Modeli zgjedhor: Listat e hapura rrisin kualitetin e përfaqësuesve politik

Me anë të Marrëveshjes së Përzhinos, partitë u besatuan se do të angazhohen për të larguar çdo pengesë të mundshme që mund të paraqitet në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të prillit 2016.

Njëra ndër temat që është pjesë e diskutimit në dialogun politik në mes të 4 partive më të mëdha në vend është edhe modeli zgjedhor. Dialogu po zhvillohet me dyer të mbyllura që nënkupton se qasje për debat rreth temave të diskutimit mes tyre nuk ka.

Analistët për Portalb theksojnë nevojën për lista të hapura dhe krijimin e një njësie zgjedhore. Ata thonë se debati i gjerë në lidhje me modelin zgjedhor është i domosdoshëm. Me qëllim rritjen e kualitetit të përfaqësuesve listat e hapura janë më të preferueshme, porosisin njohësit e çështjeve politike në vend

Për zgjedhje e prillit analisti Albert Musliu konsideron se tash nuk ka kohë- për hapje të debatit rreth modelit zgjedhor, por që debate duhet të nisë sepse nuk mbaron historia në prillin e vitit 2016, do të ketë zgjedhje edhe pas asaj.

“Sa i përket idesë time, së pari duhet të dimë se çfarë duam të arrijmë. Obligimi i shtetit është që t’ia mundësojë të votojë sa ma lehtë. Nëse rregullohet çështja e votimit të lehtë unë jam për një njësi ku do të votojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë por edhe në diasporë. Edhe politikanët tanë do të disiplinohen dhe do t’i ftojnë qytetarët të dalin në zgjedhje. Politikanët tanë duhet ta gjejnë metodën që të votohen nga qytetarët, sepse ne kemi rënie të numrit të votuesve prej vitit 1990. Në këtë mënyrë që shqiptarët të bëhen fuqi e dytë janë shumë të vogla. Megjithatë, modeli Badenterit i interesat, me shumicën e dyfisht. Politikanë tanë më shumë duhet të fokusohen në atë se si e formojnë Qeverinë, si e votojnë buxhetin, si bëhet shpërndarja, decentralizimi ku ka arritur, si është përfaqësimi se sa modeli zgjedhor”, u shpreh Musliu për Portalb.

Musliu vlerëson se duhet zgjedhjet duhet të jenë me lista të hapura.

“Kandidatët të mos na lavdërohen vetëm me fuqinë e partisë politike, por të shohim edhe rejtingun e tyre, atëherë do të rritet edhe kualiteti i përfaqësuesve”, tha Musliu.

Edhe profesori universitar Jove Kekenovski mendon se duhet debat, nuk mundet që ata që na e sollën krizën politike të bisedojnë larg syve të publikut.

“Duhet të kyçen ekspert që e njohin problematikën zgjedhore që i njohin sistemet politike. Nuk mundet, analfabetë ministra ose politikanë të flasin për këtë temë të rëndësishme. Do të bëhej mirë nëse kemi një njësi zgjedhore me lista të hapura. Ose të kthehet sistemi zgjedhor i vitit 1998 ku kishim përzierje të sistemit proporcional dhe sistemit të shumicës”, tha Kekenovski për Portalb, duke shtuar se Gruevskit askush nuk i pengon që në lista të vendos kandidatë nga diaspora, të ishte i sinqertë, do t’i vendoste 30 jo 3 dhe jo të luaj me ndjenjat e qytetarëve nga diaspora.

Debati-BESA dhe PPD: Shqiptarët kanë nevojë për një njësi zgjedhore me lista të hapura

PPD-ja dhe Lëvizja BESA së bashku me sektorin civil, ekspertë, publicistë, analistë dhe opinionistë të pavarur organizuan në debatin e organizuar për të diskutuar në lidhje me konceptin e e reformës zgjedhore, që është e aktualizuar në bazë të Marrëveshjes së Përzhinos kanë miratuar bashkërisht këtë qëndrim:

PPD-ja dhe Lëvizja BESA do të angazhohen vendosmërisht për modelin zgjedhor proporcional, ashtu që shteti do të jetë një njësi zgjedhore, por me lista të hapura zgjedhore dhe pa prag zgjedhor, kjo veçmas për arsye të përfaqësimit të bashkësive më të vogla etnike;
PPD dhe Lëvizja BESA po ashtu morën qëndrim që të jenë aktive në reformën tërësore të kodit zgjedhor, veçanërisht në përpliimin e listës zgjedhore dhe ristrukturimin e organeve zgjedhore, si në rrafshin lokal, por edhe në atë qendror.
Konkluzionet dhe pozicionet nga paneli i sotëm rreth tërësisë së reformave zgjedhore (duke përfshirë edhe mërgatën) do të përmblidhen në një material të sintetizuar dhe të argumentuar, të hartuar nga ekspertët e dy subjekteve përkatëse politike.

Materiali në fjalë do t’i dërgohet grupit punues për reforma zgjedhore dhe faktorit ndërkombëtar të përfshirë në bisedimet për gjetjen e modaliteteve më të mira në këtë temë, njofotojnë këta dy parti, njofton Portalb.mk.

Kërkesat për ndryshime në kodin zgjedhor nga ana e LR-PDSH dhe RDK

Koalicioni “Aleanca për shqiptarët” në përbërje të Lëvizjes për Reforma PDSH dhe Rilindjes Demokratike Kombëtare, në kuadër të bisedimeve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, parashtron kërkesat për ndryshime rrënjësore të Kodit Zgjedhor të Maqedonisë, duke marrë për bazë rritjen e nivelit të demokracisë përfaqësuese dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR-së për zgjedhjet në Maqedoni:

1) Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KQZ) duhet të ri-formatohet dhe të depolitizohet, duke zgjedhur përfaqësues apartiak në përbërjen e saj. Sa i përket legjitimimit të kandidatëve për anëtar të KQZ-së, kërkojmë që kjo të bëhet duke u votuar me konsenzus në Kuvend, nga të gjitha partitë parlamentare. Në këtë mënyrë do të sigurojmë që në të ardhmen KQZ mos të merr vendime bazuar në interesa partiake apo etnike.

2) Përpilimi i Listës së re Zgjedhore të jetë në kompetencë të KSHZ-së së ri-formatuar dhe asesi në kompetencë të Entit Shtetëror për Statistik (ESHS) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Arsyet për parashtrimin e kësaj kërkese qëndrojnë në atë se: ESHS karakterizohet me punë jo-transparente dhe manipulime. Gjithashtu ky institucion është i papërfaqësuar nga ana e bashkësive etnike jo-shumicë. Ndërsa institucioni tjetër, ai i MPB-së, nuk është aspak i besueshëm për të përpiluar apo mbikqyrur regjistrimin e listës së re të votuesve, përshkak të manipulimeve dhe keq-përdorimeve të shumta që ka bërë në të kaluarën.

3) Pas pastrimit të listave nga votuesit fiktiv, kërkojmë që në vend të gjashtë njësive zgjedhore, jo të barabartë deri më tani, vendi të shëndrohet në një njësi zgjedhore. Kjo do të kontribonte për demokratizimin e shoqërisë dhe partive politike dhe do të ishte shprehje më reale e koloritit politik dhe etnik që ka RM-ja. Në kuadër të kësaj, kërkojmë që votimi i kandidatëve për deputet të bëhet me lista të hapura, duke u paraparë edhe prag zgjedhor prej 3%. Me këtë do të rritej cilësia e kandidatëve që konkurojnë për deputetë, do të mundësohej që deputetët të jenë në shërbim të votuesit dhe do të evitonte qasjen poltroniste ndaj liderëve të tyre. Ky model zgjedhor do të siguronte përfaqësim më dinjitoz edhe për bashkësitë më të vogla etnike, të cilat nuk do të kenë nevojë që të ju bashkangjiten koalicioneve të mëdha duke u kushtëzuar dhe keqpërdorur nga ata.

Ndërsa sa i përket Njësive zgjedhore të Diasporës 7,8 dhe 9-të poashtu kërkojmë që ato të unifikohen në një njësi zgjedhore, në të cilën do të zgjidhen gjithsej 2 deputetë, njëri nga bashkësia etnike shqiptare, ndërsa tjetri nga bashkësia etnike maqedonase. Në këtë mënyrë dy bashkësitë etnike me numër më të madh të diasporës do të zgjedhnin përfaqësuesit e vet, në mënyrë korrekte dhe të drejtë.

5) Sa i përket periudhës së nevojshme për ri-regjistrim të votuesve, periudha e paraparë prej 3 muajsh është e pamjaftueshme për regjistrim të mirëfilltë, prandaj kërkojmë që ri-regjistrimi i votuesve të vazhdojë të bëhet në mënyrë aktive, duke evidentuar votuesit derë-më-derë, deri në një muaj përpara fillimit të fushatës zgjedhore.

6) Kërkojmë që Zgjedhja e Presidentit të Republikës të bëhet në Kuvend, me qëllim që kandidati i mundshëm për President të zgjidhet në frymën e konsenzusit mes bashkësive etnike, dhe ky funksion shtetëror në të ardhmen të ju takojë shqiptarëve. Në këtë mënyrë do të siguronim nivel më të lartë të demokracisë përfaqësuese dhe do të pasqyronim karakterin multi-etnik të shtetit.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button