Përfaqësuesit tim

Përfaqësuesi im, që të zgjodha në mesin e aq shumë kandidatëve të tjerë, mos harro që të fala fuqinë time prej qytetari! Kujto se sovraniteti i vërtetë buron nga unë, kurse ti je thjeshtë i besuari im i përkohshëm!

Kur nga përpjekja për të ngritur e rregulluar çështjet do të ndjehesh i rraskapitur dhe kur nga lodhja z’do të të mbetet më oreks, deklaroj se e dëgjoj si vetë pesha e humbur përshpërit: “Unë nuk jam i pabesë!” E dua çastin kur nuk dorëzohesh, kur dëshmon se mandati për ty është detyrë e mundimshme dhe jo privilegj e kënaqësi. Më pëlqen kur për asnjë moment të vetëm nuk heq dorë nga të qënit njeri.

Po, nëse gjatë kësaj periudhe të caktuar kohore do t’i dalësh zot votës që more, ta dish se je i bekuar dhe “I nderuar qofsh gjithmonë!” do të jetë urimi im për ty. Në të kundërt, “Qofsh nga të humburit e të  dyja botërave!”-do të të mallkojë dora që rrethoi numrin pranë emrit tënd.

Ta kesh të qartë se: nuk kam fuqi për të urryer vetveten e kështu as ty, derisa bart atë që më takon mua, derisa falë demokracisë përfaqësuese flet e vepron në emrin tim! Por në rast të zhgënjimit tim: ti je gabim! Po të lutem, mos më detyro të pështyj pasqyrën, atëherë kur do të jem pranë saj e të më reflektohesh ti!

Nësa vota ime ishte e lirë, rrjedhimisht duhet të jesh i pavarur, o i zgjedhuri im. Nuk pyeta askënd kur iu përgjigja thirrjes tënde për të të legjitimuar, as ti mos pyet kë, kur ka nevojë, më jep llogari!

Një këshillë prej meje, pasi armiku yt s’mund të bëhem: Në të zuri gjumi natën posa i mbylle sytë, sa të zgjohesh bindu se një si ti s’realizon dot përgjegjësitë! E nëse edhe natën tjetër do të flesh rehat, pa i kujtuar të pastrehët, që rrugëve bredhin për lëmoshë e nuk kanë as çfarë të hanë, prano se ke dështuar: thjeshtë nuk të shkon ty politika për zanat! Dhe mos u bëj nga frikacakët që të fshihesh pas dështimit, dorëzo amanetin me nder, se burrëria është veti e trimit!

Lajme të ngjashme

Back to top button