Kush do të jetë presidenti i 45 i Amerikës?

Në nëntor të vitit të ardhshëm populli amerikan do të dalë në votime për të zgjedhur presidentin e dyzetepestë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithëse dita e zgjedhjeve është akoma tepër larg, specifikat e demokracisë amerikane bëjnë që kampanja zgjedhore të fillojë shumë më herët. Specifikisht, para se të vendosin se cilin do kandidojnë për president, partitë amerikane mbajnë zgjedhje brendapartiake, këtë vit të shtrira në periudhë pesëmujore nga shkurti deri në qershor 2016.

Kandidimet për zgjedhjet brendapartiake janë të hapura për këdo në të dyja partitë. Por këtë vit kandidatë sadokudo relevantë numëroheshin të jenë 17 në partinë republikane (dy prej tyre veçmë kanë ndërprerë garën) dhe 5 në atë demokrate. Megjithëse të gjithë këto kandidatë tanimë kanë krijuar ekipet e veta të fushatës, kanë mbledhur donacione dhe tanimë janë thellë në fushatë, si datë joformale e fillimit të fushatës mund të merret 6 gushti. Në këtë datë 10 kandidatët republikanë që kuotonin më lartë në anketat e fundit u përballën në debatin e parë të fushatës, të organizuar nga kanali Fox News e që u mbajt në qytetin Klivlend, Ohajo.

Me qëllim që t’u ofrojë lexuesve një mënyrë të lehtë për të ndjekur këtë fushatë dhe në këtë mënyrë të njihen më mirë me procesin paksa të komplikuar amerikan të zgjedhjes së presidentit, Portalb do të krijojë blog special për fushatën – Presidenti 45. Blogu do të përbëhet kryesisht nga postime të shkurtëra disa herë në javë. Portalb do të qëndrojë anash betejave ideologjike mes republikanëve dhe demokratëve dhe do të fokusohet në aspektin taktik të zhvillimit të fushatës, të mbështetur sa të jetë e mundur me analiza dhe të dhëna kuantitative (prezantim anketash, statistikash, gjendjeve finansiare të fushatave etj.).

Dhe saktësisht në të martën e parë të nëntorit të ardhshëm, bota do të njihet me presidentin e ri, të dyzetpestin me rradhë, amerikan.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button