrat e jashtëm dhe të brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, të Ballkanit Perëndimor, Turqisë, Libanit, Jordanisë, si dhe Zvicrës, Norvegjisë, Lihtenshtajnit dhe Islandës.

Gjatë fjalës së tij, ministri Bushati u shpreh se: “Kjo është një krize që ka në vetvete kriza të ndërlidhura, një krizë humanitare në det dhe në tokë që mbart me vete dhe rreziqe për çështje të sigurisë, si dhe një krize financiare me të cilën duhet të përballen vendet e prekura nga vala e refugjatëve. Kjo ndërthurje krizash sfidon aftësitë reaguese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si vende transiti, por pavarësisht dyndjeve në kufijtë e tyre, vendet e rajonit kanë dëshmuar gjatë kësaj krize se i kanë qëndruar me besnikëri vlerave evropiane”.

Më tej Ministri Bushati u shpreh se: “në kuadër të përpjekjeve kolektive për t’iu përgjigjur krizës së refugjatëve, Shqipëria ka përgatitur një plan emergjence duke vlerësuar kapacitetet ekzistuese si dhe nevojat në rast se prekemi nga ky fenomen”.

Duke rikujtuar eksodin kosovar, kur Shqipëria hapi dyert për qindra mijëra refugjatë nga Kosova, ministri Bushati, në fjalën e tij, theksoi nevojën për të trajtuar dhe për të adresuar bashkërisht krizën e krijuar nga flukset e emigrantëve që kërkojnë të arrijnë në BE përmes Ballkanit Perëndimor. Në situata të tilla, tha ai, ndjenja e solidaritetit duhet të mbizotërojë.

Në fund të takimit, ministrat miratuan me unanimitet deklaratën që përcjell vullnetin e përbashkët të vendeve të BE-së, Ballkanit Perëndimor, Turqisë, Libanit dhe Jordanisë për përballimin e sfidave të përbashkëta të krizës emigratore si partnere, duke iu përgjigjur me solidaritet nevojës për një bashkëpunim konkret dhe kthimin e përgjegjësisë kolektive në veprime kolektive.

“Respektimi  i detyrimeve ndërkombëtare dhe i të drejtave të njeriut në dhënien e ndihmës dhe mbrojtjes ndërkombëtare për refugjatët, forcimi i sigurisë nëpërmjet menaxhimit efikas të kufijve dhe lufta kundër krimit të organizuar si dhe mbështetja e komuniteteve pritëse dhe vendeve të tranzitit përbëjnë shtyllat kryesore te bashkëpunimit të dakordësuara ne këtë deklaratë”-thuhet në deklaratën zyrtare nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button