Kongo, e mallkuar nga pasuritë e veta natyrore

Republika Demokratike e Kongos është ndoshta një nga vendet më të pasura në botë, por kolonializmi, skllavëria dhe korrupsioni e kanë bërë atë një nga më të varfrat, shkruan historiani Dan Snou për BBC.

Konflikti më i përgjakshëm i botës që nga Lufta e Dytë Botërore vijon edhe në ditët tona. Është një luftë në të cilën më shumë se pesë milionë njerëz janë vrarë, miliona të tjerë janë dërguar në kufijtë e vdekjes nga uria e sëmundjet dhe shumë milionë gra e vajza janë përdhunuar.

Lufta e Madhe e Afrikës, një përplasje që ka grirë ushtarë e civilë nga nëntë kombe dhe një numër i pallogaritshëm grupimesh rebele, është luftuar pothuajse tërësisht brenda kufijve të një vendi të pafat – Republika Demokratike e Kongos.

Është një vend që në dukje është bekuar me çdo lloj minerali, megjithatë vazhdimisht renditet në fund të Indeksit të Zhvillimit Njerëzor të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, një vend ku edhe më fatlumët jetojnë në kushtet e varfërisë.

Unë shkova në Kongo këtë verë për të zbuluar se çfarë ka ndodhur në të shkuarën e vendit që ka sjellë këtë dhunë dhe anarki të paimagjinueshme.

Udhëtimi nëpër të cilin eca, përmes historisë plot abuzime të Kongos, ndërsa shkoja përmes të tashmes së gllabëruar nga lufta, qe eksperienca më shqetësuese e karrierës sime.

Unë takova viktima të përdhunimeve, rebelë, politikanë të kapardisur dhe qytetarë të tmerruar të një vendi që ka pushuar së funksionuari – njerëz që luftojnë për të mbijetuar në një vend të mallkuar nga e shkuara, e cila sfidon çfarëdolloj përshkrimi, një histori që nuk dëshiron t’i lëshojë ata nga zgripi i vdekjes.

E tashmja apokaliptike e Kongos është produkt i drejtpërdrejtë i vendimeve dhe veprimeve të ndërmarra përgjatë pesë shekujve të fundit.

Vonë në shekullin e pesëmbëdhjetë një perandori e njohur si Mbretëria e Kongos dominonte pjesën perëndimore të Kongos, si dhe disa pjesë të shteteve moderne si Angola.

Ajo qe e sofistikuar, kishte aristokracinë e vet dhe shërbime civile mbresëlënëse. Kur tregtarët portugezë mbërritën nga Europa në vitet 1480, ata kuptuan se patën rënë në një tokë me pasuri të stërmëdha natyrore, i pasur në burime – veçanërisht mish njerëzor.

Kongo qe shtëpia e asaj që dukej si rezervë e pashterueshme skllevërish të fortë dhe rezistentë ndaj sëmundjeve. Portugezët zbuluan me shpejtësi se kjo rezervë mund të shfrytëzohej më me lehtësi në rast se brendësia e kontinentit qe në gjendje anarkie.

Ata bënë gjithçka që mundën për të shkatërruar çdo forcë politike vendëse që kishte aftësi të pengonte interesat e tyre skllavëruese dhe tregtare. Para dhe armë moderne iu dërguan rebelëve, ushtritë kongoleze u shpartalluan, mbretërit u vranë, elitat u masakruan dhe secesionizmi u nxit.

Nga vitet 1600, ajo që dikur qe një mbretëri e fuqishme qe dizintegruar në një anarki pa udhëheqës minishtetesh të angazhuara në një luftë civile endemike. Skllevërit, viktima të këtyre luftimeve, u nxorën valë-valë në bregdet nga ku u transportuan drejt Amerikave.

Rreth 4 milionë njerëz u ngarkuan me dhunë nëpër anije në grykën e Lumit Kongo. Anijet angleze qenë zemra e kësaj tregtie. Qytetet britanike dhe tregtarët u pasuruan në kurriz të burimeve kongoleze, të cilat në fakt nuk i patën parë kurrë me sy.

Marrëdhënia e parë me europianët i dha frymën pjesës tjetër të historisë së Kongos. Zhvillimi qe ndaluar, qeveria qe dobësuar dhe sundimi i ligjit qe bërë inekzistent.

Kjo nuk qe si pasojë e ndonjë defekti të brendshëm të kongolezëve, por ndodhi për shkak se qe në interes të të fuqishmëve të shkatërrojnë shtypin dhe parandalojnë çdo qeveri të mundshme të ligjshme, të fuqishme dhe të qëndrueshme. Një qeveri e tillë do të prishte punë në planin për shfrytëzimin e lehtë të burimeve të kombit. Kongo u mallkua pambarimisht nga pasuritë e veta natyrore.

Kongo është një vend masiv, me përmasat e të gjithë Europës Perëndimore.

Ujë pa fund nga lumi i dytë më i madh i botës, Kongoja, një klimë e mirë dhe tokë e pasur e pjellore, ky është vendi që nën dhe ka burime të bollshme bakri, ari, diamantesh, kobalti, uraniumi, kollani dhe nafte. Këto janë vetëm një pjesë e mineraleve që gjenden aty, të mjaftueshme për ta bërë këtë një nga vendet më të pasura të botës.

Por në vend të saj ky është vendi më i pashpresë i botës.

Brendësia e Kongos u hap vonë në shekullin e 19 nga eksploruesi i lindur në Britani Henri Morton Stanlei, ëndrrat e të cilit për miqësi tregtie të lirë me bashkësitë që ai takoi u rrëzuan nga mbreti famëkeq i belgëve, Leopoldi, i cili krijoi aty një perandori private të stërmadhe.

Burimi më i madh i gomës në botë u zbulua këtu pikërisht në kohën kur gomat e biçikletave dhe makinave, si dhe izolantët elektrikë e bënë atë një mall me rëndësi jetësore në Perëndim.

Mania për biçikleta e epokës së vonë Viktoriane u mundësia nga goma kongoleze që u mblodh nga popullata e skllavëruar. Për ta nxjerrë atë, burrat e Kongos u rrëmbyen nga një forcë brutale sigurie e komanduar nga oficerë belgë, gratë e tyre u internuan për të siguruar bindje dhe u brutalizuan gjatë kohës që qenë marrë peng. Burrat pas kësaj u detyruan të shkojnë në xhungël për të vjelë gomë.

Mosbindja apo rezistenca ndëshkohej menjëherë – rrahje me kamxhik, prerje duarsh apo ekzekutim. Miliona vetë vdiqën. Udhëheqësit fisnorë të aftë për të rezistuar u vranë, bashkësitë vendëse u masakruan dhe arsimimi i duhur iu mohua.

Një kulturë sundimi barbarik dhe grabitqar nga elita belge që nuk kishte kurrfarë interesi për zhvillimin e vendit apo popullatës u krijua për të qëndruar gjatë në këtë vend fatkeq.

Me një lëvizje që u supozua se do të ndalonte brutalitetin, Belgjika në fund e aneksoi Kongon duke i dhënë fund perandorisë private të mbretit, por problemet vijuan.

Industria minerare u zhvillua me shpejtësi, punonjësit vuajtën kushte rrëqethëse gjatë procesit të prodhimit të mineraleve që sollën zhvillimin e industrisë në Europë dhe Amerika.

Në Luftën e Parë Botërore, burrat në Frontin Perëndimor dhe gjithkund tjetër vdiqën, por qenë mineralet e Kongos ato që bënë vrasjet. Tunxhi mbështjellës i predhave aleatët hodhën në Paskendaele dhe Some qenë në masën 75 për qind bakër kongolez.

Në Luftën e Dytë Botërore, uraniumi për bombat atomike të hedhura në Hiroshima dhe Nagasaki erdhi nga një minierë në juglindje të Kongos. Liritë e Perëndimit u mbrojtën me burimet e Kongos, ndërsa kongolezët me ngjyrë nuk patën të drejtë vote apo të drejtë për krijimin e sindikatave dhe organizatave politike. Atyre iu mohua çdo gjë përtej arsimimit më elementar.

Ata u mbajtën në një nivel fëminor zhvillimi që i shkonte më për shtat sundimtarëve dhe pronarëve të minierave duke u siguruar që kur erdhi pavarësia në vend të mos kishte elitë për të drejtuar.

Pavarësia në vitet 1960 për rrjedhojë qe thjesht një katastrofë. Pjesë të këtij vendi të stërmadh u përpoqën menjëherë të shkëputen, ushtria ngriti krye kundër oficerëve belgë dhe brenda pak javësh elita belge që drejtoi shtetin u evakuua duke mos lënë askënd me aftësi për të drejtuar qeverinë apo ekonominë.

Nga të 5 mijë vendet e punës në qeverinë e parapavarësisë, vetëm tri prej tyre mbaheshin nga kongolezë dhe në vend nuk kishte asnjë avokat, mjek, ekonomist apo inxhinier vendës.

Kaosi kërcënoi të gllabëronte të gjithë rajonin. Superfuqitë e Luftës së Ftohtë ndërhynë për të ndaluar njëri-tjetrin të shfrytëzonte burimet e vendit.

E gllabëruar nga këto rivalitete, udhëheqësi kongolez, Patrise Lumumba, u rrah dhe u ekzekutua në mënyrë rrëqethëse nga rebelët e mbështetur nga Perëndimi. Një ushtarak i fuqishëm, Josef-Dizajër Mobutu, i cili pak vite më parë pati qenë një rreshter në policinë koloniale, mori pushtetin.

Mobutu u bë një tiran. Më 1972 ai ndryshoi emrin e tij në Mobutu Sese Seko Nkuku Ngbendu Va Za Banga, gjë që do të thotë “Luftëtari i Plotfuqishëm i cili, për shkak të rezistencës dhe vullnetit të pamposhtur për të fituar, shkon nga fitorja në fitore, duke lënë zjarr”.

Perëndimi e toleroi atë për aq kohë sa mineralet vijuan të dalin nga Kongo dhe vendi u mbajt larg orbitës sovjetike.

Ai, familja dhe miqtë e tij e shtrydhën vendin duke nxjerrë prej aty miliarda dollarë, një pallat me vlerë 100 milionë dollarë u ndërtua në pjesën më të largët të xhunglës në Hbadolite dhe pranë saj u ndërtua një pistë ultra e gjatë në gjendje për të pranuar uljen e një avioni Konkord, i cili shpesh u mor me qira për udhëtime në Paris për të bërë pazar.

Disidentët u torturuan apo i blenë, ministrat vodhën të gjithë buxhetet, qeveria qe e atrofizuar. Perëndimi lejoi këtë regjim që të merrte hua miliarda, të cilat më pas u vodhën ndërsa Kongo e sotme pritet që t’i paguajë këto miliarda.

Më 1997, një aleancë e shteteve fqinje afrikane, të udhëhequra nga Ruanda, e cila qe zemëruar nga fakti që Kongoja e Mobutut pati strehuar shumë nga ata që qenë përgjegjës për gjenocidin e vitit 1994, pushtuan vendin pasi vendosën të heqin qafe Mobutun.

Një emigrant politik kongolez, Laurent Kabila, u tërhoq në Afrikën Lindore për të funksionuar si një figurë drejtuese. Ushtria e varfër e Mobutus u rrënua, udhëheqësit e saj qenë langonj të paaftë të Presidentit që braktisën burrat e tyre në një përpjekje të çmendur për t’u arratisur.

Mobutu u ngrit për herë të fundit nga Versaja e tij në xhungël me avionin e mbushur me pasuri ndërsa ushtarët e tij të papaguar hapën zjarr ndaj avionit të bosit që po largohej përfundimisht.

Ruanda me lehtësi pati pushtuar fqinjin e vet të stërmadh me një lehtësi spektakolare. Por sapo u vu në pushtet, kukulla e Ruandës Kabula, refuzoi të bëjë çfarë kishte premtuar.

Sërish Ruanda sulmoi për ta pushtuar, por këtë herë ata thjesht u ndaluan nga aleatët e vet afrikanë, të cilët u kthyen kundër njëri-tjetrit duke e zhytur edhe një herë Kongon në një luftë të tmerrshme.

Ushtritë e huaja luftuan njëra-tjetrën thellë në brendësi të Kongos, ndërsa shteti i dobët ra në kolaps dhe anarkia sundoi.

Qindra grupime të armatosura kryen masakra, miliona njerëz vdiqën. Dallimet etnike dhe gjuhësore nxitën dhunën ndërsa kontrolli i burimeve natyrore bëri që luftimet të qenë edhe më joshëse.

Ushtarë fëmijë u rekrutuan me dhunë ndërsa një pafundësi ushtrish skllevërish u detyrua të gërmojë për minerale të tilla si kollani, një element kyç për prodhimin e celularëve, obsesioni më i ri i botës së zhvilluar, ndërsa luftimet u përshkallëzuan në shfarosjen e popullatave, përdhunimin e grave dhe përzënien e të mbijetuarve në xhungël ku vdiqën nga uria dhe sëmundjet.

Një paqe thellësisht e dobët dhe e pjesshme u paketua një dekadë më parë. Në lindjen e thellë të Kongos, ka sërish luftë ndërsa një rrjetë komplekse rivalitetesh të brendshme dhe ndërkombëtare kanë krijuar grupime rebelësh që përleshen me ushtrinë dhe me OKB-në, ndërsa milicitë e vogla të komuniteteve i shtohen destabilitetit të përgjithshëm.

Vendi ka rënë në kolaps, rrugët nuk lidhin më qytetet kryesore, kujdesi shëndetësor varet nga ndihmat dhe bamirësia. Regjimi i ri është po aq nepsqar sa paraardhësi.

Unë udhëtova me një nga trenat e ngarkuar me bakër që shkon drejtpërsëdrejti nga minierat nën pronësi të huaj në kufi deri në Lindjen e Largët duke kaluar përmes qyteteve fantazmë të njerëzve të shpërngulur dhe të varfëruar të Kongos.

Portugezët, belgët, Mobutu dhe qeveria aktuale, që të gjithë kanë ndalur zhvillimin e një shteti të fortë, një ushtrie, drejtësie e sistemi arsimor për shkak se kjo pengon objektivin e tyre kryesor, fitimin e parave nga ajo që gjendet nën tokë.

Miliarda dollarë nga këto minerale kanë sjellë asgjë veç varfërisë dhe vdekjes për njerëzit që jetojnë mbi to, ndërsa elitat mikroskopike të pasuruara në Kongo dhe mbështetësit e tyre të huaj po përforcojnë revolucionin teknologjik të botës së zhvilluar.

Kongoja është një tokë shumë larg, megjithatë historitë tona janë të lidhura ngushtë. Ne kemi lulëzuar nga një marrëdhënie e prishur, megjithatë jemi thellësisht të verbër për të. Çmimi që kjo miopi ka sjellë është vuajtje njerëzore në një shkallë të paimagjinueshme.

1. Shumë nga operacionet e nxjerrjes së mineraleve lidhen me ujërat e të fuqishmit Lumi i Kongos

2. Harta e Republikës Demokratike të Kongos që tregon Mbretërinë e Kongos

3. Henri Morton Stanlei përshëndetjet nga fisi Manyema më 1883. Ekspedita e tij hapi Kongon për shfrytëzim nga Mbreti Leopold II i Belgjikës, një nga kapitujt më të përgjakshëm dhe të tmerrshëm të historisë së kolonializmit

4. Me biçikletë në parkun Batersea më 1890. Goma e Kongos kishte kërkesë të lartë pasi u shpik goma pneumatike në vitin 1888.

5. Avioni ushtarak amerikan me nofkën Bockscar, i cili hodhi bombën atomike në Nagasaki, Japoni më 9 gusht 1945. Uraniumi i përdorur për ndërtimin e bombës atomike qe nxjerrë në Kongo.

6. Presidenti Mobutu me Zhak Shirak, në atë kohë kryebashkiak i Parisit më 1985. Mobutu u mbrojt nga Perëndimi për shumë dekada.

7. Dan Snou shëtit në ish-rezidencën dorëgjerë të Mobutus në Gbadolite.

8. Një minierë në Kongo. Koltani, i cili përdoret për telefona celularë nxirret krahas magnezit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button