Gold MC-një reper i guximshëm nga Ferizaji

I lindur në Gjilan e i rritur në Ferizaj, reperi 18 vjeç Gold MC ka arritur që të shquhet për tekstet e këngëve që mbase do na duken të guximshme për një reper të ri siç është ai. Kjo është intervista që Portalb e realizoi me të:

Portalb:Kush është Gold MC?
Gold MC: Gold MC është një reper që këndon për krejt shqiptarët duke trajtuar në tekstet e tij tema të cilat janë të nevojshme të trajtohen, përfshirë këtu temat sociale e patriotike.

Portalb:Si ju ka pritur publiku në fillimet e karrierës suaj?
Gold MC: Si çdo fillim edhe i imi ka qenë i rëndë por megjithatë kam pasur njerëz të cilët më kanë përkrahur fuqishëm prej fillimi dhe vazhdojnë të më përkrahin ende.

Portalb:A mendoni se tekstet e këngëve i keni më të guximshme se sa që duhet?
Gold MC: Atë që e shkruaj unë e ndjej dhe normal duhet të kesh guxim të thuash realitetin.

Portalb:I kritikon shumë edhe politikanët, çfarë ke kundër tyre?
Gold MC: Nuk kam kundër politikanëve asgjë por mendoj se Kosovën duhet ta udhëheqin njerëz të drejtë, kjo i mungon Kosovës dhe gjithçka që i mungon Kosovës e shqiptarëve në përgjithësi, më mungon edhe mua dhe kështu dalin tekstet e këngëve të mija ashtu siç i ndjej.

Portalb:Kënga jote e parë është “Lamtumirë” në bashkëpunim me Mentorin. A je ndikuar nga jeta personale për të shkruar tekstin e kësaj kënge?
Gold MC:Kjo këngë është kënga ime e parë, nuk ka të bëjë me jetën time personale, është një histori e imagjinuar që solli fatmirësisht këngën “Lamtumirë”.

Portalb:Para Muajit të Ramazanit keni publikuar ilahinë “Rruga e pendimit”, a është pritur mirë nga përkrahësit që janë mësuar të dëgjojnë nga Gold MC më shumë këngë patriotike?
Gold MC: Fatkeqësisht kjo ilahi nuk u realizua ashtu siç ishte planifikuar që të bëhet edhe me videoklip. Por megjithatë duke ditur se feja edhe kombi janë bashkë dhe nuk ndahen prej njëra tjetrës kam gjetur përkrahje nga fansat e mi.

Portalb:Ke kënduar në shumë vende, përfshirë këtu klube të ndryshme e koncerte? Cila eksperiencë të ka lënë më shumë përshtypje?
Gold MC: Kudo që këndoj ndjehem mirë por më ka pëlqyer shumë koncerti humanitar që u mbajt me 28 maj në Elbasan për të ndihmuar Kumanovën. Publiku më ka pritur shumë mirë dhe më kanë bërë që të ndjehem shkëlqyeshëm.

Portalb:A do të pëlqente të këndoje në Maqedoni?
Gold MC:Do më pëlqente të këndoj në Maqedoni e sidomos në Tetovë, në Shkup, në Kumanovë por edhe gjithkund tjetër ku ka shqiptarë.

Portalb: Cilët janë projektet tua të ardhshme?
Gold MC: Kam shumë projekte që mendoj dhe shpresoj t’i realizoj por do veçoja këngët që pritet të dalin për pak kohë, bëhet fjalë për këngët “Kuq e Zi”, “Më fal nënë”, “Gjithë jetën”, pastaj edhe një bashkëpunim me Mentorin-“Dashuri e vjetër”.

Portalb:Nëpër rrjetet sociale shpesh flitet se Gold MC do ketë një bashkëpunim me Gold Ag, a është e vërtetë kjo?
Gold MC: Njëherë jo e më vonë si dihet, megjithëse është një nga dëshirat më të mëdha.

Portalb:Gjithashtu flitet për një histori dashurie që sapo ka nisur. Çka mund të na thuash për këtë, a është Gold Mc i dashuruar?
Gold MC: Gold MC ka dashuri për gjithçka por nuk është i dashuruar e as nuk është në lidhje.

Portalb:Cili është mesazhi juaj për lexuesit tanë? 
Gold MC:
Falemnderit të gjithëve për përkrahjen, përfshirë këtu familjen time, shoqërinë dhe secilin që në çfarëdolloj mënyre më ndihmon që të arrijë qëllimet e mia.

Afërdita Abdiu

Lajme të ngjashme

Back to top button