Kushtet jo të volitshme në baraka: Nxënësit kanë probleme me frymëmarrjen!

Portalb paraprakisht ju njoftoi me objektin ku nxënësit shqiptarë të SHMK ”Nace Bugjoni”, Kumanovë e realizojnë procesin edukativo-mësimor. Shkolla teknike në fjalë e ndan të njejtin objekt me gjimnazin, ndërsa vendimi i miratuar prej kohësh për dislokimin e njërës shkollë prej aty, as që ka filluar të realizohet. Kështu, janë të punësuarit e mbi të gjithë vetë nxënësit, ata të cilët vuajnë pasojat nga kushtet jo të volitshme. Nga deklaratat e marra, paralelet e Mjekësisë, që gjysmën e ditës e kalojnë në baraka janë të shqetësuar për shëndetin e tyre.

Baftjar Mustafi, nxënës i vitit të dytë të Mjekësisë deklaroi: “Kushtet janë katastrofale: mungojnë zyrat sanitare, nuk kemi ujë, ndërsa lartë na lejojnë të shkojmë vetëm gjatë pushimit të gjatë. Më e keqja është se shpesh ndonjë nxënës alivanoset e derisa të sjellim ujë prej lartë kam frikë se mund edhe të vdes. Ne mësojmë në baraka. Ato janë të papërshtatshme! Është tepër e vështirë të qëndrojmë për 8 orë aty, sepse kemi problem me frymëmarrjen dhe nuk mund të koncentrohemi maksimalisht gjatë orëve mësimore. Gjatë verës është tepër tepër nxehtë. Gjatë dimrit ndonjëherë nuk i lëshojnë nxehjet sa duhet dhe kemi shumë të ftohtë.Nuk kemi sallë sportive, orën e Sportit e mbajmë në një ambient të hapur jashtë shkollës, ku shpesh kemi zënë në gropa e jemi rrëzuar. Biles është aq larg sa thuajse tërë ora kalon vetëm gjatë rrugës.” Ai shton se nuk ka libra të mjaftueshëm për të gjithë nxënësit.

Barakat- klasa plotësuese për paralelet në gjuhën shqipe
Barakat- klasa plotësuese për paralelet në gjuhën shqipe

“Dimensioni i barakave është i vogël, për numrin e madh të nxënësve që kanë paralelet e Mjekësisë. Ne si klasë ishim gjithsej 39 nxënës dhe për 4 vite mësuam në një prej këtyre barakave të vogla. Në rendin e fundit bankat i vendosim prej njërit skaj deri në skajin tjetër, pa ndërprerje e nuk mbetej hapësirë as për të kaluar. Brenda barakave ajri nuk ishte fare i pastër, pluhur kishte në të gjitha anët. I kemi pasur edhe nga 8 orë, por kemi mundur të koncentrohemi në mësim vetëm 3 ose 4 orët e para, gjithmonë ishim në kërkim të ajrit. Kishte mungesë të oksigjenit. Të gjithë dukeshim më të zbehtë se sa në fillim kur vinim në shkollë. Shpesh dikush alivanosej. Gjatë dimrit prej të ftohtit asnjëherë nuk i kemi veshur uniformat, i mbanim palltot tërë kohën, e nxehjet herë i lëshonin, herë jo. Kurse gjatë verës bëhej tepër nxehtë, kishte klimë, por kot. Ishte shumë keq! Nuk kishte ujë e as tualet, për këtë na duhej të shkonim lartë, e shpesh ka ndodhur të na kthejë profesori kujdestar. Kabineti i praktikës është në podrum, që nuk është as 2m i lartë e nuk ka hapësirë për më shumë se 15 nxënës. Vërtetë ato kushte janë të papërballueshme!”-deklaroi Fatlinda Agushi, e cila tani fillon studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin “Sh.Kirili dhe Metodij”, Shkup.

Për Portalb mbi këtë çështje folën edhe profesorët e punësuar në shkollën teknike. Prof. Fërdeze Aliu Sulimani tha:

“Kushtet në shkollën ku punoj janë shumë të vështira për kohën në të cilën jetojmë. Disa nxënës mësojnë në podrume, ku ka foni të zërit dhe vështirë zhvillohet mësimi. Ndërsa disa në baraka, pavarësisht se para 5 viteve na u premtua se në to do të qëndrojmë vetëm për një vit. Kushtet në baraka janë katastrofale: brenda është shumë nxehtë, po të dalësh në korridor është shumë ftohtë. Pra problem është klima: gjatë ditëve të nxehta bëhet tepër nxehtë, gjatë të ftohtave tepër ftohtë. Ka rrymë ajrore.  Nuk ka ujë. Problem tjetër janë tualetet: ka shumë nxënës, por pak tualete e të njejtët i shfrytëzojmë edhe ne profesorët. Më keq nuk mund të jetë! Këto kushte katastrofale kanë filluar të ndikojnë edhe në shëndetin e nxënësve po edhe të të gjithë ne të punësuarve. Nuk ka kabinete për secilën lëndë. kompjuterët nuk i shfrytëzojmë fare përveç për vlerësimin ekstern. Internet më shumë nuk ka, sesa që ka. Ende punojmë si në kohërat më të vjetra, vetëm me dërras të zezë e shkumës. Mungojnë edhe tekstet shkollore, por sidomos gjuha nuk mësohet pa tekste adekuate. Nuk kemi mundësi e as kushte të punojmë më shumë edhe po të duam. Biles edhe përgatitjet dhe punën me ditarin elektronik, që duhet t’i kryejmë në shkollë detyrohemi t’i bëjmë në shtëpi. Faktikisht nuk kemi as jetë private.”

“Problemi kryesor qëndron në faktin se objekti është i vogël për dy shkolla dhe kushtet nuk janë të volitshme as në shkollën teknike e as në gjimnaz. Me padurim e kemi pritur vendimin e Këshillit komunal dhe Ministrisë së Arsimit që njëra prej shkollave të dislokohet në objektin e kazermave, mirëpo sa jam i informuar ende as nuk kanë filluar punimet. Kështu, më keq është për nxënësit e Mjekësisë, të cilët kohë të gjatë janë të mbyllur në baraka, ku ajrosja e frymëmarrja janë më të vështirësuara. Përndryshe mungon salla sportive (si problem i përbashkët i të gjitha shkollave të mesme shqipe në Kumanovë), nevojiten shumë më shumë laboratore, punëtori të caktuara,  mjete teknike, projektorë, po edhe mjete praktike sepse disa nxënës momentalisht e realizojnë praktikën në shkollën amë, që është shumë larg. Gjithsesi brenda kushteve që kemi mundohemi ta japim maksimumin tonë” – tha prof. Fatri Saliu duke shpresuar në ngritjen e vetëdijes shoqërore për të investuar në shkollim, pasi siç dhe thekson “Shkollimi është pasqyra e përgjithshme e shoqërisë dhe të gjithë presim prej shkollimit që ai të jetë në nivel më të lartë. Në prani të kushteve më të mira gjithçka do të ishte më pozitive për nxënësit, ne dhe të gjithë shoqërinë!”/Portalb.mk

LEXO: Barakat si klasa plotësuese për paralelet në gjuhën shqipe (FOTO+VIDEO)

Lajme të ngjashme

Back to top button