Diplomim me komunikim

…është e qartë mikja ime përse ka vite që je me pak orë atje, pse të ndajnë thërrime “…te ky grup një orë, te ai grup nja dy…” dhe pse moti të kanë vënë embargo për të punuar me studentët shqiptarë, duke i privuar ata nga profesoresha me biografinë më të pasur profesionale nga gjithë tjerët në pozita vendimmarrëse atje. E kam të qartë pse ia kanë frikën ligjërimit tënd dhe efektit që kanë tek studentët, pasi nëse ata javë për jave frymëzohen nga një mendje dhe stil tjetërfarë, akoma më qesharake do t’u duken trumbetimet e atyre që titujt akademikë i kanë bakshishe të shtrenjta prandaj u duken aq të çmuar dhe hiç s’harrojnë që provincialisht t’ia bashkangjesin emrit sa herë që nënshkruhen anise duke shetitur si përfaqësues akademikë nëpër universitete të botës duhet të kenë parë se titujt e profesorëve nuk nominohen as në dyert e zyrave, e as në dokumente nëse kjo s’kërkohet eksplicitisht, pasi titulli duket në vetë personin që mban atë, e jo në nënshkrimin e tij.

…kisha kënaqësinë një semestër të isha asistentja yte dhe sa herë vija të të dëgjoja. E mbaj mend qetësinë që mbretëronte gjatë ligjeratës, studentët që përthithnin çdo fjalën tënde dhe s’lëviznin vendit as kur mbaronte ora, u vinte keq që mbaron. Pa laptop, pa prozhektor dhe vegla tjera moderne, nga fillimi deri në fund “ishte Fjala”, e mbështetur në studime shumëvjeçare, në leximet përgjatë jetës, në humorin në funkcion të efektivitetit të orës se ky brez “audio-vizual” përgithësisht vuan nga sindromi i  koncentrimit te çrregulluar (e evidentuar edhe në literaturën dhe trajtimin psikologjik) si pasojë e teknologjive të reja që parimisht sjellin më shumë dëm se sa dobi (Ajnshtajn). Sado cilësore të jetë, një orë shkollore është tepër e gjatë që new power generation t’a mbajë mendjen aty, të mësuar para ekraneve celulare dhe kompjuterike ku dritaret hapen me shpejtësi dhe informatat fitohen rrufeshëm. Si rrjedhojë e kësaj humbet durimi për të mbetur gjatë në një pikë pa vrarë mendjen çka fshehet pak më tutje, ndjesi kjo që kemi provuar që nga zbulimi i telekomandës e cila ndryshoi për të keq mënyrën e përcjelljes së programit televiziv. E ka thënë para gjysëm shekulli Mekluan se mediat e reja ndryshojnë edhe aparatin shqisor edhe kulturën në përgjithësi. Shkurtimisht: dikur muhabeti më cool ishte kush çka lexon dhe shkëmbimi i librave, tash Facebook, Youtube…”dërgoma linkun”, dikur mbledheshim për të dëgjuar albumet e preferuara ose të posablera, sot ecim me kufjet në vesh, i mbajmë edhe në dhomë, dikur merreshim vesh me telefonat fiks se jeta kishte orar, sot jemi 24 orë të disponueshëm dhe mbesim larg njëri-tjetrit, njerëzit me Profile kanë qindra shokë dhe kurrë më të vetmuar s’kanë qenë…

…po, gjithçka ka ndryshuar, por devalvimi i shkollave, ashtu si dhe i familjes është hemoralgjia më e rrezikshme. E flisnim një ditë se si sot më shumë mësohet në shkollat fillore se sa në të mesmet, dhe sa kollaj është bërë të kryesh fakultet nëse din ku të drejtohesh. Dhe nëse i ke numrat e duhur pasi provimet jepen edhe me telefonata dhe sms duke ndarë detyrat se kush cilit profesor çka duhet t’i thotë; bisedë pas bisede gjithmonë me ton adekuat, hatri i këtij, hatri i atij, ku e do nevoja lyen ndonje rrotë edhe ndryshe, kështu  më së paku me mësime e më shumë me komunikime, një ditë diplomon. Mandej patjetër regjistron masterin me një variantë shtesë: mund të jetosh këtu dhe të magjistrosh jashtë, tashmë dihen tempujt që kanë kujdes të veçantë disponimin e specializantëve, më kupton, ose anasjelltas: jeton jashtë dhe hyp me sukses shkallët postdiplomike këtu, mjafton të kesh njerëzit e duhur në vendet e duhura…

…pse ekziston tash e s’ka pasur në kohën tonë “termin për konsultime”me profesorin pas shpalljes së rezultateve të provimeve? Pasi ata që s’kanë arritur me komunikime të sigurojnë notën kaluese meritojnë edhe një shansë. Kështu tekstin e njëjtë se u duhet “vetëm edhe një notë” që ta regjistrojnë vitin ose të marrin bursë (!) e thonë në të gjitha zyrat e profesorëve në terminin legal për pazarllëk. Nëse dialogu s’jep rezultat, u rikthehen komunikimeve tjera përmes ndonjë ndërmjetësuesi me ndikim.

Njëherë një koleg, dekan fakulteti më qau dertin se një student që e njeh ka problem me lëndën time.

– Çfarë problemi?

Thotë, sikur me turp, se nuk ka mundur  disa afate rradhazi të japë provimin.

– Si mundeshkam unë t’i ndihmoj?

Hesht.

– Ti sigurisht s’ke ardhur për notë, apo?

– Jo, jo – thotë.

Nuk më kujtohet a u skuq apo jo.

…njëherë një studente më afrohet pas provimit dhe dorëzon fletën, duket e pakënaqur. S’ka mundur të shkruaj, s’ka pasur koncentrim.

E shikoj sikur s’marr vesh.

Argument i dytë ishte se gjyshja i ka vdekur.

Pas pak troket në zyrë dikush, qenka i ati.

Vajza e stërngarkuar, s’ka arritur të përgatitet edhe për këtë provim, dhe duket se as ajo as prindi s’kanë fort qejf t’i nënshtrohet prap provimit.

Pyes si pa sherr si mundem të ndihmoj.

Disi nuk mundet ta formulojë.

Mandej pak tallje.

E pyes çfarë rast vdekjeje kanë pasur në familje.

S’i kujtohet.

– Atëherë shkoni qetësoni vajzën se ajo mendon se i ka vdekur gjyshja, kot mërzitet… 

…studentja Tuna e pakënaqur nga nota e ka lutur një kolegun tim, apo siq u shpreh “e ka mbështetur për muri”, prandaj…

– Çfarë nafake…sa veta do ishin ndërruar me ty!

Qeshemi.

– A nota? pyet.

– Çka nota?

U morrëm vesh se një gëzim mjafton për një ditë.

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button