Bexheti: Arresti nuk shqiptohet shpesh

Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti në intervistën për Radio Evropa e  Lirë  theksoi se  arresti shqiptohet vetëm në rreth 5 për qind të rasteve dhe nuk ka argumentim që të thuhet se është masë e shpeshtë arresti.

Sipas tij, Kodi penal është kyç prandaj me ndryshimet e reja precizohen shumë vepra penale të cilat duhet të jenë të precizuara.

“Propozohet zgjidhje ku dënimi maksimal prej 15 vitesh propozohet të rritet në 20 dhe zgjidhje alternativë për burgimin e përjetshëm prej 20 deri në 40 vjet heqje lirie. Ajo është konform përvojës së vendeve të rajonit dhe vendeve të Bashkimit Evropian, sepse qëllimi dhe angazhimi ynë është harmonizimi me legjislaturën e BE-së. Domethënë, s’bëhet fjalë për dobësi, por për plotësime dhe harmonizime me legjislaturën e BE-së”, thotë Bexheti.  

Ai shton se nga dhjetori i këtij viti do të fillojë të zbatohet Ligji për procedurë penale. Bexheti pret vlerësime pozitive në lidhje me gjyqësorin edhe në këtë raport të Komisionit Evropian (KE) për Maqedoninë.

Bexheti foli edhe për rastin e Kezharovskit.

“Në rastin e Kezharovskit nuk bëhet fjalë për lirinë e shprehjes, por bëhet fjalë për rast konkret, i cili gjithashtu është i ndjeshëm. Shpresoj se të gjithë do të pajtohemi se është i ndjeshëm. Askush në shtet nuk duhet të veprojë në kundërshtim me ligjet, as funksionari, as gazetari, as shkrimtari e kështu me radhë”, ka thënë Bexheti.

Lajme të ngjashme

Back to top button