BDI partia më e fortë shqiptare?! Futja kot

“Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të jetë subjekti më i fuqishëm politik te shqiptarët në Republikën e Maqedonisë, duke pasur besueshmëri të lartë dhe të palëkundur te elektorati i vetë”. Ky është reagimi zyrtar i partisë shqiptare në pushtet, BDI, pas publikimit të një sondazhi sipas të cilit, ky subjekt politik kishte pësuar rënie të madhe.
Sigurisht që edhe BDI-ja, ashtu siç do parti apo individ tjetër, ka të gjithë të drejtën të mbrojtë interesat e veta edhe kur e di se i ka të gabuara, por ta quash veten “partia më e fortë shqiptare në Maqedoni” është sa komike aq edhe tragjike.
Aq të lumtur i sheh shqiptarët e Maqedonisë BDI-ja që reagon haptazi me kaq fodullëk?!
BDI ka ministrin e Drejtësisë në qeverinë e Shkupit, por shqiptarët vazhdojnë të dënohen padrejtësisht (shembulli më i mirë është rasti “Monstra”).
BDI ka ministrin e Arsimit, por tekstet shkollore në Maqedoni vazhdojnë të fyejnë shqiptarët.
BDI ka zv/ministrin e brendshëm, por shqiptarët vazhdojnë të dhunohen sa herë iu teket maqedonasve, madje edhe lagjet e tyre bombardohen sa herë kanë dëshirë (“Lagja e Trimave” më 9 dhe 10 maj) apo vrasjen e ish Komandantëve të luftës Mirsad Ndrecaj, Beg Rizaj apo Xhemail Rexhepit.
Para dy ditësh kryeministri Nikolla Gruevski lançoi disa investime në infrastrukturë, ku për 126 kilometra autostradë do të shpenzoheshin 276 milionë euro, por askund nuk kishte një zonë me shumicë shqiptare. Për të mos folur për punësimet në administratë apo “bombat” e Zaev ku u dëgjuan abuzimet e pushtetarëve të BDI-së me pushtetin që ia dhanë shqiptarët.
Duhen orë të tëra për të folur për “forcën” e BDI-së, por kjo parti nëse do vërtetë të tregojë se sa e fortë është atëherë duhet të presë zgjedhjet e Prillit 2016. Aty do të tregohet “forca” dhe burrëria” e gjithësecilit. /albeu.com/n

Lajme të ngjashme

Back to top button