Vendet e Ballkanit Perëndimor mos ta bllokojnë njëra tjetrën drejt BE-së

Vendet e Ballkanit Perëndimor u obliguan sot se reciprokisht nuk do të bllokohen në rrugën evropiane, si dhe se do të bëjnë përpjekje më të mëdha për përparim në reformat e brendshme.

Me deklaratën nga Samiti për Ballkanin Perëndimor në Vjenë vendet-pjesëmarrëse u obliguan se mospajtimet reciproke nuk do t’i keqpërdorin njëra kundër tjetrës në procesin e integrimeve evroiane, si dhe se do të pranojnë përkrahjen e Bashkimit Evropian në zgjidhjen e kontesteve bilaterale.

Duke i pranuar gjithçka që vendet nga rajoni kanë bërë në korrigjimin e situatës së brendshme, u konkludua se nevojitet më tepër përpjeke që të përshpejtohen proceset reformuese të vendit, para së gjithash kur bëhet fjalë për mbizotërimin e drejtësisë, menaxhimin ekonomik dhe reformat e administratës publike si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor besojnë se e ardhmja e tyre është në BE, dhe se progresi i secilit vend varet nga përpjekjet individuale për të përmbushur kriteret e Kopenhagës dhe kushtet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Deklarata thekson se nevojiten hapa konkrete të udhëheqësve politikë të Ballkanit Perëndimor drejt pajtimit afatgjatë në rajon, që është thelbësore për stabilitetin dhe mbështetjen për krijimin e një Europe Juglindore, të aftë për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës.

Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë e konfirmuan, siç thuhet në konkluzionet e Samitit, vendosmërinë për intensifikimin e procesit të normalizimit.

Gjithashtu e nevojshme është që të rriten përpjekjet për të gjetur një kompromis midis Maqedonisë dhe Greqisë, kur është fjala për kontestin për emrin.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar se radikalizmi, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, kryesisht nga luftëtarët e huaj, të cilët janë duke luftuar në Siri dhe Irak kërkojnë forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit më të madh të informacionit.

Rreth emigracionit të paligjshëm liderët e kanë theksuar rëndësinë e organizimit të një konference të nivelit të lartë të dedikuar për sfidat e rrugës të Ballkanit Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Back to top button