REFORMA ZGJEDHORE – SISTEMI ME NJË NJËSI

Prej vitit 2002 e këtej zgjedhjet parlamentare në Maqedoni janë mbajtur me sistem proporcional me ndarje të vendit në gjashtë njësi zgjedhore. Në forma të ndryshme zgjedhja proporcionale është sistemi më i përhapur në botë, posaçërisht në Europën kontinentale dhe Amerikën Latine. Në bisedimet për reformën zgjedhore në Maqedoni po diskutohet edhe mundësia e ruajtjes së këtij sistemi, por duke shndërruar gjithë vendin në një njësi të vetme zgjedhore. Propozimi mbështetet nga të gjitha partitë dhe lëvizjet në vend me përjashtim të VMRO-së, BDI-së dhe PDSH-së.

Si funksionon – Për dallim nga sistemi i shumicës ku votohet direkt për një kandidat, në sistemin proporcional votohet një listë me emra kandidatësh (20 në sistemin e tanishëm, 120 me një njësi zgjedhore). Vendi mund të jetë një njësi zgjedhore (psh. si në Kosovë apo Serbi), apo mund të ndahet në më tepër njësi (psh. 6 në Maqedoni, 10 në Kroaci, 12 në Shqipëri etj.). Njësitë mund të jenë me madhësi të njëjtë dhe të zgjedhin numër të njëjtë deputetësh, apo me madhësi të ndryshme dhe numër të ndryshëm deputetësh. Në fund numërohen votat që ka marrë secila listë e pastaj mandatet ndahen proporcionalisht sipas votave. Ndarja mund të bëhet në mënyra të ndryshme, si me sistemin e mbetësit më të madh, mbetësit më të vogël etj. Por më i njohuri është i ashtuquajturi sistemi i D’Hondtit, që zbatohet për momentin edhe tek ne.

Kur veçmë është bërë shpërndarja e mandateve në lista, pason përcaktimi i kandidatëve fitues brenda secilës listë. Në variantin e listave të mbyllura këtë gjë e bën vetë partia me rradhitjen e kandidatëve në listë. Me variantin e listave të hapura zgjedhjen e bën votuesi duke rrethuar përskaj listës edhe emrin e kandidatit që preferon.

Pragu – Veçori e sistemit proporcional është edhe mundësia e vendosjes së pragut zgjedhor. Pragu përcakton se gjatë ndarjes së mandateve do të merren parasysh vetëm votat e partive që kanë marrë më tepër se X% të votave. Thënë ndryshe votat e partive që nuk arrijnë këtë X% digjen dhe mandatet e tyre i marrin partitë e mëdha. Vendosja e pragut është vdekjeprurëse për partitë e vogla dhe pakicat. Për shembull me sistem me një njësi pa prag VMRO do të kishte 46 deputetë në 2011 dhe 53 në 2014. Por me prag 5% ajo do të kishte 53 në 2011 dhe 59 në 2014, pra 6-7 deputetë më tepër se që i takojnë. Pragu pra haptazi favorizon partitë e mëdha.

Barazia e votës – Në sistemin me një njësi garantohet barazia e votës. Këtu nuk ka më mundësi të bëhen dredhi duke bërë njësi me numër të ndryshëm votuesish, siç ndodh me sistemin e shumicës apo në sisteme me më tepër njësi. Natyrisht kjo do të thotë se edhe konkurenca është në nivel nacional; për shembull kandidati nga Gostivari është në garë direkte me kandidatin nga Strumica. Në rrethana kur ka dyshime për manipulime zgjedhore kjo e vështirëson mbikëqyrjen e procesit nga ana e partive, sepse ata duhet të kenë vëzhgues në secilin vendvotim në vend, pa marrë parasysh nëse presin aty vota apo jo.

Përfaësim adekuat ideologjik – Në sistemin me një njësi dhe pa prag nuk ka djegje votash, prandaj secila votë hyn në kalkulimet gjatë ndarjes së mandateve. Në këtë mënyrë ky sistem garanton përfaqësim adekuat të të gjitha opcioneve politike. Partitë e pakicave apo partitë tematike që kanë përkrahje të madhe por jo të koncentruar në një vend kanë vështirësi të sigurojnë mandate nëse zgjedhjet bëhen në më tepër njësi. Në sistem me një njësi votat e tyre mblidhen nga të gjitha anët dhe ata mund më lehtë të sigurojnë deputetë. Partitë si RDK, DR, VMRO-Popullore, OM, PLD e të tjera lehtësisht do të siguronin disa deputetë nëse në të kaluarën zgjedhjet do të ishin mbajtur me një njësi.

Mospërfaqësim adekuat gjeografik – Nga ana tjetër ekziston rreziku që zona të tëra gjeografike të mbesin pa përfaqësim. Gjatë përpilimit të listave partitë mund të injorojnë komplet ndonjë zonë apo të vendosin kandidatë në pozicione të ulta, ndërsa votuesi nuk ka mekanizëm për të ndëshkuar këtë fenomen në zgjedhje. Zgjidhje nuk është as abstenimi nga vota, sepse 120 deputetë do të zgjidhen pa marrë parasysh nëse një zonë ka votuar ose jo. Ndihmesë e vogël mund të jenë listat e hapura, që mund t’i shtyjnë partitë të jenë më gjithëpërfshirëse me qëllim që të marrin vota nga çdo zonë.

Relacion i dobësuar me votuesin, njëmendësi brendapartiake – Në sistemet e shumicës votuesi voton për kandidat konkret me emër e mbiemër, gjë që forcon relacionin e deputetit me elektoratin. Ndërkaq për t’u bërë deputet në sistemin proporcional duhet t’i kesh punët mirë me elitat partiake në mënyrë që të përfshihesh në listë. Pra në sistemet proporcionale relacioni deputet-votues dobësohet në favor të relacionit deputet-elitë partiake. Kjo gjë favorizon politikanët e dëgjueshëm dhe servilë, në dëm të demokracisë brendapartiake. Përsëri njëfarë ndihmese janë listat e hapura ku votuesit përskaj listës votojnë edhe për kandidat, por edhe në këtë rast fjalën kryesore  e ka elita partiake. Përpara se të mbledhë vota nga elektorati, kandidati duhet njëherë të dakordohet me partinë që ajo t’a kandidojë në listë.

Prishja e koalicioneve – Frika nga djegja e votave në sistemin e deritanishëm i ka detyruar partitë e vogla të hyjnë në koalicione parazgjedhore me partitë e mëdha. VMRO për shembull ka një koalicion prej 20 e ca partish, përfshi partitë e pakicave rome, turke e serbe. Të gjitha këto parti në sistemin me një njësi do të kenë motiv të dalin vetë në zgjedhje dhe koalicionet t’i bëjnë më pas, gjatë formimit të qeverisë. Kështu sistemi me një njësi ka tendenca të fuqishme për prishje të koalicioneve të mëdha. Nuk është e rastit që të parët që kërkuan sistem me një njësi ishin liderët e partive të vogla në koalicion me VMRO-në, Pavle Trajanov dhe Liljana Popovska dhe që ky sistem kundërshtohet kategorikisht pikërisht nga VMRO-ja.

Parlament i larmishëm – Me sistemin e deritanishëm parlamenti përherë është përbërë nga katër parti/koalicione dhe vetëm dy herë në parlament është futur një parti e pestë (RDK). Rrjedhimisht debati politik ka qenë i zaptuar nga katër njerëz – liderë të partive të mëdha. Ka qenë e pamundur që në skenë të dalë ndonjë opcion i tretë. Ndërsa me sistemin me një njësi në parlament vazhdimisht do të kishte patur rreth 10 parti. Parti me 20-30 mijë vota si RDK, DR, PLD, VMRO-Popullore do të ishin faktorë të rëndësishëm dhe sigurisht do të kishin vështirësuar tendencat autoritare të partive të mëdha. Në kushtet tona sistemi me një njësi do të ishte shumë më i dobishëm për demokracinë në vend. 

Shmangja e dominimit të një partie – Në katër palë zgjedhje të fundit, 2006- 2014, VMRO ka fituar 31%, 47%, 38%, respektivisht 43% të votave totale. Megjithatë sistemi i tanishëm i ka mundësuar që secilën herë të ketë shumicë ose afër shumicës absolute në parlament. Sistemi i tanishëm me gjashtë njësi i ka mundësuar VMRO-së të vendosë sistem diktatorial në shtet, pa patur asnjëherë as gjysmën e votave. Qartazi sistemi me gjashtë njësi e ka shtrembëruar dukshëm vullnetin e popullit. Ndërkaq në sistemin me një njësi është thuajse e pamundshme që një parti vetë të ketë shumicë në parlament. Bashkë me fenomenin e prishjes së koalicioneve të mëdhaja bëhet një parti do të mund të arrijë rreth 45 deputetë.

Qeveri jostabile – Prezenca e më shumë partive në parlament dhe pamundësia e dominimit të një partie të vetme do të thotë që sistemi me një njësi tenton të krijojë qeveri jostabile. Ndonëse në disa situata kjo mund të duket negative, në fakt kjo është gjë e shëndoshë për një demokraci, pasi qeveria jostabile do të thotë qeveritarë të parehatshëm dhe pa komoditet. Qeveritë jostabile zakonisht nuk kanë kapacitet të venë diktat mbi parlamentin apo institucionet tjera, gjë që do t’i ndihmojë përforcimit dhe pavarësimit të këtyre institucioneve.

Numri i deputetëve shqiptarë – A priori nuk mund të thuhet nëse ndryshimi nga gjashtë në një njësi me automatizëm do të shtojë ose reduktojë numrin e deputetëve shqiptarë. Sikur ky sistem të ishte aplikuar në të kaluarën shqiptarët do të kishin 2-3 deputetë më pak në 2006 dhe 2008 dhe një më pak në 2011 dhe 2014. Mirëpo këto rezultate janë specifike për rrethanat e këtyre viteve. Numri i deputetëve shqiptare në sistem me një njësi varet kryesisht nga dalja në zgjedhje e shqiptarëve dhe të tjerëve, numri i partive që garojnë në zgjedhje, vendosja apo mosvendosja e pragut e kështu me rradhë. Nëse shqiptarët përsëri do të përbëjnë 20%-22% të trupit votues sikur tani, atëherë sistemi me një njësi jep 25-27 deputetë shqiptarë. Mirëpo në situatën e vitit 2015 kur kemi më tepër blloqe shqiptare, sistemi me një njësi mund madje të parandalojë djegjen e votave dhe të japë më tepër deputetë se ai me gjashtë njësi.

Nga ana tjetër sistemi i këtillë do të thotë më tepër parti shqiptare në skenë, nxit debat më të hapur politik, do të debllokojë skenën politike shqiptare dhe do t’a shkëpusë atë nga kthetrat e dy partive të deritanishme. Më tej vendosja e sistemit me lista të hapura do të përmirësonte edhe kualitetin e deputetëve. Parë nga ky aspekt sistemi me një njësi është më i dobishëm për shqiptarët, pa marrë parasysh nëse nxjerr një apo dy deputetë më shumë a më pak.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button