Demiri: Fantastike! Goli im për tifozët (Video)

Ertan Demiri ishte heroi i ndeshjes së djeshme. Mesfushori nga Shkupi shënoi një gol me peshë, duke i dhënë tri pikë të arta Partizanit. Pas sfidës, ai tregoi emocionet e përjetuara në këtë derbi të parë me fanellën e kuqe. Për 34-vjeçarin, fitorja ishte më se e merituar, edhe pse ai pranon se Tirana dominoi disi me lojë. “Goli im shkon për ultrasit e Partizanit. Atmosferë fantastike, edhe pse unë jam mësuar me stadiume edhe me më shumë tifozë se kaq”, – ka thënë ndër të tjera mesfushori i të kuqve.

E dini që pas këtij goli jeni kryegolashënuesi i Partizanit?
Ky është goli i dytë, e ndoshta më i bukuri, për nga vetë fakti që u shënua në derbi. Jam shumë i lumtur që i dhashë fitoren skuadrës, kjo është shumë e rëndësishme.

Kujt ia dedikoni këtë gol?
Pa dyshim tifozëve, pasi ata me praninë e tyre na shtuan edhe më shumë grintën, për të marrë maksimumin në fushë.

Si e përjetuat këtë derbi, nisur edhe nga pritshmëria e madhe e tifozëve?
Emocionet ishin realisht të mëdha. Mua, në fakt, që prej ditës së për që erdha këtu, më kishin folur mbi këtë sfidë dhe e kisha krijuar një ide se çfarë përballje na priste. Gjithsesi, të them të drejtën, kam luajtur edhe në një ambient me më shumë tifozë, por megjithatë dje gjithçka ishte elektrizuese.

E merituat këtë fitore?
Ne u shfaqëm të qetë gjatë gjithë lojës dhe kjo na dha shumë bonuse. Loja kishte edhe ashpërsi sigurisht, por mendoj se në një derbi gjithnjë janë prezente episode të tilla.

Mendoni se Tirana e dominoi lojën?
OK, por në fund mbahet mend rezultati dhe jo kush kontrolloi lojën. Për ne kaq mjafton. Kur të bëjmë analizën, do diskutojmë për këto gjëra.
Kundërshtari pretendon për dy penallti të padhëna…
Nuk besoj se kishte penallti, por gjithçka do të shihet nga pamjet filmike. Në kompleks ishte një ndeshje e bukur dhe plot emocione.

Sa larg mund të shkojë ky Partizan?
Është herët të flasim. Mendoj që t’i marrim ndeshjet një e nga një, dhe në varësi të ecurisë do vijnë edhe objektivat.

Besoni te titulli?
Do mundohemi, por qëllimi është sigurisht që të jemi në maja.

Lajme të ngjashme

Back to top button