Botërori i Atletikës, Bolt “eklipson” Gatlin në 200 metra

Nëse gara e 100 metrave hodhi hije dyshimi të forta rreth formës së rekordmenit Usain Bolt, ajo e 200 metrave në Botërorin e Pekinit mbylli një kapitull të gjatë hamendësimesh, Usain Bolt nuk ka rivalë në pistat e atletikës.

Xhamjkiani theu lehtësisht rivalin amerikan Justin Gatlin në finalen e 200 metrave të zhvilluar në stadiumin Kombëtar të Pekinit, duke dominuar në metrat e fundit të garës që nisi nën ritmin e diktuar nga dyshja favorite deri në kthesën e vijës së drejtë.

Me kohën 19 sekonda e 55 të qindtat, Bolt fitoi medaljen e 10 në kampionatin botëror, ndërsa Gatlin duhet të kënaqet me argjendin edhe pse në fundin e kthesës u duk se do t’i lëshonte sërish dorezën e sfidës kundërshtarit të tij. Kjo është edhe koha më e mirë e këtij viti në rang botëror, ndërsa Gatlin e mbylli garën me 19 të qindtat më shumë duke zhgënjyer të pranishmit në “Folenë e Zogut”.

Ky është ari i katërt botëror për Bolt në disiplinën e 200 metrave pas Berlinit, Daegusë dhe Moskës, ndërsa në Pekin ai regjistroi të njëjtin sukses edhe 7 vjet më parë gjatë Olimpiadës së vitit 2008 kur i zbuloi botës për herë të parë magjinë që prodhonte energjia e këmbëve të tij. Ndërkohë, medalja e bronxit shkoi për afrikano-jugorin Anaso Jobodwana me kohën 19:87. Suksesi i arritur në Kinë e rikthen Bolt në majën e listës së pretendentëve për medaljen e artë edhe në Rio 2016 ku do të synojë arin e tretë në po kaq Olimpiada. Ndërkohë, në finalen e 400 metrave për femra, amerikania Allyson Felix nuk hasi asnjë vështirësi duke lënë pas Shaunae MIller dhe Shericka Jackson. Në 110 metra me pengesa për meshkuj rusi Sergey Shubenkov regjistroi kohën më të shpejtë, ndërsa në disiplinën e femrave dominoi gjermania Cindy.

Lajme të ngjashme

Back to top button