Maqedoni, festohet 24 vjetori i pavarësisë

Republika e Maqedonisë feston sot 24-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë nga Ish-Jugosllavia. Referendumi, i cili u votua nga 95% e popullatës, i parapriu Deklarata për pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991.

Hije dyshimi hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e një pjese të bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë.

Dhjetë vjet më vonë, Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë nga Jugosllavia në vitin 1991 është kundërshtuar nga Greqia për shkak të flamurit dhe emrit Maqedoni, të konsideruara si simbole të Helenëve.

Marrëdhëniet me Greqinë përfundimisht u normalizuan në vitin 1995, por problemet me emrin e Republikës së Maqedonisë akoma ekzistojnë.

Eurointegrimet, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, që shënoi fundin e luftës së shqiptarëve në vitin 2001, si dhe zhvillimi i ulët ekonomik vazhdojnë të jenë çështje diskutimi për këtë shtet.

Lajme të ngjashme

Back to top button