Kosova kremton Kurban Bajramin (FOTO)

Me faljen e namazit të Kurban Bajramit që filloi në ora 7:01, nën drejtimin e sekretarit të përgjithshëm të Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepit dhe me “Hytben” të cilin e përcolli Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në prezencë të rreth 500 besimtarëve në xhaminë Sulltan Mehmet Fatih në Prishtinë u mbajt manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit.

Gjatë ceremonisë qendrore Resul Rexhepi tha se ditën e Kurban Bajramit, dashuria ndaj Allahut manifestohet përmes shkuarjes në Haxh dhe prerjes së kurbanit, dhe ka ftuar njerëzit të jenë më solidar ndaj njëri-tjetrit. Ai ka kërkuar nga besimtarët të jenë të sinqertë, më human, më tolerant dhe më solidar, duke e ndihmuar njëri-tjetrin. Gjatë Hytbes së Kurban Bajramit, Naim Tërnava tha se dhënia e ndihmës për të varfrit nuk pakëson pasurinë tonë por e shton atë, ndërsa porositi që të mos qëndrojmë indiferent ndaj asaj që troket në dyert tona dhe ndaj vuajtjeve të refugjatëve sirian.

“Fatkeqësisht, sot bota vuan nga konfliktet e armatosura të cilat sjellin padrejtësi dhe vdekje. Në këtë ditë të madhe lusim Allahun të udhëzojë. Lusim që vendet ku ka luftëra të gjejnë paqen, të gjejë paqen Siria dhe Iraku, ndërsa refugjatët e këtyre shteteve të gjejnë humanitetin dhe solidaritetin” tha Tërnava.

Njëkohësisht, në Prizren, në xhaminë e Sinan Pashës e cila sivjet shënon 400 vjetorin e ndërtimit të saj, besimtarët falën namazin e Kurban Bajramit nën drejtimin e kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, Lutfi Ballëk dhe Orhan Bislimaj, sekretarit të KBI-së së Prizrenit. Ndërkohë, në Prizren, në organizim të Gjysmëhënës së Kuqe nga Turqia dhe si pjesë e fushatës ballkanike për prerjen dhe shpërndarjen e bereqetit të Kurbaneve, organizohet edhe ceremonia pas të cilës të varfërve, jetimëve dhe atyre që janë në nevojë, u shpërndahet mishi i kurbanit.

Duhet theksuar se sivjet, me porosi të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në emër të tij, në Kosovë dhe Maqedoni bëhet prerja dhe shpërndarja e mishit të kurbanit. Me rastin e festës së Kurban Bajramit, sipas traditës, në selinë e Kryesisë së BIK-ut në Prishtinë, Myftiu Tërnava dhe krerët e këtij institucioni organizojnë pritjen për mysafirët e shumtë, ndër ta edhe liderë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ata të partive politike.

Lajme të ngjashme

Back to top button