Kur mungon qytetarizmi

Shumë propagandë, shumë informata, shumë debate kushtuar asaj si duhet ta ndërtojmë shoqërinë, marrëdhëniet me shtetet fqinje, politikat e bashkëpunimit ndëretnik, koalicione politike dhe kampanja elektorale. Shumë para dhe shumë energji të derdhura në krijimin e iluzionit që më e rëndësishme është shumica sesa individi; iluzionit që nëse në shtet vendoset rendi demokratik, liria e shprehjes dhe mirëqenia ekonomike, edhe individi do të jetë i kënaqur. Fatkeqësisht të dhëna empirike për të vërtetuar saktësinë e kësaj premise nuk kemi në Maqedoni. Por aty ku mungon empirizmi, lulëzon pragmatizmi. Pragmatizmi tregon që është pikërisht e kundërta, që pa zhvilluar individë të fortë nuk mund të krijohet një shoqëri e fuqishme dhe e ndërgjegjshme. Janë individualizmat ato që krijojnë iluzionin e një shoqërie të fuqishme dhe të ndërgjegjshme. Tek ne, për arsye antropologjike që kërkojnë elaborim të posacëm në shkrime të ardhshme, mungon edukimi i individit si shtyllë e shoqërisë. Shoqëria jonë individin e edukon në frymën e mediokritetit; eksperienca dhe të dhënat empirike tregojnë që sa më hipokrit, i paaftë dhe mediokër të tregohet individi, aq më të lartë dhe të rëndësishme do ta ketë pozitën dhe rolin në shoqëri. Kështu tek ne krijohet një shoqëri e egër, kafshërore dhe dembele. Shoqëri pa vlera qytetare. Një social darvinizëm i cmendur, i mbrapshtë. Një shoqëri me një përzierje shtresash dhe prejardhjesh që mund të quhet gjithcka përvec kozmopolitane.

Ja një shembull, që për mua është përditshmëri: jetoj në katet e larta të një ndërtese në Cair. I mësuar me zhurmën e rrugës time, që tejkalon decibelat e aeroporteve më të mëdhenj, disi më zen gjumi. Ndërkaq moda relativisht e re e histerisë në festimin e marrjes së nuses, apo synetllëkut, me turma veturash që amortizojnë sirenat, pse jo edhe me disa të shtëna rafallesh – me kohë njeriu fillon dhe i dallon llojet e rafalleve dhe armëve, pastaj cilat rafalle në cfarë lloje ahengjesh përdoren – nënkuptohet që të prishin uikendin. Muzika nga sistemi i ndonjë veture që është parkuar në mes të rrugës pas mesnate, të shtyn të mbash ritëm me këmbë teksa je i shtrirë në krevat i dergjur për pak gjum të rehatshëm. Thërret policinë për të intervenuar sepse edhe pse je pjesë e këtij qyteti të cmendur, akoma nuk e ke të qartë pse dikush duhet të lëshojë muzikë me aq zë të fuqishëm në një lagje që është e populluar shumë dendur pas mesnate në një të diel. Kuptohet që qetësia pas intervenimit policor është kohëshkurtër – dhe këtë e din thellë përbrenda – sepse personi që ka aq shumë qejf muzikën e zhurmshme, është i edukuar po në atë social darvinizëm të sëmurë dhe të mbrapshtë; sipas logjikës së tij, fuqinë e tij ai do ta tregojë kur të sfidojë qetësinë e një lagjeje të tërë, bile i revoltuar që dikush ka thirrur policinë në ndihmë, përforcon nivelin e zhurmës akoma më shumë.

Nuk kam asgjëkundër atyre që shijojnë muzikën, apo atyre që kanë ahengje familjare. Fundja është e drejta e tyre, është liri e shprehjes. Është e mira e demokracisë që e kemi ndërtuar – apo në rastin tonë, të anarkisë, e idiotizmit. Por ka edhe një element tjetër. Sipas një definicioni që më pëlqen shumë, liria është e drejta e secilit të veprojë ashtu si e sheh të arsyeshme, përderisa nuk e cënon lirinë e tjetrit.

Kam kundër atyre zyrtarëve, atyre institucioneve që nuk veprojnë. Atyre të zgjedhurve, atyre administratorëve që marrin rrogë nga taksat që i paguajmë ne që vuajmë nga mosrehatia, nga shkelja e të drejtave tona për tu kënaqur në një pasdite apo një uikendi të qetë në shtëpinë tonë. Kam kundër atyre ministrave të arsimit, drejtora shkollash dhe profesorësh që mendojnë që synimi i shkollës është vetëm të përmbushë kurikulume moderne (Kembrixh apo ckadoqoftë), dhe që harrojnë që sistemi arsimor duhet të arsimojë dhe të edukojë individë me vlera qytetare. Kam kundërshtim për bashkëqytetarët e mij që nuk kanë përgjegjësi dhe nuk kanë guxim që të kërkojnë dhe të instigojnë ndryshim, edukim, qytetarizim.

Përsëri, një mbrëmje e paqetë, e zhurmshme…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button