Jahjaga takon liderin e opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha pati sot një takim pune me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila shoqërohej nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, Selim Selimi këshilltar për çështjet ligjore dhe i ngarkuari me punë i ambasadës së Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve zyrtare nga Partia Demokratike e Shqipërisë, Presidentja e Kosovës ka vlerësuar mbështetjen që PD dhe Basha i kanë dhënë Kosovës si për shpalljen e pavarësisë ashtu dhe për njohjen e saj ndërkombëtare.

“Ashtu si dje në qeveri dhe sot në opozitë, Partia Demokratike tha zoti Basha do të vazhdojë të ofrojë të gjithë mbështetjen për procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare dhe njohjen nga shtete që ende se kanë njohur Republikën e Kosovës, në mënyrë që të bëhet sa më parë anëtare e OKB-së”- thuhet në njoftimin zyrtar të PD në lidhje me takimin.

Basha përmendi si fushë të rëndësishme të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës energjinë, duke theksuar nevojën e një vizioni dhe vendosmërie të re për të bërë të mundur në fushën energjitike një ndryshim kolosal të ngjashëm me atë që solli ndërtimi i Rrugës së Kombit. Një vend të veçantë në takimin Basha-Jahjaga zunë dhe zhvillimet e brendshme në të dy vendet, ku thuhet se sfidë e përbashkët për zhvillimin ekonomik dhe integrimin mbetet lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

“Lideri i opozitës Basha ka vlerësuar maturinë e treguar nga klasa politike e Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale si një zgjidhje që do tu japë fund akuzave dhe përbaltjeve kundër luftës së drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës. Serbia, tha zoti Basha, duhet të përgjigjet për dramën familjare dhe kombëtare të mijëra personave të zhdukur. Basha ka vlerësuar edhe progresin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, në funksion të një realiteti të ri bashkëpunimi jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe mes vendeve të tjera të rajonit” thuhet në njoftimin zyrtar të PD.

Lajme të ngjashme

Back to top button