Maqedoni, të definohet interesi publik nga interesi shtetëror

“Dekonstruimi i konceptit të interesit publik në Republikën e Maqedonisë: (keq) përdorimi në emër të qytetarëve”, është tema e konferencës së sotme e cila u mbajt në Shkup, në organizim të Institutit për Studime të Komunikimit në Shkup, në mbështetje të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Republikën e Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Konferenca u hap me fjalën hyrëse të ambasadorit britanik në Maqedoni, Charles Garrett, i cili duke folur për rëndësinë e interesit publik për të gjitha vendet, sidomos për Maqedoninë, tha se vendi po përballet me sfida të mëdha politike.

Sipas tij, me rëndësi është të nxirret në pah se çfarë nuk është interes publik. “Është me rëndësi të veçantë që ne sot po flasim për interesin publik, sepse tani Maqedonia ndodhet në kohën e situatave specifike në skenën politike, dhe e gjithë kjo është shumë e rëndësishme dhe në interes të publikut të Maqedonisë. Në mënyrë të veçantë, është e rëndësishme që së pari të definohet interesi publik, dhe ai në të vërtetë paraqet interesin e të gjithë qytetarëve”, tha ambasadori britanik Garett.

Ai vlerëson se elitat politike duhet të dëgjojnë organizatat qytetare, sepse ata janë zëri i publikut të gjerë, si dhe korrigjues i politikave publike që kanë të bëjnë me të gjithë qytetarët e një komuniteti.

Duke paraqitur raportin e bazuar në temën “Dekonstruimi i konceptit të interesit publik në Republikën e Maqedonisë: (keq) përdorimi në emër të qytetarëve”, Dragan Gocevski, profesor asistent në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Shkup, foli për shumë aspekte të interesit publik, duke theksuar se është e vështirë për të gjetur definicionin e saj përfundimtar.

“Interesi publik sot përfshin shumë aspekte të cilësisë së jetës njerëzore, duke filluar me të drejtat e njeriut, sigurinë njerëzore, rritjen ekonomike, lumturinë, prosperitetin, standardet e jetesës, mirëqenies, vlerave fetare dhe trashëgimisë kushtetuese. Megjithatë, është e vështirë për të gjetur një definicion të plotë dhe përfundimtar,” tha Gocevski, duke shtuar se është e nevojshme që çdo vend qytetarëve të saj t’u sigurojë të paktën një jetë dinjitoze.

“Interesi publik është vështirë për t’u definuar ndërsa lehtë për t’u njohur,” tha në fjalimin e tij ish-ministri i Financave dhe Guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Petar Goshev.

“Ne kemi problemin më të madh me keqpërdorimin e formës më të njohur të interesave publike”, tha Goshev.

Redaktori dhe gazetari me përvojë të gjatë në median e shkruar, Erol Rizaov thotë se në Maqedoni ende janë të ngatërruar termet “shtetërore” dhe interes “publik”.

“Në Maqedoni, interesi publik një kohë të gjatë nuk mund të dallohet çfarë është interes shtetërorë e çfarë interes publik. Ndryshimi i perceptimit të publikut se çfarë është interesi publik, faji është i mediave, sepse mediat janë ata të cilët duhet të thonë se çfarë është interesi publik “, ka thënë Rizaov.

Organizatorët në deklaratën e tyre tregojnë se qëllimi i konferencës dhe prezantimi i raportit do të ofrojë një pasqyrë të asaj se çfarë paraqet interesi publik, si term i përdorur në kontekste të ndryshme ligjore dhe etike, për të identifikuar aktorët kryesorë që mbrojnë interesin publik në shoqëri dhe për të identifikuar praktikat më të mira në këtë fushë.

Theksi është vënë në interesin publik në drejtësi, politikë, media dhe shoqërinë civile, si dhe rolin që kanë mediat në mbrojtjen e interesit publik.

Lajme të ngjashme

Back to top button