Turqia shpërndan mijëra kurbane në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni

Në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni është organizuar therja dhe shpërndarja e kurbaneve të dhuruar nga Turqia, konkretisht nga Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë, Fondacioni i Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) dhe organizata humanitare dhe institucione të tjera nga ky vend, raporton Anadolu Agenvy (AA).

Organizata humanitare, Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë, edhe sivjet ka organizuar fushatën e prerjes së kurbaneve me autorizim, në Turqi dhe jashtë saj, në vendet e Ballkanit, me qëllim që ta shpërndajë bereqetin dhe gëzimin e festës së Kurban Bajramit, tek të gjithë ata të varfër, jetimë dhe njerëz që janë në nevojë.

Prerja e kurbaneve të dedikuara për Kosovën, nga 700 persona bamirës nga Turqia, është bërë në Prizren kurse, delegacioni i Gjysmëhënës së Kuqe Turke i cili po qëndron në Kosovë me këtë rast, po udhëhiqet nga Sekretarja e Përgjithshme e kësaj organizate, Ayşegül Genç.

Ajo u shpreh se është e lumtur që gjendet në Prizren dhe në Kosovë, në një vend me të cilin, Turqia ka të kaluar të përbashkët historike dhe se do të ketë mundësi që të ndihmojë në shpërndarjen e mishit të kurbanit për më shumë se 100 mijë persona në nevojë në Kosovë.

“Gjithsej janë dedikuar 520 kafshë të mëdha dhe 350 desh, prej të cilëve do të shpërndahen 4000 pjesë mishi për afro 110 mijë vëllezër që kanë nevojë” tha Genç për Anadolu Agency, duke shtuar se familjet e varfra dhe në nevojë, të cilave do t’ju shpërndahet mishi, janë zgjedhur me kujdes.

Një e veçantë e këtij Kurban Bajrami është edhe fakti se, në mesin e atyre që kanë dhuruar kurbane dhe kanë autorizuar që prerja e tyre të bëhet në Kosovë, është edhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Nga ana tjetër në Shqipëri, Fondacioni i Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) dhe shoqata të tjera nga ky vend, kanë dhuruar rreth mbi 2560 kurbane në të gjithë Shqipërisë, për familjet në nevojë, me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Fondacioni i Çështjeve Fetare të Turqisë, ka organizuar therjen e 175 kurbaneve të dhuruar nga ky institucion për kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, dhe 770 për qytetin e Shkodrës.

Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë, ka dhuruar 700 kurbane për familjet në nevojë në Maqedoni, ku pjesë e tyre ka qenë edhe kurbani i Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Në një deklaratë për AA, zëvendësdrejtori i Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë, Kemal Akar u shpreh se institucioni i tij në organizimin e kurbaneve në të gjithë botën ka prerë 50 mijë kurbane në të gjithë botën. Ai tha se gjatë katër ditëve të Bajramit do presin kurbane në 18 vende të ndryshme të botës, duke uruar që të “jenë të pranueshëm tek Allahu i madhëruar”.

Akar tha gjithashtu se në Maqedoni, brenda 700 kurbaneve ishte edhe kurbani i Presidentit të Turqisë, Erdoğan.

Shpërndarja e kurbanëve të dhuruar nga Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë, janë shpërndarë në qytete të ndryshme të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button