Emigrantët mes shpresës dhe vdekjes

Pranvera arabe, mund të llogaritet si primati i konflikteve që lindën në Afrikën veriore, duke u zhvendosur më pas në Lindjen e Mesme. Qëllimi kryesor ishte demokratizimi i shteteve që udhëhiqeshin nga diktatorët e famshëm bashkëkohor. Kjo nismë gjeti mbështetjen e mijëra qytetarëve që vërshuan rrugët e shesheve si dhe qindra organizatave për të drejtat e njeriut. (Mos)suksesi solli ndryshime të mëdha në vendet e lartpërmendura. Pushteti kaloi në duart e partive politike, ndërsa qytetet u morën nën kontroll nga bandat lokale, të cilat marrin gjoba nga afaristët, ushtrojnë dhunë të skajshme etj.

Shembullin e tillë, e ndoqën edhe disa vende në Lindjen e Mesme, ndërsa shteti më i prekur nga ky fenomen ngelet Siria dhe një pjesë e Irakut. Revolta qytetare hasi në trysni të madhe nga organet shtetërore, andaj ajo kaloi në kryengritje ndaj pushtetit aktual. Situatën e tillë e shfrytëzuan edhe grupet xhihadiste, të cilat ndodheshin në Irak. Me futjen e tyre në Siri dhe mbështetjen që kishin nga disa qytetarë vendas, fillimisht krijuan Shtetin Islamik të Irakut dhe SHAM-it, duke e shndërruar më pas në Kalifat Islamik. Paralel me to, kundër pushtetit vazhdojnë të luftojnë edhe disa grupe tjera, të cilat kanë qëllimin e njëjtë, por të përçara mes vete për shkak të qëndrimeve të tyre ideologjike.

Duke e vështruar me kujdes gjendjen e vështirë në këto vende, OKB dhe organizatat tjera, vendosën të ndërhyjnë në zgjidhjen e konfliktit, por pa sukses. Në një situatë të tillë, miliona qytetarë vendas, u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre, dhe të emigrojnë në çdo cep të botës, në kërkim të ”tokës së premtuar”. Turqia, mund të llogaritet si shteti i parë që hapi portat për këta njerëz, duke ofruar kushte të volitshme, që nga kampet strehimore deri tek arsimimi dhe edukimi i tyre. Mirëpo, këto nuk mjaftuan, dhe ata vendosën të largohen drejtë Evropës. Në shtetet transit, siç është Maqedonia, refugjatët hasën në kushte të vështira, duke filluar nga sjellja e organeve të rendit e deri tek kampet me kushte të vështira.

Nuk munguan reagimet nga organizatat për të drejtat e njeriut, por kjo është edhe fillimi i hipokrizisë. Shtetet perëndimore, duke shpresuar se do të zgjidhnin konfliktin, bombarduan shtëpitë e tyre, dhe i lanë të pastrehë. Ato, njashtu brengosen për gjendjen e refugjatëve në Ballkan, mirëpo ngritin mure me gjemba në kufijtë e tyre për të penguar hyrjen në Evropë, e kur ata kalojnë edhe këtë pengesë, fotografohen duke u ”mirëpritur” nga prijësit evropian. Me vendosjen në kampet e refugjatëve, disa nga ato (të paktën nga fotografitë që vijnë nëpërmjet rrjeteve sociale), u ofrohet mundësia të konvertohen në fenë krishtere. Fatin e tillë, nuk e kanë të gjithë refugjatët! Qindra prej tyre vdiqën në detet e Mesdheut, apo në mjetet e udhëtimit nga banditët që merren me transportin ilegal.

Por, a është kjo fundi i gjithë këtij problemi?

Ditët e fundit, në rrjetet sociale po qarkullojnë disa fotografi nga persona të dyshimtë të cilët shtirren si emigrantë, e që në të kaluarën, kanë qenë gangsterë lokal apo eprorë të lartë ushtarak që persekutonin popullatën. Të detyruar të largohen nga vendet e tyre, po ballafaqohen me tmerret që ua servon bota, dhe kjo mbase vjen si ndëshkim nga e kaluara e tyre. Personat e tillë mund të paraqesin problem serioz për Evropën dhe vendet tjera. Edhe pse organet e sigurisë kanë organizim të nivelit të lartë dhe mjete të sofistikuara, prapëseprapë mund të ndeshen me rrezikun nga këta njerëz.

Përhapja e Islamit, është mundësi tjetër që bartin me vete këta emigrantë, por bashkë me të edhe rrezikun nga konfliktet sektare që mund të zhvendosen nga Lindja e Mesme në Evropë, andaj duhet kushtuar kujdes i veçantë një problemi të tillë potencial, njashtu që mund të rrënoj vlerat e ngritura nga institucionet aktuale fetare Islame në vendet perëndimore. Në një situatë të tillë, doemos duhet organizuar konferenca të paqes dhe tolerancës në nivel botërorë, për t’i dhënë fund luftërave që po zhvillohen në planetin tonë.

Lajme të ngjashme

Back to top button