FANATIKU I PËRSOSMËRISË

Kur hy njeriu në atelenë e Nehat Beqirit i duket se ka hyrë në një botë me dimensione të tjera, ku realja dhe mitikja bashkëjetojnë harmonishëm në pëlhurat e panumërta të shkapërderdhura në të katër anët, si fragmente kohërash, që e përbëjnë kryeveprën e piktorit – universin artistik të jetës.

Këtë univers Nehati e ka nisur me ciklin e demave me shikim të rëndë, të përvuajtur e dinjitoz; me kuajt e shqetësuar nga apokalipsat e parandiera me kush e di se ç’shqisë; me peshqit e trazuar e të shpërndarë në kërkim të një bote më të paqtë; me njerëzit symëdhenj e të çuditshëm që presin me drojë të (pa)përjetuarat e jetës.

Në pikturat e tij me sfonde kryesisht të errët, ka diçka nga veprat e klasikëve të mëdhenj, që shkrihet natyrshëm n’lumin e teksturave moderne ku vrujon  temperamenti i një kohe të trazuar, i pasqyruar me shkathtësi maestroje. Ato janë shumëdimensionale, janë piktura me subjekt, por kurrë nuk të lejojnë t’i shpalosish përfundimisht, sepse veprat e njëmendta jetojnë bashkë me teket e tyre.

Kërkimi i njeriut dhe zhbirimi i anëve më të palexuara të jetës, e ka bërë piktorin të zgjedhë për model portretimi fytyra nga bota shtazore me sy përmasash të mëdha, që rrëfejnë më shumë se njëmijë gojë bashkas. Në fakt, Nehati, gjatë tërë kohës portretizon dikë, një të njohurin e vet, një vetvete tjetër të vjedhur në labirinthet e nënvetëdijes, një të njohurin tonë… Është ky portreti i vet piktorit, ku më duket se mund të gjej edhe shenjat e portretit tim, të portretit tonë kolektiv – të portretit të ambientit të njohur, që jepen përmes trazimit të një peshku, demi a kali; përmes një pamjeje mistike a rënieje, që s’është tjetër veçse kalamendje individuale e kolektive nëpër dallgët e jetës.

Sytë e portreteve, të dalë si prej realitetit mitik, që gati përherë janë në plan të parë, kanë vija të qarta psikologjike dhe flasin me gjuhën karakteristike, me dritën e bebzës së tyre, pa mimikë teatrale, pa efekte patetike. Edhe pse të trazuar dhe përplot trishtim, ata sy kanë dhe shkëndijën e shpresës dhe etjen për pjesën e tyre të diellit. Ata rrezatojnë qëndresë dhe janë dinjitozë në vuajtje.

*

Në një fazë tjetër të krijimtarisë së tij unikate, Nehati reinkarnoi jetën me copëzat e shkëputura nga një pëlhurë e rëndomtë skenografie, e ringjalli atë nga “kurgjëja” – nga një vepër që e kishte kryer punën e vet dhe ishte hedhur tutje si e pavlerë, nga një pëlhurë që e ndjeu në lëkurë përbuzjen, mënjanimin, skajimin…, si një artist vilajetesh të humbëtirta.

Nga pjesët e kësaj pëlhure Nehati ndërtoi skena apokaliptike, shpërthime që përvijohen nga tabloja në tablo, erupcione vullkanesh, klithma këngësh të pakënduara, preambula luftërash me plot nene të kobshme, arena skizmash dhe urash të Siratit, grada të degraduara, epoleta të përgjakura, dëshmi kijametesh, rrathë të ferit dantesk, binarë që shpiejnë drejt bllacash të pafundme…, duke parandier pagabueshëm tragjeditë ballkanike të fillimshekullit tonë.

Gjithë këtë mjegullnajë tmerri, këto eklipse fatesh individuale e kolektive, artisti përpiqet t’i shpërbëjë me katarza njerëzish pa ujk në vete, me lindje diejsh alegorikë, me gjakimin e stinës së NJERIUT.

Rrëfim më vete është loja e piktorit me ngjyrërat, që në procesin e përplasjeve të vazhdueshme flasin me gjuhën e tyre sugjestive dhe përbëjnë, siç do të thoshte Martin Camaj: harmoninë mes lindjes dhe vdekjes. Kështu, e zeza dhe e kaltra të kthejnë në temat parabiblike: në misteret e zanafillës përplot mugësi të padeshifrueshme, në thellësitë oqeanike, në dhimbjet e shtatzënisë kozmike.

Intervenimi me të kuqe e then zymtësinë e sfondeve të acarta. Pa dyshim, ajo jep idenë e luftës, zjarrit dhe gjakut, po dhe idenë e shpirtit të pamposhtur, idenë e dashurisë, idenë e jetës.

E bardha me të verdhën ekspresive gjithashtu mund të asocojnë në qetësinë absolute, në përjetësi, në agun e ditëve të reja…, por edhe në qefinë e lugetër të etur për gjak, veçmas nëse kundrohen në aleancë me blunë e mbyllur që të përkujton muret e nekropoleve të lashtësisë, skenat e gjykimit të shpirtërave, xhingiskanët e lindur nga ujqër të kaltër stepash…

*

Ciklet tjera të mirëpritura të piktorit brenda dhe jashtë vendit janë aq të shumta sa nuk i nxë asnjë shkrim modest si ky imi. Shi për këtë, po kënaqem vetëm me dhënien e një imazhi, sa për trikujtuar publikun artdashës se edhe pjesa jonë e universit rrit artistë të mirëfilltë, si puna e Nehat Beqirit – këtij piktori ekspresionist, këtij klasiku modern, këtij fanatiku të përsosmërisë, këtij krijuesi jokonformist me sistem të veçantë të krijimtarisë artistike, që ka kapërcyer tani më kufijtë e artit kombëtar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Krijimtaria e Nehos apo amigosit tend siq e quaje dhe sigurisht vazhdon ta quash, eshte tamam si e ke pershkruar ketu.
    Jashta kesaj desha te shtoj se pikerisht keto dite Fatmir, ne takime me nje mik, e citoja vargun tend antologjik apo profetik:
    “do behemi si s’do behemi,
    edhe ne do behemi nje dite”.

Back to top button