Avionë rusë me “ndihma” arrijnë në Siri

Media shtetërore siriane ka raportuar se dy aeroplanë rusë, me 80 tonelata ndihma humanitare, kanë arritur të shtunën në qytetin port të Sirisë, Latakia.

Në Moskë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se ndihma humanitare përfshin materiale për ngritjen e një kampi tendë, si: shtretër, dyshekë, stufa, rezervuarë uji dhe ushqim për më shumë se 1,000 refugjatë.

Ndihma e raportuar vjen në kohën kur Perëndimi është i shqetësuar për rritjen e aktivitetit ushtarak të Rusisë në Siri.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka thënë se Rusia është duke dërguar armë në Siri dhe se këshilltarët rusë janë duke trajnuar ushtrinë siriane për përdorimin e tyre.

Uashingtoni ka paralajmëruar se prania ushtarake e Rusisë në Siri mund të çojë në “konfrontim” me koalicionin ndërkombëtar që kryen sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS).

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë të premten se mbështetja e Rusisë për presidentin sirian, Bashar al-Assad, do të dështojë.

Lajme të ngjashme

Back to top button