Samiti për Ballkanin Perëndimor, Rama takon Mustafën dhe Vuçiç

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në kuadër të Samit në Vjenë për vendet e Ballkanit Perëndimor, zhvilloi sot një takim me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe homologun tij serb, Aleksandar Vuçiç, në të cilin u diskutua rëndësia e ndërtimit të autostradës Nish- Prishtinë-Durrës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë takim morën pjesë edhe drejtuesit e BERZH e Bankës Europiane të Investimeve (BEI).

Burimet zyrtare nga Këshilli i Ministrive të Shqipërisë theksojnë se Kryeministri Rama theksoi se te projektet e mëdha të infrastrukturës, qoftë autostrada Nish Prishtinë Durrës, qoftë autostrada Adriatiko – Joniane, janë projekte europiane, të cilat nxisin ndërlidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Ramës është e rëndësishme që ndërtimi i këtyre dy projekteve të fillojë sa më shpejt dhe për këtë nevojitet ekspertiza dhe mbështetja financiare e Komisionit Europian dhe institucioneve financiare si BERZH dhe BEI.

Kryeministri Vuçiç, duke theksuar rëndësinë e autostradës Nish –Prishtinë- Durrës, tha se falë këtij projekti Beogradi do të lidhet me Prishtinën në më pak se tre orë, ndërkohë që porti i Durrësit do të kthehet në pikën më të afërt detare për Serbinë.

Në fillim të vitit 2016 pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit për të dyja projektet, ndërkohë BERZH dhe BEI, në bashkëpunim me institucionet e Bashkimit Europian, do të ndihmojnë në financimin e këtyre dy autostradave.

Samiti drejtohet nga Kancelari Federal Austriak, Werner Faymann, ku janë të ftuar kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnja dhe Hercegovinës.

Lajme të ngjashme

Back to top button