Greqi, betohet kryeministri Aleksis Tsipras

Me një ceremoni të thjeshtë që ka zgjatur veç pak minuta, kreu i Syrizas, Aleksis Tsipras ka bërë betimin para Presidentit të Republikës mbrëmjen e së hënës, për herë të dytë brenda 9 muajve.

Ashtu si dhe në janar, Tsipras është betuar me një ceremoni të thjeshte politike, duke thyer për herë të dytë traditën e kryeministrave grekë, që betohen edhe me dorën mbi Bibël para kryepeshkopit të vendit.

Më pas, ai ka shkuar në zyrën kryeministrore për të marrë dorëzimin e postit nga kryeministrja e përkohshme, Vasiliki Thanou.

“Kthehem pas disa ditësh, pothuajse një muaj, në zyrën e kryeministrit, duke pasur kujtimet e një epoke të vështirë, me negociata të vështira, dhe betejat që dhamë në këtë dhomë, por duke pasur optimizmin dhe besimin se, edhe në ditën kur unë do të iki që këtu, këto kujtime të jenë harruar dhe vendin e tyre ta kenë zënë kujtime më të mira dhe më konstruktive”, tha kryeministri grek, Aleksis Tsipras.

Tsipras ka kërkuar të përshpejtohen procedurat për betimin e qeverisë, pasi vetë ai, të mërkurën do të ndodhet në samitin e BE-së për krizën e refugjatëve në Evropë dhe ditën e diel në SHBA.

“Evropa të përballojë me vlerën e solidaritetit, mbi të gjitha një problem global, ndërkombëtar dhe evropian. Ajo duhet të ndajë përgjegjësinë te të gjitha shtetet anëtare, përndryshe nuk ka kuptim të flasim për një Bashkimin Evropian dhe një Evropë të bashkuar”, tha kryeministri grek, Aleksis Tsipras.

Pas triumfit zgjedhor të së dielës, ku Syriza – me 7.4% më shumë se “Demokracia e Re” – siguroi 145 vende dhe aleatët e saj “Grekët e Pavarur” edhe 10 vende të tjera, pra 155 gjithsej, në Parlamentin 300 vendesh, votëbesimi i qeverisë është i padiskutueshëm dhe është çështje orësh të mësohet përbërja e kabinetit.

Sa i përket posteve qeveritare, vlerësohet se nuk do të ketë ndryshime nga kabineti i kaluar, sidomos për pikat kyçe siç janë Ministria e Financave, ajo e Jashtme, ajo e Mbrojtjes dhe e Shtetit.

Edhe orët e fundit, Tsipras ka pasur telefonata urimi nga udhëheqës të tjerë evropianë, si kreu i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kancelarja gjermane Merkel, Presidenti rus Vladimir Putin dhe kryeministri italian, Matteo Renzi.

Më herët gjatë ditës së hënë, ai tha se do të rigjallëronte bankat greke dhe ekonominë e gjymtuar të saj, ndërkohë që ka kërkuar si gjithnjë gjatë këtyre muajve të fundit lehtësimin e borxhit nga huadhënësit e huaj, në atë që konsiderohet si “beteja e parë e madhe” pas zgjedhjes si kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës.

Ai i ka vendosur këto si prioritete kyçe në listën e gjatë të “gjërave për t’u bërë” në agjendën e tij, ku përfshihen gjithashtu edhe implementimi i masave shtrënguese dhe përballja me valën e emigrantëve që mbërrijnë në Greqi nga brigjet turke, si pasojë e largimit nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme, e veçanërisht nga Siria.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button