Vesel Memedi zgjidhet kryetar i degës së RDK-së në Gostivar

Në kuvendin e rregullt zgjedhor të degës së Rilindjes Demokratike Kombëtare në Gostivar u zgjodh sot unanimisht kryetar i degës, Vesel Memedi. Krahas kryetarit të ri Kuvendi i degës zgjodhi edhe kryesinë e re dhe autorizoi kryetarin e ri që nga radhët e kryesisë  të zgjedhë kryesinë e ngushtë të partisë.

Kryetari dhe kryesia e re e degës së RDK-së, u votuan në mënyrë unanime nga të gjithë kuvendarët prezent në këtë kuvend zgjedhor. Zgjedhja e Kryetarit të degës së RDK-së, në Gostivar është pjesë e procesit zgjedhor brenda partiak, që tashmë ka filluar, me rekomandimin e Kryesisë Qëndrore të RDK. Kryetari i sapo zgjedhur, Vesel Memedi në fjalimin e tij theksoi se barra për të drejtuar këtë degë ka ra mbi supet e  tij.

“Do të doja që kjo barë të binte mbi ndonjërin nga mesi juaj që kanë vlerë më të madhe se unë. Ju garantoj se këtë pozicion e nënkuptojë si përgjegjësi të lartë që kërkon një sakrificë të madhe njerëzore. Deri më tani, Zoti na ka sprovuar në kryerjen e detyrave të shumta në jetën dhe punët tona. Në këtë rrugëtim tonin, unë kërkoj ndihmën tuaj. Nëse e ndjekim rrugën e drejtë, na ndiqni. Nëse e shtrembërojmë rrugën, na ndihmoni të përmirësohemi me qëllim që mos të shkojmë në rrugë të gabuar”, theksoi ai.

Kryetari i partisë Rufi Osmani e cilësoi situatën aktualitetin politik dhe ekonomik në vend dhe në veçanti në spektrin politik shqiptarë si më të dobëtin në këtë dy dekada të tranzicionit politik dhe ekonomik me tendencë të degjenerimit të mëtejmë.

” Unifikimi në veprim i faktorit politikë shqiptarë ka qenë motoja e formimit dhe funksionimit të RDK-së, moto kjo që është injoruar dhe luftuar nga subjektet tjera politike dhe nga strukturat e shërbimeve sekrete në vend. Në këtë vazhdë edhe loja e fundit manipulative e partisë tjetër opozitare shqiptare është pjesë e një skenari të mirënjohur për të mbrojtur interesat dhe kapitalet kriminale të personave të caktuar në dëm të interesit të përgjithshëm. Funksionimi i mëtejmë i RDK-së duhet të kuptohet si zëri i vetëm i arsyes dhe ndërgjegjes në një ambient politik të kriminalizuar ku shteti është peng I interesave kriminale të personave dhe grupimeve të pushtetit aktual”, ka theksuar Rufi  Osmani.

Lajme të ngjashme

Back to top button