Një grumbull spekulimesh nuk përbëjnë lajm

[Recension: Maqedoni, dyshime për përfshirjen e funksionarëve shqiptarë në afera dhe skandale]

Teksti që po recensojmë duket si një artikull që flet me aq siguri, thua se është i mbështetur në fakte dhe argumente të pamohueshme, ndërsa është vetëm një tekst përplot supozime. Teksti flet me bindje dhe pa përdorur termet “dyshohet se…”, “thuhet se…”, “spekulohet se…”, ndërsa nga ana tjetër nuk ka asnjë argument ose deklaratë ku i mbështet të shkruarat.

Maqedoni  dyshime për përfshirjen e funksionarëve shqiptarë në afera dhe skandale   Iliria News AgencyLinku deri te artikulli origjinal: Maqedoni, dyshime për përfshirjen e funksionarëve shqiptarë në afera dhe skandale

Data dhe koha e publikimit: 21.08.2015

Data e recensionit: 25.08.2015

Recensues: Benjamin Arifi

Funksionarë shqiptarë në poste të larta shtetërore në Maqedoni janë të përfshirë në skandale të ndryshme.Bëhet fjalë për ministra të përbërjes së kaluar, zëvendësministra, drejtorë dhe funksionarë të tjerë të cilët janë të përfshirë në afera korruptive, skandale seksuale dhe dukuri të tjera. Për një pjesë të tyre ekzistojnë edhe dëshmi dhe materiale.

Teksti në fjalë ka kategorizime shumë të lëkundëshme dhe të pabaza për të zënë vend në një tekst gazetaresk. Autori nuk precizon burimin e informacionit, as relevancën dhe kredibilitetin e tij.

Opozita maqedonase gjatë prezantimit të aferës së përgjimeve ka konfirmuar se në pakon e përgjimeve janë edhe biseda dhe dëshmi që shfaqin këto dukuri, por ato nuk janë dëgjuar dhe nuk publikohen për shkaqe të diskrecionit. Por gjitha këto materiale supozohet se janë edhe në duar të tjera që mund të keqpërdoren.

Ky është një tjetër paragraf, vërtetësia e të cilit nuk është mbështetur në fakte relevante. Edhe pse flet për njëfarë qëndrimi të opozitës, autori nuk ka sjellë për lexuesit asnjë deklaratë të bërë nga funksionarët e opozitës, që prek konkretisht temën e trajtuar.

Spekulimet e pabaza nuk meritojnë hapësirë në një tekst të mirëfilltë gazetaresk. Gazetaria bazohet vetëm në fakte dhe informim, e jo spekulim dhe supozim. Një grumbull spekulimesh të pabaza, sado atraktive për lexim, për shkak të temës tërheqëse, nuk guxojnë të publikohen, pa u mbështetur në ndonjë burim, dëshmi materiale ose deklaratë relevante. Në të kundërt teksti merret si dashakeq, diçka që nuk është synim i gazetarisë profesionale. Gazetari merret me interesin publik, dhe jeta private e personave me pushtet hyn në këtë pjesë, për shkak të mundësisë së abuzimit me pushtetin. Por gjithsesi, duhet pasur kujdes, sepse akuza të pa baza dhe spekulime nuk janë pjesë e gazetarisë profesionale.

Lajme të ngjashme

Back to top button