Duda – çka ka shoqëria e thotë fëmija

Video incizimi tronditës ku shfaqet rrahja brutale e një vajze nga moshatarja e saj adoleshente shkaktoi bujë reagimesh. Lajmi i mirë është që prapëseprapë paska që na tmerron, gjë e vështirë kjo për kohën në të cilën jetojmë, ku çdo ditë na trashet lëkura prej mizories dhe shkeljeve. 

Përpos kësaj, gjithçka tjetër e lidhur me këtë lajm është e keqe, por aspak befasuese. 
Të gjithë e kuptuam emrin e dhunueses, por jo edhe të viktimës. Natyrshëm, kjo është e pakta që mund të bëhet, meqë vajza e pafajshme vështirë do ta përballojë ndonjëherë traumën e rrahjes ose  efektin e shkaktuar nga video-incizimi i përhapur rrufeshëm. 

Ky model e pasqyron me përpikëri shoqërinë në të cilën jetojmë –  mëhallat dhe çajtoret, rrugët dhe institucionet. Dajaku i të fuqishmëve, emri i të cilëve dihet botërisht, shkon flakë mbi të ata që tentojnë të mbrohen vetëm me fjalë goje, meqë tjetër nuk kanë. Në fund, i dorëzohen fatit. 
Çka tjetër mund të presim? Që fëmijët të na rriten në frymën e rilindjes kulturore dhe vlerave të mirëfillta njerëzore? Gjenerata me rradhë, jeta jonë ka qenë e mbushur me dhunë.

Një shekull nga okupuesit e parreshtur, më pas nën vërshimin e hienave post-çlirimtare. Vite dhe vite duke jetuar me slloganin “pa u bë keq nuk bëhet mirë”. Pra, këto janë shenjat e të keqes. Se kur, si dhe ku bëhet mirë, mbetet për të parë ndonjëherë. Me gjasë diku tjetër, shumë larg prej këtu. 

Duda dhe viktima e saj e paemër janë mikrokozmosi i botës të cilën e jetojmë ne. Jetë ku forca dhe dhuna janë gjithçka, ku dajaku është pika e fjalisë. Zgjedhjet, themeli i shoqërisë së lirë, vidhen me forcë dhe dajak, për ta zhvatur më pas arkën e përbashkët prej ku duhet të financohen shkollat dhe spitalet. Për ta vjedhur buxhetin prej ku paguhen mësuesit që duhet t’i mësojnë nxënësit se gjestet shtazarake si këto nuk tolerohen, si dhe mjekët dhe psikologët që duhet t’i trajtojnë rastet e këtilla. 

Frikësimi dhe ngacmimi i dhunshëm nuk ndodh vetëm këtu – ky është problem serioz edhe në botën perëndimore. Por, njëra nuk e arsyeton tjetrën. Dallimi është që ne i fshehim gjërat dhe si shumëçka tjetër, dhuna mes moshatarëve mbetet nën qilimin e fasadës së krenarisë dhe jetës dinjitoze. Duke e mashtruar veten në pretendimin e të qenit të drejtë dhe shtylla të civilizimit, humanistë të pashoq dhe shembuj të përkushtimit fetar, nuk kemi kohë ta shohim atë që e kemi para syve. Nuk flasim për gjërat që dihen botërisht, meqë merremi me gjëra madhore dhe momente historike. 

Pyetja se “ku do të na rriten fëmijët” që parashtrohej para njëzetë vitesh, tani po e merr përgjigjjen e natyrshme. Nuk ka si të jetë ndryshe – shoqëria vetëm se i pasqyron vlerat e pjesëtarëve të saj. Mjafton të shihet kush bëhet mësues dhe pedagog, kjo i qartëson të gjitha. Universitetet e mbushura me truproje dhe akraba vështirë se mund të nxjerrin kuadër tjetër, pos këtij që e kemi sot. Mbi të gjitha, në shkollat pedagogjike përfundon shtresa e fundit e nxënësve. Efektet janë më se të qarta. Fëmijët marrin shembull prej të rriturve dhe i përvetësojnë vlerat tashmë të mishëruara në shoqëri. 

Për të mos mbetur me kaq, ka diçka edhe më tmerruese se rrahja makabër. Komentet e lexuesve në forumet e shumta ndaj lajmit, ku shihet jo vetëm shkalla e analfabetizmit si pasojë e shkollimit të rrënuar, por gjithashtu edhe urrejtja për të gjithë tjerët dhe gjithçka rreth vetes që është ndryshe. Me gjasë, nevojitet ekspertizë e thellë për shtjellimin e kësaj dukurie. Në mjedisin tonë, as lajmet si rrahja e fëmijës së pafajshme nuk kalojnë pa trajta partiake ose fetare – veprimet i përshkruhen si tipar partisë kundërshtare, ndërsa internet klerikët nuk përtojnë ta identifikojnë burimin e problemit në mungesën e përkushtimit ose shpalljen e të gjithë të tjerëve si të pafe dhe primitivë.  

Të gjitha këto dukuri mund të duken si të palidhura me rastin konkret. Por, kombinimi i tyre si inde të shoqërisë vështirë mund të jep ndonjë rezultat tjetër. Vendi ku tiranët grabisin gjithçka me forcë për vete, ku shkollimi komandohet prej kuadrove partiake dhe klasa universitare prodhon gjenerata tjera nga fabrika e korruptuar dhe injorante, ku familja nuk ka kohë për vete duke qenë në luftë për mbijetesë, nuk mund të jep fryte tjera nga këto që i shohim. 
Deri në rastin tjetër të tronditjes ditore që mbulohet nga skandali i çastit, mbetet të ngushullohemi me teoritë e gajretit se kjo ndodh kudo ose t’ia përshkruajmë fajin rrethanave historike dhe çfarëdo tjerave. Tjerët mund ta falin veten duke besuar se janë ndryshe dhe që i takojnë përqindjes së vogël që bën përjashtim. Mbase të gjithë kanë të drejtë, por kjo nuk e zgjidh problemin me të cilin jetojmë. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button