Ngrysi nata, erdhi Subrata

Javën e kaluar opinioni në Maqedoni kishte rastin të ndjekë edhe një episod të serialit real që po luhet para syve në ardhje-vajtjet e një biznesmeni kontrovers nga India; Subrata Roy. Ndonëse u raportua se ky biznesmen ka probleme ligjore dhe dosje në shtetin amë Indinë, ai në Maqedoni është pritur në dyert më të mëdha të mundshme. Bile këtë herë në një ngjarje që ai organizoi, vet ai ishte edhe nikoqir i zyrtarëve dhe politikanëve të shumtë nga Maqedonia, që prezantuan në atë aheng të tijin privat në të cilin mysafir kishte edhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.

Edhe ky episod i këtij seriali ishte burim i madh frymëzimi për tallje dhe sarkazëm në opinion, por këtë herë ndjenja se po ndodh një poshtërim kolektiv i vendit dhe shtetit ishte më e madhe se humori i shfaqur me rastin e kësaj ardhjeje të Subrata Rojit. 

Se ndjenja e poshtërimit kolektiv ishte e madhe dëshmon fakti se edhe mediet qeveritare që herët tjera u munduan me pozitivitet të përcjellin çdo hap të këtij biznesmeni këtë herë heshtën tërësisht duke mos u orvatur as të zbutin, siç e kanë shprehi, me kurdisje mediatike, shijen e hidhët që la kjo vizitë në mbarë opinionin e vendit. E vetmja punë që bëjnë është të mbulojnë një budallallëk me një tjetër të radhës dhe ashtu tani janë lëshuar në një çartje ku fyejnë shqiptarët dhe myslimanët duke zhvilluar teori të viktimizimit të tyre në emisione të natës. Aty ku në rrethe të mbyllura shtjellojnë se si fqinjët, shqiptarët dhe e gjithë bota ua ka fajin e aspak s’u kujtohet për veprimet e veta me të cilat poshtërojnë vendin dhe shtetin?!

Si dëm i kësaj heshtjeje për këtë vizitë pësoi edhe mysafiri më i rëndësishëm Tony Blairi i cili në një pjesë të fjalimit të tij bile foli për atë se si Maqedonia nuk duhet të eksperimentojë me kërkime djathtas –majtas, por të koncentrohet në integrimet euro-atlantike. 
Këtë fjali të tijën askush nuk pati rastin të shoh në media, të përcjellë si mesazh i veçantë që ishte, por panë se e gjithë vizita dhe ardhja e Subrata-s është mu e kundërta e asaj që duhet të bën Maqedonia. Bile edhe mund të thuhet se ndalja në Shkup e Tony Blair-it, me çmim të lartë të paguar nga Subrata, rrugës për në Tiranë ku do këshillon kryeministrin e ri të atjeshëm Edi Rama, ia zbriti vlerën edhe për atje. 

Shumë interesante për vështrim është pjesa e opinionit shqiptar që gati tërësisht është indiferent ndaj fenomenit Subrata që për pasojat dhe zhvillimet e mëvonshme mund të mos jetë aspak naiv si projekt. Indiferenca për këtë gjë është aq e madhe sa që është përcjellë me indiferencë edhe nga politika shqiptare në vend.

Ndonëse indiferenca shqiptare edhe për shumë çështje të rëndësishme tjera, sa vjen e shtohet, ajo si e tillë do i kushtojë shumë prezencës dhe artikulimit politik të qytetarëve shqiptarë në Maqedoni, por kjo indiferencë nuk është e mirë as për Maqedoninë në tërësi. Kjo pasi opinioni në shqip, e edhe politikanët shqiptarë të këtushëm, shpesh kanë qenë dritarja nga ku ka fry normalitet në çaste të çoroditura për Maqedoninë. Tani dita ditës shqiptarët e këtushëm, më shumë e më shumë, shkyçen, gati tërësisht, nga opinioni dhe politika e përgjithshme gjë që mund të jetë hendikep i madh në rrugën e Maqedonisë për kthim në normalitet, kurdo që të nis ai kthim. 
Tani për tani vetëm mund të shihet se këndej ka ngrys nata dhe në këtë gjë, Subrata, është vetëm se edhe një shenjë më shumë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button