Kosova alarmohet për krizë ekologjike

Kosova ka shkallë të lartë të ndotjes, madje alarmohet edhe për krizë ekologjike, konstaton Arif Krasniqi, kryetar i Partisë Ekologjike.

Ai në një intervistë për gazetën Koha Ditore ka folur më në hollësi për ambientin në të cilin jetojnë kosovarët.

Krasniqi industrinë e ka bërë përgjegjësen kryesore për shkatërrimin e ambientit, ndërsa si ndotës kryesorë i ka listuar termocentralet, pastaj “Trepçën”, “Ferronikelin” e “Sharcemin”.

Ai nuk konsideron se këta operatorë duhet mbyllur, por ka shtruar nevojën e investimit në teknologjinë që redukton ndotjen. Po kështu, ka kërkuar që t’u faturohet atyre taksa “Ndotësi paguan”, nga e cila do të investohej në përmirësimin e gjendjes ekologjike dhe në atë të mjedisit në Kosovë.

Krasniqi ka alarmuar për ndotje organike të ujit për pije, me të cilin furnizohen qytetarët, e po kështu edhe për mungesën e kontrollit të ushqimit të modifikuar gjenetikisht, i cili tregtohet.

Në këtë intervistë ai ka dhënë vlerësimin e tij përkitazi me vëmendjen që Kosova u kushton aspekteve ambientale, të cilat prioritet i kanë shtetet e zhvilluara, e po ashtu edhe për masat që aktorët kryesorë duhet ndërmarrë, në mënyrë që gjendja të ndryshojë.

I pyetur se në çfarë ambienti jetojnë kosovarë, Krasniqi thotë se “Kosova është ndër vendet më të ndotura në rajon. Kosovarët jetojnë në një ambient ku vazhdimisht rrezikohet mjedisi i tyre, ndotet ajri e uji dhe degradohet toka. Në shumë mjedise mungon ambienti, uji dhe ajri i pastër“.

“Qytetarët çdo ditë po ballafaqohen me mbeturina, me deponi bërlloku gjithandej, keqpërdorime të tokës bujqësore, ndërtime të egra dhe pa leje, me ujëra të zeza, substanca kimike, plehra, pesticide, gazra që lirohen nga fabrika, automjete, pastaj nga djegia e gomave dhe plehrave. Kemi përplot mbeturina nga industria, bujqësia, institucionet shëndetësore, miniera. Po ashtu dhe mbeturinat e ambalazheve të ndryshme, bateri nga nikeli dhe kaliumi…”, tha ai.

Ai ka thënë se po degradohen shtretërit e lumenjve.

“Po priten pyjet. Po organizohen aktivitete të pakontrolluara turistike dhe rekreative dhe kohëve të fundit gjithnjë e më shumë po konsumohet ushqimi gjenetikisht i modifikuar. Të gjitha këto po ushtrojnë dukshëm ndikim shkatërrues mbi ambientin, po ndikojnë në zhdukjen e shumë specieve bimore dhe shtazore, në shfaqjen e sëmundjeve dhe po kërcënojnë edhe jetën e qytetarëve…”, tha Krasniqi.

Lajme të ngjashme

Back to top button