Qeveria do të vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme nëpër kufij?

Sot është dita e 25-të prej kur Qeveria e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për kufirin jugor dhe verior, për shkak të numrit të madh të refugjatëve të cilët hyjnë dhe transitojnë nëpërmjet territorit të Maqedonisë. Edhe një javë ngelet për kalimin e afatit të vlefshmërisë së masave të marra për gjendjen e jashtëzakonshme, transmeton Portalb.

Vendimi për gjendje krize, mundësoi që për sigurimin e kufijve të shtetit të angazhohet edhe Armata e Republikës së Maqedonisë, duke asistuar edhe policia, ky vendim u mor në një seancë të Qeverisë më 19 gusht të këtij viti.

A do të vazhdojë gjendja e jashtëzakonshme edhe pas kalimit të afatit prej 30 ditëve? Institucionet përkatëse deri më tani zyrtarisht dhe kategorikisht nuk janë deklaruar.

Të dhënat dhe analizat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, tregojnë që kriza me refugjatët, siç duket së shpejti nuk do të mbarojë, ndërkaq pritet që numri i refugjatëve që vijnë nga Greqia në periudhën e ardhshme të rritet edhe më shumë. Këto vlerësime shkojnë në drejtim që vazhdimi i gjendjes së jashtëzakonshme ka gjasa të vazhdojë edhe më tej, transmeton Portalb.

“Vendimi për shpalljen e gjendjes së krizës që e ka miratuar Qeveria, në bazë të vlerësimeve të shumicës së institucioneve. Për institucionet tjera nuk mund të flas, por për institucionet e MPB-së dhe sipas njohurive me te cilat disponon ministra, kriza e refugjatëve nuk do të mbarojë në kohë të shkurtër. Sipas të gjitha njohurive që i kemi, numri i tyre do të rritet”, thotë ndihmësministri për lidhje me publikun në MPB Ivo Koteski.

Sipas ligjit për menaxhim me kriza, vendimi për gjendje krize nuk mund të zgjasë më shumë se 30 ditë.

Në rast se kalohet kjo periudhë, apo gjendja vazhdon pas ditës së 30-të, Qeveria duhet të kërkojë miratim nga Parlamenti për vazhdimin e afatit ose të propozojë, gjendje emergjente apo lufte.

Nga shpallja e gjendjes së krizës, me përjashtim të tensioneve dyditore në kufirin jugor, nga Greqia në Maqedoni, çdo ditë hyjnë me mijëra refugjatë, transporti i të cilëve prej kufirit verior në atë jugor po bëhet pa pengesa dhe me koordinim të mirë mes institucioneve përkatëse./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button