UNICEF thirrje liderëve europianë: Përkujdesuni për fëmijët refugjatë

Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë UNICEF i ka bërë thirrje liderëve europianë të ndërmarrin hapa konkrete lidhur me fëmijët refugjatët dhe emigrantët.

Në një deklaratë për mediat Zëvendës Drejtori Ekzekutiv i UNICEF-it, Yoka Brandt ka përshëndetur përkushtimin në rritje të liderëve europianë për marrjen e masave për të mbrojtur plotësisht fëmijët.

“Mbrojtja e fëmijëve refugjatë dhe emigrantë, veçanërisht kur stina e dimrit po afron, duhet të jetë në qendër të reagimit Evropian. Ky takim do të shqyrtojë hapat që priten të ndërmerren në lidhje me krizën e refugjatëve dhe emigrantëve. Të gjithë këta fëmijë, të cilët po vuajnë kaq shumë, gëzojnë të drejtën e mbrojtjes dhe të dinjitetit. Tani është koha që këto të drejta të shndërrohen në realitet”- u shpreh Brandt.

UNICEF ka renditur disa prioritete të cilat liderët e vendeve të BE-së duhet t’i shikojnë me rigorozitet:

– Familjet të mbahen të bashkuara gjithë kohës dhe të zbatohen programe ribashkimi dhe gjetjeje për fëmijët të cilët mbërrijnë në Evropë të pashoqëruar, apo për ata të cilët janë ndarë nga familjet e tyre përgjatë udhëtimit.

– Akses në procedurat e azilit të cilat duhet të ndërmerren duke vendosur si prioritet interesin më të lartë të fëmijës.

– Mbështetje profesionale dhe këshillim për fëmijët dhe familjet e tyre për të siguruar të drejtat e fëmijëve, pavarësisht nga statusi ligjor, në çdo hap të procesit.

– Investime financiare të mjaftueshme në sistemet e mbrojtjes së fëmijëve, shërbimeve, dhe kapaciteteve në mënyrë që fëmijët të mbështeten nga ekspertë të trajnuar për mirëqenien e fëmijëve, me të njëjta standarde të larta të kujdesit që u ofrohet fëmijëve në vendet anëtare të BE-së.

– Përpjekje të vazhdueshme për të ulur rrezikun nga kontrabanduesit dhe rreziqet e tjera. Të gjithë fëmijët, veçanërisht ata që janë të pashoqëruar apo të ndarë nga familjet e tyre, janë të ekspozuar ndaj shfrytëzimit, dhunës, dhe abuzimeve përgjatë gjithë udhëtimit apo edhe kur mbërrijnë në vendet që ata kanë patur si destinacion.

– Hartim i programeve të rivendosjes dhe riorganizimit të qendrave pritëse që janë të fokusara ndaj fëmijëve, duke përfshirë këtu ofrimin e kujdesit shëndetësor, të mësuarit dhe lojrat, si edhe mbështetje dhe këshillimi për të trajtuar fëmijët nga traumat që ata kanë vuajtur përgjatë udhëtimit.

Në statistikat e UNICEF-it fëmijët përbëjnë pothuajse çerekun e të gjithë azilkërkuesve në Europë. Në 6 muajt e parë të 2015 rreth 106 mijë fëmijë kryesisht nga vendet si Siria, Iraku dhe Afganistani kërkojnë azil në vendet më të zhvilluara të BE. Prej vitit 2014 njerëzit që kërkojnë azil në vendet e BE kanë shënuar një rritje prej 75%.

Lajme të ngjashme

Back to top button