Cipras, 5 sfidat për qeverinë e re

Aleksis Cipras u betua për herë të dytë brenda këtij viti si kryeministër i Greqisë. Lideri i radikalëve të majtë siguroi fitoren gjatë zgjedhjeve të fundjavës së shkuar, duke patur mundësinë të udhëheqë vendin e lodhur nga kriza ekonomike për një mandat të dytë qeverisës 4-vjeçar. Mandati i tij i parë zgjati vetëm pak muaj. Cipras iu nënshtrua betimit civil të besnikërisë, siç parashikohet edhe në Kushtetutën e Greqisë, ndërkohë që ka shkelur sërish praktikën e zakonshme që shihte krerët e qeverive të betoheshin në prani të udhëheqësve fetarë të vendit. Aleksis Cipras, kreu i partisë së majtë “Syriza”, fitues i zgjedhjeve legjislative të parakohshme që u zhvilluan të dielën në Greqi, njoftoi se do të bashkohej me partinë “Grekët e Pavarur” të Panos Kammenos për formimin e një qeverie koalicioni.

“Ne do të bashkojmë forcat tona, ne do të vazhdojmë së bashku”, theksoi Aleksis Cipras, në një fjalim para mbështetësve të “Syriza”-s. Sipas rezultateve pas numërimit të votave, “Syriza”, që ka mundur të sigurojë e vetme 145 vende nga 300 vende në Parlament, do të ketë mbështetjen e “Anel” me 10 vota, duke i siguruar kështu mazhorancën absolute. Panos Kammenos u shpreh se do të bashkëpunonte sërish me Aleksis Cipras, ashtu siç kishte bërë në muajin janar dhe gusht. Në atë kohë “Syriza” dhe “Anel” kishin 162 vende në Parlament dhe Panos Kammenos kishte marrë portofolin e Mbrojtjes. “Populli grek dha një mandat të qartë, ne do të vazhdojmë atë që nisëm së bashku shtatë muaj më parë (…) ne do të ndryshojmë ekuilibrin e forcës në Evropë”, deklaroi Aleksis Cipras.

Përpara qeverisë së re të Ciprasit ndodhen disa sfida të vështirë dhe ekspertët ndërkombëtarë kanë renditur pesë prej tyre. Rikapitalizimi i bankave, bisedimet ndërkombëtare për borxhin, ngritja e fondit të privatizimeve, reformat në tregun e punës e të pensioneve, si dhe çështja e taksave. Ende mbetet i paqartë pozicionimi konkret i kryeministrit Cipras ndaj këtyre çështjeve, ndërsa ai ka qenë një bisedues i vështirë me kreditorët, të cilët trajtonin problemet e borxhit të madh të Greqisë. Në mënyrë të vazhdueshme, qeveria në Athinë ka refuzuar të ecë përpara me programin e thellë të privatizimeve të kërkuar nga Trojka e Kreditorëve, ndërsa u druhet problemeve sociale, nëse do të prekë sërish pensionet dhe taksat. Megjithatë, rrugët e zgjedhjes përpara Ciprasit janë të kufizuara.

Komisioni Evropian pret një përgjigje të shpejtë lidhur me reformat, pas zgjedhjeve në Greqi, deklaroi zëdhënësi Margaritis Shinas. “Shpresojmë që me qeverinë e re të zgjedhur, të bëjmë shpejt përpara”, tha ai për gazetarët në Bruksel. “KE-ja është e gatshme të ndihmojë. Na pret shumë punë përpara dhe nuk kemi kohë për të humbur”, shtoi ai. Sipas tij, “Greqia, nën drejtimin e Aleksis Ciprasit u angazhua në një program ambicioz reformash për të ndihmuar ekonominë greke”.

Gjithashtu, Gjermania theksoi dje se dëshironte të bashkëpunonte ngushtë për krizën e refugjatëve dhe atë të borxhit në Greqi, me qeverinë e re greke që do të formojë kryeministri Aleksis Cipras, pas fitores në zgjedhje. “Sigurisht, qeveria do të punojë ngushtë dhe në partneritet me qeverinë e re greke. Ky propozim nuk parashikon vetëm kapërcimin së bashku të krizës së borxhit, por gjithashtu sfidat që ka sjellë situata me refugjatët”, deklaroi zëdhënësi i kancelares gjermane, Stefen Seibert.

Moska: Forcim bashkëpunimit ruso-grek

Presidenti rus, Vladimir Putin, përshëndeti dje kryeministrin grek, Aleksis Cipras, fitues në zgjedhjet legjislative në Greqi me partinë e tij të së majtës radikale, “Syriza”. Në një telegram zyrtar të Kremlinit, presidenti rus kishte shprehur shpresën që të vazhdojë një dialog konstrutiv dhe një bashkëpunim aktiv me Athinën. “Moska shpreson të përforcojë bashkëpunimin ruso-grek që është në përfitim të të dyja palëve në shumë sektorë, kryesisht në tregti, ekonomi, energji dhe çështjet humanitare”, thuhet në këtë telegram. Aleksis Cipras, që u emërua dje kryeministër, ishte afruar me presidentin rus gjatë mandatit të tij të parë si kryeministër.

Spiros Moskovou

Mandati i dytë i tribunit të popullit

Fituesi i zgjedhjeve, Aleksis Cipras, gjatë betimit para presidentit grek Foto: Reuters Greqia votoi dhe fituesi i kënaqur është Aleksis Cipras. Ai e ka hequr qafe tani krahun ultra të majtë rebelues nga partia e tij

Qysh në janar shumica e votuesve i besuan shefit të aleancës së majtë “Syriza”, se do t’i zbusë pasojat sociale të politikës së kursimeve të pesë viteve të fundit. Aleksis Cipras premtoi atëherë fundin e politikës së kursimeve. Pas disa muajsh bisedimesh, atij iu desh të bjerë dakord në minutën e fundit me donatorët ndërkombëtarë për një paketë të tretë ndihme, për të shmangur daljen e vendit nga Eurozona. Tani Ciprasi ka marrë një mandat të dytë nga populli. Shumica e grekëve e vlerësuan atë që është bërë realist dhe vazhdojnë t’ia besojnë atij menaxhimin social të reformave të nevojshme, që duhet të zbatohen menjëherë. Krahu ultra i majtë i shkëputur prej “Syriza”-s nuk arriti as të përfaqësohet në Parlament.

Cipras I = Cipras II?

Është sidoqoftë e dyshimtë, nëse Cipras dhe “Syriza” e çliruar prej barrës nga e majta radikale, janë në gjendje ta çojnë përpara modernizimin e Greqisë. Gjatë pesë vjetëve kanë dështuar në këtë drejtim pesë qeveri të kahëve të ndryshëm. Ndërsa kërkesat e donatorëve kanë mbetur të njëjtat: një sektor publik funksionues, një ekonomi e aftë për konkurrencë, lufta kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal. Partitë e vjetra nuk ia kanë dalë dhe as “Syriza” në shtatë muaj qeverisjeje gjatë mandatit të parë nuk ka vendosur asnjë piketë të qartë. Masat e para të qeverisë “Cipras I”, më shumë dëshmojnë për një orientim të prapambetur, një mbivlerësim i shtetit si baba, i cili mundësisht duhet t’i ushqejë të gjithë. A do të ndjekë qeveria “Cipras II” një politikë tjetër?

Me gjasë jo. Qysh mbrëmjen e fitores u bë e qartë, se kush do t’i sigurojë Ciprasit shumicën në Parlament: partneri i deritanishëm i koalicionit, populistët e djathtë “Grekët e pavarur” nën drejtimin e Panos Kammenosit. Ciprasi nuk ka vrarë aspak mendjen, nëse mund t’i afronte forcat pro-europiane në përgjegjësinë e qeverisjes, p.sh. “Pasok”-un socialdemokrat apo partinë e qendrës “To Potami”. Cipras me sa duket nuk kërkon një bazë të gjerë politike për një shërim solid të vendit – ai përbetohet për pastërtinë morale dhe politike të së majtës, por hyn në koalicion me më të padëshiruarit populistë të djathtë.

Nga sënduku

Në një çast të rrallë sinqeriteti gjatë një interviste televizive, Cipras së fundi pranoi, se ai për herë të parë vetëm gjatë bisedimeve të mundimshme për muaj të tërë me partnerët e ka kuptuar “pushtetin e parasë”. Është e dyshimtë, nëse ky politikan karizmatik dhe pa përvojë e ka kuptuar vërtetë, apo e merr dot me mend domosdoshmërinë e modernizimit të Greqisë brenda Europës. Retorika e tij heroike e majtë e nxjerrë nga sënduku i shekullit të 20-të, menaxhimi i pushtetit me të gjitha truket e mjetet e partive të vjetra greke tashmë të dështuara dhe me lehtësinë se si ai në emër të masës së gjerë rrezikon pikërisht standardin e jetesës së kësaj mase, japin pak shpresë për të ardhmen. Nuk është as rastësi, që për herë të parë në historinë e re të Greqisë, 45 % e qytetarëve me të drejtë vote qëndruan larg kutive të votimit.

Marrë nga Dojçe Vele

Lajme të ngjashme

Back to top button