Republika e Hashimit apo Zajednica e Isës?

Na pëlqeu apo s’na pëlqeu “Zajednica” u realizua në Kosovë dhe tani e tutje vendi do të ketë tri nivele të qeverisjes ku njeri prej tyre do të jetë sfidues për shtetin e Kosovës. E vërteta e dhimbshme nuk përfundon këtu, tani e tutje Kosova me “Zajednicën” brenda, në vazhdimësi do të shantazhohet nga Serbia.

Kosova pas nënshkrimit të marrëveshjes së 25 gushtit e ka futur edhe legalisht Serbinë brenda Kosovës, dhe se e ka të vështirë, do të thoja të pamundur t’i bind serbët e veriut (gjithë Kosovës) të pranojnë Republikën e Kosovës si shtet të tyre!

“Ndonëse deklaratat e para të nënshkruesve matrapaz kosovar nuk paraqesin tërë materien e dhimbshme të kësaj marrëveshje, ajo ka tejkaluar kompetencat e një asociacioni dhe tani ka kaluar në një Autonomi serbe brenda Kosovës”.

Nënshkrimi i marrëveshjes së 25 gushtit nga liderët matrapaz është goditja më e rëndë për shtetin e Kosovës në këto 16 vitet e fundit.

AKS do të ketë kompetenca ekzekutive dhe se do të ketë president, zëvendës-president, kuvend, stemë, flamur e që do të financohet dhe kontrollohet drejtpërdrejt nga Serbia, do të ketë kompetenca të gjera ekzekutive dhe lidhje direkte me Serbinë.

Asociacioni do të jetë kancer i përhershëm për shtetin e Kosovës!

“Zajednica” nuk është OJQ, siç po mundohen ta minimizojnë rolin e saj liderët e dështuar politik të Kosovës. “Zajednica shënon kurorëzimin e ndarjes etnike të territorit të Kosovës, duke e lënë këtë të fundit (Kosovën) pa Republikë e pa shtet me perspektivë zhvillimi.

Negociatorët matrapaz, pamëshirshëm dëmtuan pavarësinë e vendit të tyre, rrënuan rendin kushtetues dhe juridik të vendit. Tani pas marrëveshjeve të fundit do t’ju vje radha ndryshimeve kushtetuese ashtu siç ndodhi me “Specialen”,…pra

“Zajebnica” e shtetit të Kosovës do të futet edhe në kushtetutë.

Në rrethana normale, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, jo vetëm që do duhej refuzuar një marrëveshje e tillë antikushtetuese, antishtetërore dhe antikombëtare,…do duhej kërkuar shkarkimin nga pozitat qeveritare për nënshkruesit e saj marrëveshje skandaloze, nën akuzat për tradhti kombëtare. Mirëpo një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë shkaku i servilitetit të shumicës së deputetëve të pozitës ndaj liderëve të tyre partiak.

Mosmiratimi i kësaj marrëveshje fatkeqe nga ana e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës do të thoshte shpëtim për vendin, në të kundërtën të gjithë ata deputet që e votojnë copëtimin e tërësisë territoriale të shtetit të tyre do ta bartin targën e turpit dhe tradhtisë kombëtare.

Përderisa liderët matrapaz po e konsiderojnë sukses nënshkrimin e marrëveshjes, faktet e thonë të kundërtën; serbët e veriut festojnë, shqiptarët vajtojnë humbjen e këtij procesi skandaloz bisedimesh në Bruksel.

Popullit të Kosovës, që s’bëri gjë në parandalimin e “Zajednicës”, nuk do t’i mbetët gjë tjetër pos “vajtimit” si ngushëllim për humbjen e sovranitetit në mbi 30 % të territorit, me këtë edhe humbjen e pasurive vitale për vendin.

Serbia nuk do të ndalet me kaq, agresioni politik i saj do të vazhdon tutje, ndikimi i kontrollit ekonomik dhe politik i shtetit serb ndaj Kosovës do zgjerohet akoma më shumë. Pas kësaj marrëveshje, liderët e shtetit serb nuk do të kenë më nevojë të kërkojnë “leje” nga autoritetet vendore për hyrje në Kosovë, ngase atë ua garanton “Zajednica”.

Produket dhe mallrat nga Serbia do të hyjnë lirshëm, të papenguara dhe pakontrolluara nga askush në Kosovë, por jo edhe të kësaj të fundit në drejtimin tjetër, ngase këtu nuk bëhet fjalë për marrëveshje reciproke.

Tani e tutje, jo vetëm në veri, por edhe në brendi të vendit, në komunat dhe vendbanimet serbe do të vendosen mbishkrimet ne cirilicë “Republika Serbia” së bashku me flamujt e shtetit serb, pra do të kemi mënishtet serb brenda shtetit të Kosovës.

Neve shqiptarëve si ngushëllim na ka mbet vetëm nocioni “Republikë” me flamurin lara-lara, i cili nuk simbolizon asgjë nga identiteti ynë kombëtar.

Pas 25 gushtit 2015 Kosova më nuk i ngjet një shteti të pavarur,…për më tepër i ngjet një territori multietnik po ashtu me sovranitet multietnik.

Si ta quajmë tani e tutje shtetin e Kosovës; Republika e Hashimit apo Zajednica e Isës?!

Lajme të ngjashme

Back to top button