Drejtuesit e politikës shqiptare urojnë besimtarët për Kurban Bajramin

Drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar, por edhe të politikës, ministra, deputetë, përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare, ambasadorë, etj, kanë përcjellë urimet e tyre sot për festën e Kurban Bajramit.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta pas vizitës së tij në selinë e Komunitetit Musliman të Shqipërisë në një prononcim të shkurtër për mediat ka përcjellë urimet e tij për Kurban Bajramin për gjithë besimtarët muslimane kudo që ndodhen.

“Dëshiroj të uroj nga zemra të gjithë besimtarët Gëzuar Kurban Bajramin, këtë ditë sakrifice, flijimi, përkushtimi dhe bindje ndaj Zotit”- ishte urimi i kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Ndërkohë selinë e Komunitetit Musliman të Shqipërisë e kanë vizituar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, këshilltarët e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, etj.

Veliaj në urimin e tij u shpreh se: “Sot është një ditë e bukur, ditë feste. Dëshiroj të iu uroj gjithë shqiptarëve muslimanë, Gëzuar Bajramin. Por është edhe një ditë e bukur për të reflektuar , për të reflektuar për atë që na bën njerëz, në kohë të ngarkuara, ndonjëherë harrojmë parimet më bazë, solidaritetin dhe dashurinë ndaj njëri- tjetrit.  Bajrami insiston në këtë ndjenjë humane”.

Atmosferës së urimeve për festën e Kurban Bajramit iu janë bashkuar edhe ministra të kabinetit qeveritar, si ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Lajme të ngjashme

Back to top button