Njihuni me kumanovarin, i cili dhuroi 75 herë gjak! (FOTO)

59 vjeçari, Ridvan Shabani nga Kumanova deri tani dhuroi 75 herë gjak. Me këtë gjest, që e ka praktikuar gjatë jetës dhe rrëfimet e tij për Portalb, bën të qartë se humaniteti nuk njeh moshë, gjini e as racë, nuk kufizohet nga kufijtë shtetëror e as nga përkatësitë e tjera të mundshme. Sipas tij, të ndihmosh dikë nuk është vetëm siguri se dikush do të të ndihmojë por është dhe gjesti që të bën të lumtur.

 “Rreth vitit 1975, unë isha ushtar në Beograd. Një shqiptar nga Kosova kishte bërë ndeshje dhe urgjentisht kërkohej gjak 0+. Vetëm gjaku im ishte 0+ dhe pavarësisht se isha vetëm 17 vjet e 8 muaj nuk kishte zgjidhje tjetër. Atëherë për së pari herë në jetë dhurova gjak. E derisa isha në ushtri dhurova edhe tre herë të tjera. Për këtë shkak dhe atributeve tjera komandanti kroat vendosi të më shpërblente: u ktheva nga ushtria në shtëpi 2 muaj më herët. Por pasi u bënë tre muaj nuk ndjehesha mirë. Rastësisht një bashkëqytetar më kërkoi gjak për nipin e tij. Unë pranova me dëshirën më të madhe. Biles më ofroi 100 marka, që në atë kohë vlenin shumë. ‘Unë nuk kam ardhur për para. Nuk kam marrë kurrë dhe nuk marrë. Ja do ta marrë një cigare ‘kaçak’ prej teje. Më shumë se kjo nuk pranoj.’i thash. Disa ditë më vonë erdhi e më tregoi se nipi 8 vjeçar i kishte shpëtuar…
Prej atëherë fillova të jap gjak  çdo tre muaj, 3 deri në 4 herë gjak në vit por e falenderoj Zotin deri tani nuk kam pasur asnjë sëmundje. Dikush mendon se nëse dhuron gjak do të dobësohet, ja unë për vete absolutisht nuk e kam fare problem, pasi dhuroj gjak vetëm një mollë e ha dhe e ndjej veten mirë, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Pasi dhurova 5 herë gjak Kryqi i Kuq më shpërbleu me një dhuratë simbolike, pikë gjaku të argjendtë. Kjo më bëri të ndjehem krenar për atë që kisha bërë. Pasi dhurova gjak 10 herë më shpërblyen me një pikë të gjakut, por tani të arit. Në shkurt të vitit 2005 më shpërblyen me një pllakatë, pasi kisha dhuruar 50 herë gjak. Në seminar kam qenë vetëm një herë: në Strugë, para dy vitesh. Ndërsa pres që në mars ta marrë edhe pllaketën për gjakdhënien për 75 herë.”-
sqaroi për Portalb Shabani.

Ridvan Shabani
Ridvan Shabani

I pyetur nëse ndjen përgjegjësi sa herë që të tjerët kanë nevojë ai tha: Ndjej përgjegjësi. Njeriu me çfarëdo që të mirret, çfarëdo pune që të punojë, duhet të ndjejë përgjegjësi. Përndryshe ajo gjë nuk ka vlerë… Nëse nuk jam në disponim të mirë kur dikush më kërkon gjak, menjëherë më qetësohet shpirti dhe pranoj pa u hamendur. Deri sot nuk më ka ndodhur që t’i them dikujt ‘Jo, nuk mundem’. Tani që kam dhuruar 75 herë mjekët ma kanë ndaluar më dhurimin e gjakut, por unë do të dhuroj sërish nëse dikush do të më kërkojë.”

Për Portalb ai tha bëri të ditur se ka dhuruar gjak në të gjitha qytetet e Maqedonisë, “ku ka pasur nevojë kam shkuar me harxhimet e mia.”-tha Shabani. Poashtu ka dhuruar gjak edhe në Zvicër, Gjermani, Austri, Slloveni… Shabani sqaron: “Kurrë nuk kam dashur ta njoh personin të cilit ia kam dhuruar gjakun. Sepse qoftë shqiptar, maqedonas, rom a kroat, ai është para së gjithash njeri… Kurrë nuk kam dashur që ai/ajo, që do ta pranonte gjakun tim të më njohë mua. Megjithatë pothuajse çdo herë ata më kanë falenderuar.”-theksoi Shabani, duke konfirmuar se njeh gjakdhurues të cilët për këtë gjë marrin para, “Por unë nuk e kam praktikuar këtë, sepse paratë nuk kanë vlerë sa gjaku. E gjaku nuk blihet me para. Nuk ka shancë që dikush ta paguajë gjakun. Këtë Zoti ia ka dhuruar njeriut dhe përveç trupit askush e asgjë nuk mund ta prodhojë.

Ai për Portalb rrëfeu edhe dy nga 75 rastet: “Në një aksident të tmerrshëm ishin lënduar rreth 20-30 njerëz që po udhëtonin me një autobus të Turqisë. Bashkëshortja e pranuesit të gjakut tim i kishte lexuar të dhënat e mia dhe i ishte dukur absurde që një shqiptar të dhuronte gjak për një serb. E kishte kërkuar adresën, që personalisht të më vizitonte e të më falenderohej. ‘Ne po shkonim për në Nish, por ja çfarë na ndodhi. Sa nuk më vdiq bashkëshorti’-më tha. I thash se unë nuk e shpëtova, se shpirti i takon Zotit. Ndoshta me dhurimin e gjakut isha pjesë e shpëtimit të tij, por kjo ndodhi sepse Zoti ka dashur të ndodhte. Më vonë më sollën një pikturë, si dhuratë nga Greqia. Ndërsa në vitin 2001 mu lajmëruan: ‘Menjëherë bëhuni gati. Transportin e keni të paguar. Ejani në shtëpinë tonë dhe mund të qëndroni sa të dëshironi’-më thanë, por pasi iu falenderova për zemërgjerësinë i tregova se si në paqe ashtu edhe në luftë do të qëndroj në vendin tim.”

Ndërsa rasti tjetër është më ndryshe: “Për nevojë personale apo për familjarët e mi kam të drejtë të marrë deri në 4 litër gjak nga spitali. Kështu një herë dëgjova se një bashkëqytetar kërkonte për të vëllanë 4 litër gjak dhe se për këtë do të dhuronte 20 000 marka. Unë ia sigurova gjakun falas dhe e porosita që t’i falenderonte mjekët e spitalit me ndonjë dhuratë modeste. Por ai jo vetëm që nuk iu dhuroi mjekëve asgjë, por as ‘Faleminderit’ nuk më tha.”

 “Nuk mundet secili të bëhet gjakdhënës. Së pari duhet ta ketë zemrën e gjërë. Por gjithmonë kam menduar se një ditë edhe unë mund të bëhem i varur nga gjaku i dikuj tjetër, prandaj nëse unë sot e ndihmoj dikë edhe mua do të më ndihmojë dikush nesër. Ndjehem shumë i lumtur kur dëgjoj se kanë shpëtuar ata, të cilët e kanë marrë gjakun tim!”-tha Shabani dhe këshilloi: “Secili më së paku 10 herë duhet të jap gjak. Nëse dikujt do t’i vijë rasti, kur mund të ndohmojë me gjakun e vetë, të mos ngurrojë duke u arsyetuar se është i dobët fizikisht! Edhe unë isha vetëm 68 kg kur dhurova në fillim, por kjo nuk ka asnjë problem. Iu lutem të rinjve që të japin gjak, sepse me dhënien e gjakut edhe veten e pastrojnë edhe dikë tjetër e shpëtojnë! Limfa e prodhon atë, nuk ka nevojë të shqetësoheni e të frikësoheni, se në rast se iu çrregullohet tensioni atëherë mjekët nuk ua marrin gjakun. Duhet t’i bëni dikujt mirë gjatë jetës, përndryshe nuk keni bërë asgjë!

Sipas Shabanit, aktualisht gjakdhurues shqiptar në rajon është edhe Burgim Mamuti nga Likova, i cili ka dhuruar gjak afër 70 herë.

Ridvan Shabani, i lindur më 02.11.1956 kishte punuar në vende të ndryshme pune, si: në fabrikën “Iskra”, në spital- repartin e vaksinimit, kurse që nga viti 2005 në shkollën e mesme ekonomike, ku si mjeshtër vazhdon të punojë edhe sot. “Secilën herë që kam dhuruar gjak më kanë takuar nga 3 ditë pushim, por asnjëherë nuk i kam shfrytëzuar, përveç në ushtri. Se kam ndier veten asnjëherë të dobët, nuk kam pasur nevojë të pushoj. Gjithmonë kam dashur vetëm të punoj.”-përfundoi ai./Portalb.mk

3

4

5

 

Lajme të ngjashme

Back to top button