Bashkimi i opozitës

Shumë gjëra varen nga qëllimi kryesor dhe vullneti për realizimin e tij. Gjërat tjera dytësore nuk mund të jenë problem nëse ekziston vullnet për realizimin e qëllimit kryesor. Në të kundërt gjërat dytësore mund të bëhen mjete për tu shmangur nga qëllimi kryesor dhe për të krijuar huti.

Ne mund të kemi strukturë krejt të ndryshme, ide dhe ideale të ndryshme, por nëse qëllimi i të gjithëve ne është ndryshimi i gjendjes dhe marrja e legjitimitetit dy partive BDI dhe PDSH, atherë nuk ka formulë tjetër pos bashkimit të forcave opozitare. Zgjedhjet e vitit 2011 treguan se elektorati opozitar mund të jetë më i madh se ai i partisë në pushtet, por përçarja që bëri qëllimisht për interesa private Menduh Tha­çi pengoi mposhtjen e BDI-së. Siç është bërë tashmë publike edhe nga përgjimet e nxjerra, BDI-ja dhe PDSH-ja janë që të dyja subjekte të kontrolluara nga shërbimi sekret dhe ato janë të koordinuara mes vete.

RDK-ja një kohë ka qenë e vetme në përballjen e saj me këto dy vegla të pushtetit. Dalja në skenë e Lëvizjes për reforma në PDSH, dhe marrja nga ana e kësaj të fundit të pjesës më të madhe të elektortit të PDSH-së, dhe më pas edhe e Lëvizjes “Besa”, ka krijuar mundësinë për ndryshimin e raportit të forcave. Por një gjë e tillë është e mundur vetëm me bashkimin e forcave të vërteta opozitare, sepse kapaciteti i secilës veç e veç është i pamjaftueshëm për të sjellë ndryshimin, prandaj edhe dalja e cilitdo subjekt vet nënkupton sabotim të kërkesës së popullit për ndryshim dhe çuarje ujë në mullirin e BDI-së dhe PDSH-së. RDK-ja e vetme, jashtë Gostivarit, ka kapacitet të kufizuar. Për Lëvizjen e Reformave në PDSH, shtrirja jashtë Strugës është e pamjaftueshmë për të qenë faktor në skenën politike. Ndërsa BESA, megjithë shtrirjen në Shkup, ka shtrirje krejt simbolike në Kumanovë dhe Tetovë, ndërsa poshtë Tetovës pothuajse as nuk ekziston. Nga ana tjetër, nëse kemi parasysh se secili nga këto subjekte është faktor politik në një nga tre qytetet me rëndësi të banuara me shqiptarë: Gostivar, Strugë dhe Shkup dhe nëse i shton kësaj edhe elektoratin që mund të mbledhin bashkërisht të treja në Tetovë, Kumanovë dhe qytetet tjera, si dhe shtimin e mbështetjes që sjellë jehona e bashkimit, atherë matematika e thjeshtë tregon se ky do të ishte fundi i partisë së Menduh Thaçit në skenën politike dhe fillimi i fundit të BDI-së. Duke e ndjerë rrezikun, si parti motra që janë, BDI dhe PDSH kanë zbutur tonet mes vete dhe Kryetari i BDI-së po shfrytëzon çdo situatë për ta ekspozuar në publik Kryetarin e PDSH-së, sepse ai është muri i tij mbrojtës … garantuesi i përçarjes së të tjerëve.

RDK-ja e ka dëshmuar qëllimin për bashkimin e të gjitha forcave opozitare shqiptare në Maqedoni. Ajo ka arritur fillimisht marrëveshje me Lëvizjen për reforma në PDSH dhe shpreson që kjo të zgjerohet në koalicion trepalësh edhe me Lëvizjen BESA, e cila është shprehur për bashkëpunim të forcave opozitare. Por, nocioni bashkëpunim është shumë i gjerë dhe koha deri te zgjedhjet e reja shumë e shkurtër. Çështja kryesore që duhet vendosur është dalja e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme mbi baza të barabarta, sepse legjitimimi bëhet në zgjedhje dhe ky është momenti kyç. Çështjet tjera mund të diskutohen dhe vendosen pas kësaj. Ç’logjikë ka të bashkëpunosh, por në zgjedhje të dalësh i përçarë, duke dëmtuar votat e njëri tjetrit përballë të tjerëve? Bashkëpunimi duhet të jetë ndërmarrje e të tre palëve dhe nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme, në stilin “ejani ju pas meje”, apo “mbështetni ju deklaratat dhe vendimet e mia”. Edhe platforma nëse hartohet duhet të jetë shkrirje e platformave të tre partive, sepse nuk mund të ketë bashkëpunim nën ftesa qesharake “përkraheni ju platformën time”. Në mungesë të një “Skenderbeu” që do t’i bashkonte palët, me parti pa kapacitet real të mjaftueshëm veç e veç, lojra të tilla janë joserioze dhe fëmijërore edhe në sytë e opinionit.

Me qëllim të fillimit të konkretizimit të gjërave, me autorizim të Kryesisë së RDK-së, nga fillim i këtij viti, Kryetari i RDK-së pat ftuar në një takim për një pirje të një kafeje të përbashkët kryetarët e dy subjekteve tjera BESA dhe LR PDSH, pa patur preference dhe pa bërë përjashtime. Qëllimi ishte të përcillet një mesazh bashkëpunimi në opinion dhe t’i hapet rrugë koalicionimit që do të mund t’i bashkëngjiteshin edhe organizata tjera. Kryetari i BESA-s nuk mori pjesë në këtë takim dhe përgjigjja që u përcoll nga Lëvizja BESA në atë kohë ishte se në atë fazë ata ishin të interesuar për krijimin e identitetit të subjektit të tyre. Edhe më vonë në takimet në Prishtinë përfaqësuesit e Lëvizjes BESA janë shprehur pro bashkëpunimit, por kanë thënë se nuk kanë mandat të vendosin për çështjen e zgjedhjeve dhe kanë kërkuar kohë të deklarohen. Kjo është çështja kyçe dhe këtë duhet ta vendosin ata vet: a është BESA e gatshme të dalë në garën zgjedhore në një koalicion trepalësh të barabartë apo jo? Nëse po atherë mund të diskutohen detajet dhe çështjet tjera, nëse jo është e kotë të humbet kohë me gjëra dytësore si deri më tani. Kjo është një çështje të cilës i kanë dhënë përgjigje RDK-ja dhe LR – PDSH, prandaj edhe kanë arritur marrëveshje koalicionimi. Nëse p.sh. Lëvizja BESA bën ftesë (dhe këtu nuk duhet vuajtur nga kompleksi se kush e bën ftesën) për një takim trepalësh për arritjen e marrëveshjes për dalje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme mbi baza të barabarta trepalëshe, atherë besoj se do të këtë përgjigje pozitive edhe nga RDK-ja edhe nga Lëvizja për Reforma në PDSH, përfaqësuesit e së cilës gjithashtu në vazhdimësi në takimet tona janë shprehur pro daljes së përbashkët trepalëshe në zgjedhjet e ardhshme, mbi baza të barabarta.

Çështja se kush do të jetë lideri i koalicionit është shqetësim i krijuar artificialisht. Ky nuk do të jetë koalicionim mes një partie shumë të madhe dhe tjerave të vogla, por mes tre subjekteve me kapacitet përafërsisht të njëjtë. Koalicionimi mbi baza të barabarta nuk mund të ketë një lider të vetëm, sepse nëse ka qëndrim të përbashkët ai duhet të jetë qëndrim i dakorduar paraprak i të tre palëve, i shprehur ose bashkërisht ose me rotacion, në të kundërt secili lider ose parti mund të shpeh qëndrimet e veta të lira ndryshe, vetëm në emër të subjektit të vet, të cilat jo domosdo do të jenë edhe qëndrime të koalicionit ose partive të tjera, por edhe që nuk do të jenë kundër tyre.

Gjetja e pretekseve nga cilado palë, marrja me gjëra dytësore, përhapja e thashethemeve dhe zmadhimi i cikërrimave nga cilido subjekt, janë mekanizëm vetëm për të fshehur synimin për tu shmangur nga qëllimi kryesor.

Lajme të ngjashme

Back to top button