Xhamia Allaxha në ndihmë të refugjatëve (FOTO)

Në këto ditë të vështira për refugjatët, pjesëtarët e “Xhamisë Allaxha” që gjendet në afërsi të tregut të Shkupit “Bit Pazar”, janë vetorganizuar për t’iu dalë në ndihmë refugjatëve nga Lindja e Mesme. Iniciativës i janë bashkangjitur edhe Xhamia e Çairit, disa banorë nga Kumanova, Studeniçani dhe Batinca, ku bashkërisht çdo ditë shkojnë në pikën kufitare Tabanoc.

Për Portalb u prononcuar hoxha i “Xhamisë Allaxha” Llokman Kamberi, i cili gjendjen në terren e përshkruan të tmerrshme.

“S’kanë ku të ulen, ku të pushojnë, kushtet janë katastrofë, por edhe sjellja e autoriteteve është katastrofë. Ne bashkë me disa vëllezër të Shkupit po shkojmë vazhdimisht në pikën kufitare në Tabanoc për t’u ndihmuar edhe pse është mjaft e vështirë që të mbulohen të gjitha kërkesat e tyre sepse aq kemi mjete financiare”, ka thënë hoxhë Kamberi për Portalb.

Po ashtu edhe pjesëtarët e grupit të cilët shkojnë për t’u ndihmuar, shprehen të shqetësuar për gjendjen dhe kushtet në të cilën ndodhen refugjatët.

Në një prononcim për Portalb ka folur Ibrahim Zeneli, anëtar i grupit të rinisë së xhematit të “Xhamisë Allaxha”.

“Situata është mjaft e rëndë, jam i dëshpëruar, ata janë të lodhur e të rraskapitur. Ne si rini e xhematit të Allaxhës, Mundohemi me vetorganizim që çdo ditë njëherë në mëngjes dhe njëherë në mbrëmje të shkojmë e t’u shpërndajmë ndihma nevojtarëve. Sipas mundësive tona, ne u shpërndajmë veshmbathje, batanije dhe ushqim”, ka deklaruar për Portalb, Ibrahim Zeneli.

Hoxha Llokman Kamberi, vlerëson se popullata shqiptare është mjaft humane dhe vazhdimisht ajo po i ndihmon, duke i mënjanuar disa që duan të përfitojnë nga refugjatët duke u shitur sende me çmime shumë të shtrenjta.

“Më vjen mirë që populli shqiptar vazhdimisht u ndihmon dhe përshëndes të gjitha iniciativat e organizatave të ndryshme që po u ndihmojnë këtyre nevojtarëve. Nga ana tjetër nuk më vjen inat nga të huajt që manipulojnë duke ua shitur një batanije që kushton 150 denarë për 10 euro, por më vjen keq nga xhemati që fal 5 kohë namaz dhe mundohet në kurrizin e atyre të ngratëve të përfitojë”, ka thënë hoxhë Llokman Kamberi për Portalb.

Në vazhdim ju sjellim disa foto nga aktiviteti humanitar.
Refugjat Refugjat Refugjat

Lajme të ngjashme

Back to top button