Dredhia dhe trimëria

Mitet, sipas Karen Armstrongut, përshkruajnë ngjarje që, ndonëse nuk i njeh historia, kanë ndodhur dikur dhe ndodhin në të gjithë kohërat.

Mitet, sipas tij, flasin për atë që duhet bërë, me qëllim që jeta jonë të jetë më e pasur. Shprehin mesazhe të thella dhe informacione të shkallës së lartë, nëpërmjet gjuhës së figuracionit.

Shpesh u referohemi miteve për të dhënë mesazhe në mënyrën më të bukur të mundshme. Nëse duam të flasim se si merita dhe e drejta nuk fitojnë përherë kundrejt mashtrimit, atëherë mund t’i referohemi mitit të Ajaksit dhe Odiseut.

Ajaksi njihet si luftëtari i dytë për nga guximi, pas Akilit. Odise mendtari është më pak i guximshëm se sa Ajaksi,  por më i zgjuar se sa ai.

Pas përfundimit të Luftës së Trojës, Ajaks trimi dhe Odise dinaku, pretendonin se kishin merita luftarake për të pasur armët e Akil këmbëshpejtit.

Të dy kishin qenë lojtarët të rëndësishëm për shkatërrimin e Trojës, atdheun e kupë përmbysurit Parid.

Njëri ishte guximtari, pra Ajaksi, kurse tjetri dhe dinaku, me vështrim prej gjeniu, pra Odiseu.

Ajaksi ishte vetëm njeri i veprimit, Odiseu ishte edhe njeri i mendimit, dredhisë.

Ajaksi ishte luftëtari i rreptë, Odiseu ishte edhe politikani.

Ajaksi besonte me naivitet vetëm te merita, Odiseu e dinte se fitorja i përket atij që i vjedh trofetë e saj.

Armët e Akilit duhej t’i takonin vetëm njërit. Assesi të dyve. Një vendim i vështirë për këdo.

Grekët dinak vendosën: gjyqin duhej ta bënin të mposhturit, pra trojanët. Ata do të dëshmonin se kush kishte vrarë më shumë mbrojtës të Trojës.

Më trimi, pa dyshim, ishte Ajaksi, por Odiseu i kishte korruptuar robërit trojanë, të cilët votuan për dinakun. Armët duhej t’i takonin Odiseut. Ky vendim e tmerroi luftëtarin e egër.

I bindur se e drejta ishte në anën e tij, Ajaksi vendosi të hiqte qafe prijësit e pabesë grekë, por u çmend nga Athina. I bindur se përballej me kundërshtarët, ai po shkatërronte një kope dhensh. Kur u kthjell dhe e kuptoi marrëzinë, ai bëri vetëvrasje. Nuk mundi ta duronte talljen. Krenaria e luftëtarit nuk e duronte përçmimin e këtillë.

Ky është miti. Një mit që na shpalos porosinë e thellë: se nuk triumfon guximi pa mendim. Në udhëheqjen e punëve publike duhen guximi dhe mendimi. Ky mit na jep mesazhin se dredhakët shijojnë të mirat, kurse të guximshmit që kanë rrezikuar gjithçka përjetojnë fatin e Ajaksit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button