Kryqi i Kuq: emigrantët kanë nevojë për ndihmë jo dhunë

Në lidhje me gjendjen e emigrantëve në Maqedoni dhe aktivitetet e Kryqit të Kuq të Shkupit, organizatave joqeveritare, por edhe të gjithë atyre që po ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së emigrantëve, Portalb zhvilloi një bisedë me sekretaren e Kryqit të Kuq të Shkupit, Suzana Tauneva Paunovska.

“Kryqi i Kuq është i obliguar për të siguruar mbrojtje dhe transport mjekësor deri në spitalin lokal. Gjithsej 18 mjekë dhe ndihmës mjek janë të inkuadruar në operacionin për mbrojtje mjekësore. Gjithashtu çdo ditë shpërndajmë ushqim, ujë, preparate higjienike për burra dhe gra, pako për foshnje, veshmbathje, batanije dhe gjithçka që ju nevojitet emigrantëve. Në këtë aksion janë të inkuadruara edhe shoqatat joqeveritare, “Nun” dhe “Legis”, por edhe iniciativa e qytetarëve për ndihmën e emigrantëve”, thotë për Portalb, Paunovska.

Kryqi i Kuq i Shkupit, ka qenë në gatishmëri dhe në rrjedha prej fillimit të krizës.

“Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, kemi qenë aktivë në Qendrën Transitore për të huaj në Shkup, ku gjatë çdo muajit u kemi ndihmuar me mbrojtje mjekësore dhe humanitare 300 personave. Në kuadër të Qendrës, funksionon ambulanca e Kryqit të Kuq. Me ndryshimin e ligjit për të huajt në R.M. që nga fillimi i qershorit e deri më tani gjithsej në tërë Maqedoninë kanë kaluar mbi 5000 persona, të cilët vetëm kanë tranzituar, si dhe ka qindra që kanë kërkuar azil. Çdo ditë kemi nga 150 deri 180 intervenime dhe rreth 70 transporte deri në spital. Gjatë dy-tre muajve të fundit gjithsej kemi intervenuar në 6500 persona, prej tyre më shume janë fëmijë dhe gra shtatzëna . Probleme më të shpeshta shëndetësore paraqiten te të sëmurët kronik, por ka edhe prej atyre në gjendje akute me sëmundje të frymëmarrjes, infeksione të zorrëve, sëmundje të lëkurës, diabetit dhe dy goditje të rrymës elektrike. Deri më tani kemi vetëm një person të vdekur nga infarkti dhe 29 të tjerë të cilët e kanë humbur jetën në fatkeqësi hekurudhore” shton Paunovska.

Pjesa më e keqe e kësaj krize padyshim është keqpërdorimi i të ikurve që po bëhet nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm.

“Në çdo krizë ekzistojnë grupe që për fat të keq e shfrytëzojnë rastin, ky i fundit është rast me njerëz të pafuqishëm. Thjeshtë dua të besoj se këto janë grupe të izoluara të profiterëve të cilët e meritojnë dënimin sipas ligjit të shtetit”, shprehet Paunovska.

Edhe pse Maqedonia ka kapacitet të vogël, por sistemimi dhe koordinimi i aktorëve në fushë ka mund t’i zbusë krizat. “Maqedonia është shtet i vogël, resurset njerëzore dhe materiale janë të përkufizuara, mendoj që atë që po e bëjmë me ndihmën e UNHCR, shoqatave joqeveritare, sektori korporativ dhe donacionet individuale, po japim ndihmë të thjeshtë humanitare mirëqenien e emigrantëve të cilët tranzitojnë nëpërmjet Maqedonisë. Kuptohet që nuk mundemi t’i plotësojmë të gjitha kërkesat e tyre, por me sjellje të mirë dhe me ndihma humanitare, mundemi të jemi të kënaqur. Sikur në çdo krizë edhe në këtë, më e rëndësishmja është të ketë sistem dhe koordinim të mirë të të gjithë aktorëve në fushë” vlerëson për Portalb, Paunovska.

Duhet të kihet kujdes me emigrantët, nuk duhet dhunë. Qeveria po vepron në bazë të ndryshimeve në rajon sepse edhe ajo është pjesë e lojës “domino”. Duhet të kemi kujdes me emigrantët sepse ata vijnë nga vende me kulturë tjetër.

“Ne i kemi planet tona me të cilat do ta vërtetojmë përgjegjësinë sociale në shoqërinë tonë. Në gjithë këtë situatë do të na ishte e nevojshme ndihmë nga jashtë. Qeveria jonë dhe trupi koordinues i cili është përgjegjës për ndjekjen e situatës, gjithashtu do të reagojë sipas ndryshimeve të situatave që do të ndodhin në regjion. Ajo është thjeshtë “Domino” efekt, mbyllja e njërit kufi, sjellë mbylljen e tjetrit paraprak. Kjo krizë për ne është diçka e re, po përballemi me persona që vijnë nga vende tjera të botës, që në aspektin e kulturës janë më ndryshe nga ne, për atë është e duhur mirë të organizohemi” tha në prononcimin për Portalb, sekretaresha e Kryqit të Kuq të Shkupit, Suzana Tuneva Paunovska. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button