Thaçi: Kosova e gatshme të pranojë rreth 500 refugjatë

Zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Nivelit të Lartë për Mesdheun Lindor dhe Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Luksemburg, ka deklaruar se Kosova është e gatshme të pranojë rreth 500 refugjatë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mesin e pjesëmarrësve të konferencës e cila udhëhiqej nga Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ishin edhe komisioneri i BE-së për Negociatat e Zgjerimit dhe Fqinjësinë, Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, ministrat e jashtëm dhe ministrat e brendshëm të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, të vendeve anëtare të zonës Schengen (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia, Zvicra), nga Jordania, Libani dhe Turqia, nga Ballkani Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova), thuhet në njoftimin e MPJ-së së Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Parë Thaçi, gjatë fjalimit të tij theksoi se, kosovarët e dinë fare mirë se çfarë do të thotë të jesh refugjat dhe rëndësinë e solidaritetit, kujdesit dhe zgjidhjes së krizës së refugjatëve. Ai rikujtoi se, mikpritja evropiane shpëtoi qytetarët e Kosovës dhe se për këtë, kosovarët do të jenë gjithmonë mirënjohës.

“Sot, Evropa po përballet me një valë të re refugjatësh. Ne duhet të veprojmë se bashku dhe të përgjigjemi duke dëshmuar edhe një herë solidaritet dhe kujdes, por edhe të kërkojmë zgjidhje për konfliktet që po prodhojnë mijëra refugjatë. Edhe Kosova ishte vend origjine i refugjatëve, por jo më.

Ne u përballëm me një valë të migrimit në fillim të këtij viti, por ishim të suksesshëm në ndalimin e saj. Një fushatë informimi nga Qeveria bëri që qytetarët të kuptojnë se kosovarët nuk do të pranohen si emigrantë në Evropë. Paralelisht, mekanizmat e zbatimit të ligjit arrestuan trafikantë të qenieve njerëzore” tha Thaçi gjatë adresimit të tij në konferencë.

Ai shtoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë po jep rezultate evidente dhe se, si rezultat i këtyre masave, fluksi i refugjatëve nga Kosova ka rënë në mënyrë drastike që nga marsi deri më tani, Kosova po kalon nëpër procesin e kthimit të qytetarëve të vet. Këtë fakt, Thaçi e mbështeti me statistikat e dala nga EUROSTAT, sipas të cilave, në Kosovë deri tani janë kthyer më shumë se 15 mijë qytetarë.

Lidhur me valën aktuale të refugjatëve që nga Lindja e Mesme po vijnë në Evropë, zëvendëskryeministri deklaroi se ajo nuk po kalon përmes Kosovës.

“Ne e dimë se rrugët ndryshojnë dhe ne po i ndjekim gjërat nga afër dhe po përgatitemi për çfarëdo zhvillimesh. Kosova dëshiron të jetë pjesë e projekteve për t’u marrë me këtë sfidë të re. Kjo është arsyeja pse kemi shprehur gatishmërinë për të marrë rreth 500 refugjatë nëse është e nevojshme” tha Thaçi duke shtuar se kjo është përpjekje e Kosovës për të kontribuar në sigurinë evropiane dhe për të bashkëpunuar ngushtë me shtetet e rajonit, të Evropës dhe më gjerë.

Në këtë kontekst, ai potencoi se është e domosdoshme që Kosova të jetë anëtare dhe të bashkëpunojë me organizatat ndërkombëtare të sigurisë si INTERPOL-i dhe EUROPOL-i.

“Pa këtë anëtarësim dhe bashkëpunim, shkëmbimi i informatave do të jetë i ngadalshëm dhe i mangët. Ky bashkëpunim dhe shkëmbim i informatave është veçanërisht i rëndësishëm në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. Kosova është pjesëtare aktive e Koalicionit Global në luftën kundër ISIL-it. Javën që shkoi ne morëm pjesë në samitin e kryesuar nga Presidenti Obama, në Kombet e Bashkuara, për të diskutuar mënyrat për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm” u shpreh Thaçi duke treguar kështu se, Kosova po merr rolin e saj si pjesëtare aktive e bashkësisë ndërkombëtare.

Shih për këtë, shefi i diplomacisë kosovare insistoi që Bashkësia ndërkombëtare të pranojë Kosovën si anëtare aktive të saj dhe Bashkimi Evropian ta mbështes heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, duke u bazuar në përmbushjen e kritereve.

Në fund të punimeve të Konferencës së Nivelit të Lartë për Mesdheun Lindor dhe Ballkanin Perëndimor, në Luksemburg, si përfundim nga diskutimet e përgjithshme doli premtimi që,  Zyrës së Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) t’i akordohet ndihma financiare për refugjatë, në vlerë prej 1 miliard euro.

Lajme të ngjashme

Back to top button