Një ëndërr brenda ëndrrës

Këtë puthjen time në ball merre!
E, tashi duke u ndarë ti prej meje,
Dëgjoji dhe këto fjalë zemre
Që nuk gabon nëse ndërmendesh
Se ditët e mia qenë një ëndërr;
Prap, nëse shpresa të braktis,
Një natë dikur apo një ditë,
Në një vizion a në asnjë,
Ndaj është ajo ca më pakgjë?
Gjithë ç’shohim a gjoja shohim gjithë jetën
Është ëndërr brenda ëndrrës, asgjë tjetër.

Jam mes vërdalljesh
Të një bregu trandur dallgësh,
Në dorë mbaj shtrënguar
Grimca rëre të praruar!
Veç pak sosh! E më shkasin sërish
Nëpër gishta në det mes thellësish!
Ndërsa unë qaj, qaj e s’pushoj hiç.
O Zot! A nuk mund t’i kap
T’i bëj në grusht më zap?
O Zot! A mund ta shpëtoj unë dot
Nga dallga mizore veç ndonjërën sosh?
Gjithë ç’shohim a gjoja shohim gjithë jetën
Është ëndërr brenda ëndrrës, asgjë tjetër.

 

Poezi nga Edgar Allan Poe
Përktheu: Skënder Buçpapaj

Lajme të ngjashme

Back to top button