Moti i ftohtë nuk ndalon udhëtimin e refugjatëve për në Evropë

Koha e dimrit po afrohet, ndërsa fluksi i refugjatëve nuk ka të ndalur. Kalimi i refugjatëve në vendkalimin kufitar greko-maqedonas zhvillohet në mënyrë normale dhe pa pengesa, mirëpo nga Kryqi i Kuq njoftojnë se numri i refugjatëve të prekur nga gripi është në rritje dhe gjatë ditës kryhen më së paku 500 trajtime mjekësore, raporton Anadolu Agency (AA).

Slobodan Mitroviç nga Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë theksoi se për arsye të motit të ftohtë tek refugjatët është paraqitur gripi, ndërsa pret që ditëve të ardhshme pritet ky numër të rritet. Ai poashtu bëri të ditur se ditëve të fundit fluksi i refugjatëve ka filluar të rritet dhe gjatë ditës nëpër territorin e Maqedonisë kalojnë rreth 2 mijë refugjatë, ndërsa realizohen ndërhyrje më së paku në 500 raste.

“Në të ardhmen pritet numër më i madh i refugjatëve të prekur nga gripi. Ky problem më shumë paraqitet tek fëmijët të cilët i janë nënshtruar të ftohtit, sepse udhëtojnë ditë e natë. Ditëve të fundit koha është mjaftë e ftohtë”, tha Mitroviç.

Mitroviç shtoi se Kryqi i Kuq gjithmonë është prezent në qendrën e pritjes së refugjatëve dhe përpiqet që të plotësojë nevojat e refugjatëve, në raste të veçanta edhe duke i transportuar ata në spitalet e qytetit të Gjevgjelisë.

Ali Kamran, i cili para një muaji e gjysmë ka filluar udhëtimin e tij nga Afganistani, tha se ka shpenzuar një shumë të madhe të hollash dhe në disa raste tërë ditën e ka kaluar pa ngrënë ushqim. Ai kërkon nga Kombet e Bashkuara të ndihmojnë refugjatët për një jetë më të mirë në të ardhmen.

“Ne jemi ballafaquar me vështirësi të ndryshme në udhëtimin tonë. Ndonjëherë kemi qëndruar edhe pa ushqim, gjithashtu rreth dy ditë kemi qëndruar në male. Jam larguar nga vendi im për një të ardhme më të mirë“, tha Ali Kamran.

Në pritje të trenit për tu transportuar në veri të kufirit të Maqedonisë ishte edhe 21 vjeçarja nga Siria, Nadija Kuzan, e cila dëshiron të përfundojë udhëtimin e saj në Gjermani. Ajo ishte e befasuar nga prania e vogël e refugjatëve sirianë dhe nga numri i madh i atyre nga Afganistani, Irani dhe Iraku.

“Unë shoh një numër të madh të njerëzve nga Irani, Afganistani dhe Iraku, ndërsa sirianë jemi vetëm rreth 20 përqind dhe mendoj se kjo është e rrezikshme”, u shpreh ajo.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se 24 orët e fundit në territorin e Republikës së Maqedonisë kanë kaluar 2.032 shtetas të huaj, prej të cilëve 1.256 meshkuj, 281 femra dhe 401 fëmijë të shoqëruar nga prindërit, si dhe 94 të tjerë të cilët udhëtojnë pa prindër.

Lajme të ngjashme

Back to top button