BE shpejton t’i kthejë refugjatët në vendet e tyre

Krerët e Bashkimit Evropian të cilët u takuan në Luksemburg, morën vendim që të ndihmohen vendet të cilat janë të prekura si pasojë e krizës së refugjatëve si dhe të përshpejtohet procesi i kthimit të refugjatëve në vendet e tyre, të cilët nuk janë në rrezik jete, ndërsa janë pjesë e migrimit për në vendet e BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Konstatimi nga takimi ishte se “duhet të rrisin normën e kthimit të refugjatëve, me qëllim të parandalimit të migracionit të paligjshëm”.

Krerët e 28 vendeve të BE-së vendosën se duhet të përshpejtohet procesi deportimit të personave të cilët nuk kanë të drejtë azili, si dhe personat të cilët ilegalisht vijnë në ndonjë vend të caktuar duhet të mbahen në paraburgim.

Po ashtu, u njoftua se ky vendim nuk ka të bëjë për refugjatët të cilët gjenden në rrezik jete, dhe se do të vazhdohet me ndihmën ndaj tyre.

Përveç kësaj, ky vendim do të duhet të lirojë nga barra BE-në e cila ndjehet nën presion të krizës së refugjatëve. Udhëheqësit i bënë thirrje banorëve që edhe më tej në mënyrë humane të sillen ndaj refugjatëve që kërkojnë azil për shkak të gjendjes së luftës në shtetet prej ku vijnë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Francës, Bernard Cazeneuve konsideron se “nëse nuk ka politikë të kthimit, politika e azilit nuk do të ketë kuptimin e vet”.

Përveç kësaj, në takimin është biseduar edhe për atë që të rritet numri i pjesëtarëve të Frontex-it, i cili do të ketë për detyrë vendosjen e sigurisë në kufijtë e BE-së, por edhe të formojë në mënyrë afatgjate një ekip ndërkombëtar për refugjatët.

Sivjet në BE për arsye ekonomike dhe të sigurisë kanë hyrë më shumë se 550.000 persona. Megjithatë, më shumë se 40 për qind e këtyre personave janë kthyer sepse nuk kanë plotësuar kriteret e nevojshme

Lajme të ngjashme

Back to top button