​Thaçi: Kosova e gatshme t’i pranojë rreth pesëqind refugjatë

Zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ishte në mesin e liderëve evropianë që morën pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë për Mesdheun Lindor/Ballkanin Perëndimor në Luksemburg.

Aty, Thaçi shprehi gatishmërinë e Kosovës për të pritur rreth 500 refugjatë.

“Ne e dimë se rrugët ndryshojnë dhe ne po i ndjekim gjërat nga afër dhe po përgatitemi për çfarëdo zhvillimesh. Kosova dëshiron të jetë pjesë e projekteve për t’u marrë me këtë sfidë të re. Kjo është arsyeja pse kemi shprehur gatishmërinë për të marrë rreth pesëqind refugjatë nëse është e nevojshme”, ka thënë Thaçi.

Fjalimi i zëvendëskryeministrit Thaçi në Konferencën e Nivelit të Lartë për Mesdheun Lindor / Ballkanin Perëndimor.

I nderuar z. Kryetar,

Të nderuar ministra, kolegë të nderuar,

Fillimisht, më lejoni të falënderoj Përfaqësuesen e Lartë, zonjën Mogherini dhe Luksemburgun, kryesuesin e radhës të presidencës së Bashkimit Evropian, për këtë nismë që të takohemi dhe të diskutojmë këtu.

Si qytetar i Kosovës, ne e kujtojmë fare mirë se çfarë do të thotë të jesh refugjat, por edhe rëndësinë e gjetjes së solidaritetit, kujdesit dhe zgjidhjes ndaj krizës. Mikpritja evropiane shpëtoi kombin tim dhe për këtë ne do të jemi gjithmonë mirënjohës. Sot, Evropa po përballet me një valë të re refugjatësh.

Ne duhet të veprojmë se bashku dhe të përgjigjemi duke dëshmuar edhe një herë solidaritet dhe kujdes, por edhe të kërkojmë zgjidhje për konfliktet që po prodhojnë mijëra refugjatë.

Edhe Kosova ishte vend origjine i refugjatëve, por jo më. Ne u përballëm me një valë të migrimit në fillim të këtij viti, por ishim të suksesshëm në ndalimin saj.

Një fushatë informimi nga Qeveria bëri që qytetarët të kuptojnë se kosovarët nuk do të pranohen si emigrantë në Evropë. Paralelisht, mekanizmat e zbatimit të ligjit arrestuan trafikantë të qenieve njerëzore. Kosova po jep rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Si rezultat i këtyre masave, fluksi i refugjatëve nga Kosova ka rënë në mënyrë drastike që nga marsi. Ne tani po kalojmë në procesin e kthimit të këtyre qytetarëve të Kosovës. Sipas EUROSTAT-it, ne tashmë kemi kthyer më shumë se pesëmbëdhjetë mijë qytetarë. Vala aktuale e refugjatëve nga Lindja e Mesme nuk po kalon përmes Kosovës.

Ne e dimë se rrugët ndryshojnë dhe ne po i ndjekim gjërat nga afër dhe po përgatitemi për çfarëdo zhvillimesh. Kosova dëshiron të jetë pjesë e projekteve për t’u marrë me këtë sfidë të re. Kjo është arsyeja pse kemi shprehur gatishmërinë për të marrë rreth pesëqind refugjatë nëse është e nevojshme.

Si pjesë e përpjekjeve tona për të kontribuar në sigurinë në kontinentin tonë, po bashkëpunojmë ngushtë me shtetet e rajonit, Evropës dhe më gjerë. Por, Kosova duhet të jetë gjithashtu anëtare e organizatave të sigurisë, të tilla si INTERPOL, dhe të sigurojmë bashkëpunimin me EUROPOL-in.

Pa këtë anëtarësim dhe bashkëpunim, shkëmbimi i informatave do të jetë i ngadalshëm dhe i mangët. Ky bashkëpunim dhe shkëmbim i informatave është veçanërisht i rëndësishëm në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. Kosova është pjesëtare aktive e Koalicionit Global në luftën kundër ISIL-it.

Javën që shkoi ne morëm pjesë në samitin e kryesuar nga Presidenti Obama, në Kombet e Bashkuara, për të diskutuar mënyrat për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Kosova po merr rolin e saj si pjesëtare aktive e bashkësisë ndërkombëtare.

Bashkësia ndërkombëtare duhet gjithashtu të pranojë Kosovën si anëtare aktive të saj dhe Bashkimi Evropian duhet të na mbështes duke hequr regjimin e vizave, bazuar në përmbushjen e kritereve. Sot ne mirëpresim parimet kryesore dhe zbatimin e veprimeve të pasqyruara në Deklaratë.

Lajme të ngjashme

Back to top button